Ministrja e Jashtme dhe e Drejtësisë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me editorialin e përbashkët të këtij të fundit me presidentin serb Aleksandar Vučić, publikuar në Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Në një intervistë për RTK, Gërvalla deklaroi se qytetarët e Kosovës nuk do ta falin këtë qëndrim të Ramës, duke theksuar se artikulli krijon përshtypjen se ai ndërhyn në momente të vështira për Vuçiçin në raport me Bashkimin Europian.
Ajo kritikoi gjithashtu çdo nismë bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Serbisë që, sipas saj, anashkalon Kosovën, duke nënvizuar se çdo marrëdhënie rajonale duhet të kalojë përmes Prishtinës, si në aspektin gjeografik ashtu edhe strategjik.
“Nga ana e kryeministrit Rama, i cili i tejkalon edhe ato kur kemi mbyllur njërin sy në të kaluarën, është artikulli i fundit i publikuar së bashku me Vuçiçin në gazetën prestigjioze gjermane. Unë mendoj që qytetarët e Kosovës nuk kanë për t’ia falur atë artikull kryeministrit Rama, sepse krijohet përshtypja herë pas herë që gjithmonë atëherë kur Vuçiqin BE-ja, Europa e mbështet me shpatulla për muri, del Edi Rama dhe e nxjerr nga ajo situatë”, u shpreh ajo.
Sipas Gërvallës, problemi kryesor nuk qëndron te bashkëautorësia e editorialit, por te përmbajtja e tij, ku propozohet integrimi i përbashkët i Shqipërisë dhe Serbisë në Bashkimin Europian.
Ajo theksoi se në artikull mungon çdo referencë ndaj qëndrimeve të Serbisë kundrejt Perëndimit dhe lidhjeve të saj me vende si Rusia, Kina apo Irani, duke e cilësuar këtë si një mospërputhje me orientimin euroatlantik të Shqipërisë dhe Kosovës.
“Problemi i artikullit nuk është pse Rama me Vuçiçin shkruajnë një artikull të përbashkët, por problem i atij artikulli është që propozimi është që Serbia dhe Shqipëria të hyjnë së bashku në Bashkimin Europian, duke mos përmendur në asnjë rrokje të vetme, pozicionin që ka Serbia në raport me Perëndimin, Rusinë, Kinën, Venezuelën, Iranin dhe forcat botërore që bien ndesh në çdo aspekt me përcaktimet tona për BE dhe NATO por edhe me përcaktimet e Shqipërisë”, është shprehur Gërvalla.

