
"Hi, I'm Adela, I'm calling you from FCA (Financial Conduct Authority)." Kjo është fjalia me të cilën, sipas denoncimeve të qytetarëve dhe burimeve të ZËRI-t, nisin çdo ditë qindra telefonata drejt vendeve të ndryshme të Evropës nga call center-a që operojnë në Shqipëri.
Pas goditjeve të njëpasnjëshme të autoriteteve evropiane ndaj skemave të investimeve të rreme online, tregu i call center-ave duket se ka hyrë në një fazë të re. Nëse deri pak kohë më parë fokusi ishte bindja e qytetarëve për të investuar kursimet e tyre në platforma fiktive financiare, tashmë skema që përshkruhet nga burimet e ZËRIT paraqitet ndryshe.
Sipas informacioneve të mbledhura, qytetarë që kanë qenë më parë viktima të mashtrimeve financiare kontaktohen nga persona që prezantohen si përfaqësues të institucioneve ose agjencive të specializuara për rikuperimin e fondeve. Në bisedë u premtohet se paratë e humbura mund të rikthehen, me kusht që fillimisht të paguajnë një tarifë ose komision për procedurat administrative. Pas kryerjes së pagesës, komunikimi ndërpritet dhe fondet e premtuara nuk rikuperohen.
Në këtë panoramë të re, sipas burimeve të ZËRI-t, përmenden edhe emrat e Vilma Terpos dhe Hajden Lulajt. Ata dyshohet se janë të lidhur me disa struktura call center-ash që operojnë në Tiranë dhe që kanë në fokus tregje të ndryshme evropiane.
Paralelisht me aktivitetin e call center-ave, ZËRI ka shqyrtuar edhe aktivitetet e disa subjekteve tregtare që lidhen me personat e përmendur. Një prej tyre është studioja e arkitekturës ALT Architecture, e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në emër të familjarëve të Hajden Lulajt. Nga verifikimet e kryera rezulton se kompania nuk ka publikuar bilance financiare për disa vite, fakt që ngre pikëpyetje mbi transparencën e aktivitetit të saj.
Përveç kësaj studioje, në dokumentet e konsultuara nga ZËRI rezultojnë edhe subjekte të tjera të lidhura me fushën e marketingut dhe komunikimit. Ndërkohë, një tjetër aktivitet i identifikuar lidhet me sektorin e turizmit luksoz, përmes një kompanie që ofron shërbime me jahte përgjatë bregdetit shqiptar, në Adriatik dhe Jon, Aura Voyage Yachts.
Verifikimet e ZËRI-t kanë evidentuar gjithashtu një ekspozim të konsiderueshëm në rrjetet sociale, ku shfaqen udhëtime të shpeshta jashtë vendit, automjete luksoze, marka të njohura veshjesh dhe pushime në destinacione elitare. Kush nuk po i shikon vallë?

