
Një 33-vjeçar është vënë në pranga ditën e sotme, në Elbasan, pasi dyshohet se ka tërhequr shumën 1 500 000 lekë, nga llogaria bankare e vëllait të tij.
Shtetasi me inicialet K.M ka marrë kartën bankare të vëllait, nga nëna e tyre, me anë të mashtrimit.
Pas kësaj, sipas njoftimit të Policisë dyshohet se 33-vjeçari ka tërhequr shumën nga llogaria gjatë muajit qershor 2024.
Materialet proceduriale për këtë çështje i kanë kaluar Prokurorisë dhe njoftimi i Policisë paraqitet si më poshtë:
Njoftimi
Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Cash”.
Përvetësoi 1 500 000 lekë që i tërhoqi nga llogaria bankare e vëllait të tij, me kartën që e siguroi me anë të mashtrimit, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 33-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Elbasan, si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, menjëherë pas administrimit të një kallëzimi të depozituar më datë 01.07.2024, për një rast të mashtrimit, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Cash”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit K. M., 33 vjeç, banues në Elbasan.
Prokuroria e Elbasanit, më datë 17.07.2024, ka lëshuar urdhër ndalimi për këtë shtetas, pasi dyshohet se gjatë muajit qershor 2024, ka tërhequr shumën 1 500 000 lekë, nga llogaria bankare e vëllait të tij,
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda./ Versus.al







