Multimiliarderi Elon Musk ka reaguar publikisht pasi emri i tij u përmend në publikimin më të fundit të dosjeve që lidhen me Jeffrey Epstein. Dokumentet përfshijnë email-e nga viti 2013, në të cilat Musk shfaqet duke diskutuar çështje biznesi që lidhen me Teslën me Epsteinin, i dënuar më vonë për abuzim seksual. Sipas dosjeve, një vit më herët Musk i kishte dërguar një mesazh Epstein-it duke e pyetur: “Cila ditë apo natë do të ishte festa më e çmendur në ishullin tuaj?”.
Pas publikimit, Musk reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku u shpreh se kishte qenë një nga zërat më të fortë që kishte kërkuar publikimin e plotë të dosjeve të Epstein dhe ndjekjen penale të abuzuesve të fëmijëve. Ai pretendoi se ishte i vetëdijshëm se, sipas tij, “media tradicionale, propagandistët e së majtës ekstreme dhe ata që janë vërtet fajtorë” do të mohonin akuzat dhe do të përpiqeshin ta diskreditonin.
Musk mohoi çdo përfshirje në aktivitetet kriminale të Epstein, duke u shprehur se nuk kishte marrë pjesë kurrë në festat e tij, nuk kishte udhëtuar me avionin e njohur si “Lolita Express” dhe nuk kishte shkelur kurrë në ishullin e tij privat. Ai e përshkroi situatën si “dhimbje ekstreme”, duke thënë se ishte akuzuar padrejtësisht për diçka që binte ndesh me vlerat e tij.
“Nëse kjo dhimbje shërben për të mbrojtur fëmijët e cenueshëm, atëherë ia vlen,” u shpreh Musk, duke shtuar se ishte i gatshëm të përballonte kritika edhe në të ardhmen për të kontribuar më shumë në mbrojtjen e fëmijëve dhe për t’u dhënë atyre mundësinë për një jetë të sigurt dhe të lumtur. Versus.al


