AKTUALITET /

Zjarr në Himarë prej më shumë se 15 orësh, situata ende problematike

Forcat zjarrfikëse të Himarës, së bashku me punonjës të policisë, staf të bashkisë dhe ekipe të emergjencave civile, janë angazhuar intensivisht në terren që nga mesdita e djeshme.

Shkruar nga Versus
Zjarr në Himarë prej më shumë se 15 orësh, situata ende
Pamje nga vendi i ngjarjes

Prej më shumë se 15 orësh, një zjarr i madh ka përfshirë zonën kodrinore në lindje të qytetit të Himarës, pranë fshatit Pilur. Flakët, të përhapura nga era, kanë përshkuar një sipërfaqe të konsiderueshme, duke djegur shkurre dhe pemë dhe duke avancuar drejt pjesëve më të larta të malit.

Forcat zjarrfikëse të Himarës, së bashku me punonjës të policisë, staf të bashkisë dhe ekipe të emergjencave civile, janë angazhuar intensivisht në terren që nga mesdita e djeshme. Megjithatë, për shkak të terrenit të thyer dhe të vështirë, ndërhyrja tokësore ka qenë e kufizuar, çka ka bërë të nevojshme kërkesën për ndërhyrje ajrore.

Në mëngjesin e sotëm, një helikopter është vënë në veprim për të ndihmuar në shuarjen e flakëve nga ajri. Ndërkohë, shqetësimi kryesor mbetet tymi që përhapet në zonë, duke krijuar probleme për pushuesit dhe banorët.

Zjarrfikësit shprehen se sfida më e madhe aktualisht është humusi, i cili mund të riaktivizohet me çdo shpërthim ere, ndaj zona po monitorohet vazhdimisht për të shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit./Versus.al

Poll