Nëse disa kanë “kupolën e hekurt”, Turqia do të ndërtojë “kupolën e çelikut”, tha Recep Tayyip Erdogan, duke iu referuar sistemit të integruar të mbrojtjes ajrore të Izraelit, ekuivalentin e të cilit kërkon të krijojë Turqia.
Ai tha gjithashtu se Turqia do të zhvillojë aftësitë e saj raketore duke ndërtuar raketën e saj me rreze të gjatë veprimi.
Presidenti turk mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit në xhandarmërinë turke të helikopterit “Gokbey” të prodhimit turk nga Industria Turke e Hapësirës Ajrore (TAI).
Sipas programit të vazhdueshëm të helikopterëve Gokbey të Turqisë, gjithsej njëzet njësi pritet të dorëzohen deri në vitin 2026, duke përfshirë shtatë për Forcat Tokësore, katër për Forcat Ajrore, tre për Xhandarmërinë, tre për Policinë dhe tre për Rojet Bregdetare.
Planifikimi vazhdon edhe për prodhimin e 57 helikopterëve shtesë për nevojat e Marinës Turke.
Helikopterë të të njëjtit lloj janë planifikuar t’i dorëzohen Ministrisë së Shëndetësisë për të plotësuar nevojat e ambulancave ajrore.
Vlerësohet se në vitet e ardhshme do të ndërtohen më shumë se 100 helikopterë të këtij lloji.
Kompanitë turke, përfshirë TAI, kanë bërë 65% të të gjitha shitjeve të dronëve të armatosur në mbarë botën.