Manjati britanik i teknologjisë Mike Lynch është në mesin e gjashtë personave të zhdukur pas fundosjes së një superjahti luksoz i cili u mbyt me 22 pasagjerë dhe ekuipazh në bord. Tragjedia ndodhi gjatë një stuhie, mes së dielës në të hënës pranë Palermos në Siçili.
Varka me vela 56 metra, e quajtur "Bayesian" dhe që mbante flamurin britanik, u mbyt në brigjet e Porticello, një qytet bregdetar rreth 15 km në lindje të Palermos, rreth orës 5:00 të mëngjesit (03:00 GMT) të hënën pas një stuhie të dhunshme, thanë zyrtarët e rojes bregdetare.
Në mes të natës, erërat e forta dhe një shi me intensitet shumë të lartë përfshiu bregdetin, duke shkaktuar dëme materiale në objektet e plazhit: sipas disa mediave, zona përshkohej një tornado ajri dhe uji që rrotullohej.
Dymbëdhjetë pasagjerë dhe dhjetë anëtarë të ekuipazhit ishin në bordin e jahtit, shumica prej tyre shtetas britanikë. Midis tyre, sipërmarrësi i teknologjisë Mike Lynch, i mbiquajtur "Bill Gates britanik", tha për AFP drejtori i Mbrojtjes Civile Italiane, Salvo Cocina.
Biznesmeni 59-vjeçar, themelues i botuesit të softuerit Autonomy, është një nga sipërmarrësit më të famshëm britanikë të teknologjisë. Gruaja e tij Angela Bacares u shpëtua, tha një burim i afërt me operacionet e shpëtimit.
Pesëmbëdhjetë njerëz u shpëtuan dhe shtatë u zhdukën fillimisht - një anëtar i ekuipazhit dhe gjashtë pasagjerë, të kombësisë britanike, amerikane dhe kanadeze. Trupi i një prej shtatë të zhdukurve u gjet më vonë në rrënojat e varkës me vela.\
Sipas raportimeve të mediave, varka me vela, e cila ishte ankoruar rreth 700 metra larg portit të Porticello, u gjend në “syrin e një cikloni” uji, një fenomen i vërejtur gjithnjë e më shumë në Evropë vitet e fundit.
"Bayesian" u ndërtua në Toskanë në vitin 2008 dhe më pas u restaurua në vitin 2020, sipas faqes së internetit TGCom 24. Fotot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë një jaht luksoz me një direk kryesor alumini që konsiderohej më i madhi në botë me një lartësi prej 75 metrash. Velat e saj kanë një sipërfaqe prej 3000 m².







