BOTA /

Andy Burnham mban fjalën e parë si kryeministër i ri i Britanisë së Madhe, premton mbështetje për të rinjtë, reforma arsimore dhe strehim

Ndër sfidat kryesore të qeverisë së tij janë inflacioni, kostoja e lartë e jetesës, rritja e kostove të huamarrjes, çështja e emigracionit, si dhe ndikimi i çmimeve të larta të energjisë, të nxitura nga tensionet në Lindjen e Mesme.

Shkruar nga Versus

Andy Burnham mban fjalën e parë si kryeministër i ri i

Andy Burnham është emëruar zyrtarisht kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar, pasi u ngarkua nga Mbreti Charles III me formimin e qeverisë së re, pas dorëheqjes së Keir Starmer.

Procedura u zhvillua të hënën në Pallatin Buckingham. Fillimisht, Mbreti Charles III pranoi dorëheqjen e Starmer dhe më pas priti Burnham, të cilit i besoi mandatin për krijimin e kabinetit të ri qeveritar.

Në fjalimin e tij të fundit si kryeministër, Keir Starmer u shpreh se pas dy vitesh në detyrë, Britania ndodhet në një pozicion më të mirë, ndërsa i uroi sukses pasuesit të tij.

Andy Burnham bëhet kryeministri i gjashtë i Mbretërisë së Bashkuar në dhjetë vitet e fundit. Në fjalimin e parë para rezidencës së kryeministrit në 10 Downing Street, ai premtoi ndërhyrje të menjëhershme për të përballuar rritjen e kostos së jetesës dhe njoftoi se brenda këtij viti do të prezantojë një plan dhjetëvjeçar për zhvillimin e vendit.

"Britania duhet t'i tregojë botës se mund të rikthejë stabilitetin. Nuk kemi qenë mjaftueshëm të mirë dhe duhet të bëhemi më të mirë", deklaroi Burnham.

Kreu i ri i qeverisë premtoi mbështetje më të madhe për të rinjtë, reforma në sistemin arsimor, investime në shëndetin mendor dhe ndërtimin e më shumë banesave. Ai theksoi se këto masa do të ndihmojnë në përmbushjen e objektivave fiskalë dhe angazhimeve ndërkombëtare të Mbretërisë së Bashkuar.

Burnham merr detyrën në një moment të vështirë për ekonominë britanike. Ndër sfidat kryesore të qeverisë së tij janë inflacioni, kostoja e lartë e jetesës, rritja e kostove të huamarrjes, çështja e emigracionit, si dhe ndikimi i çmimeve të larta të energjisë, të nxitura nga tensionet në Lindjen e Mesme.

Keir Starmer, i cili udhëhoqi Partinë Laburiste drejt fitores në zgjedhjet e vitit 2024, njoftoi dorëheqjen në fund të qershorit pas një periudhe të shoqëruar me polemika, skandale dhe ndryshime të politikave./Versus.al

Poll