Dokumentet e publikuara së fundmi të lidhura me autorin e ndjerë të krimeve seksuale, Jeffrey Epstein, përfshijnë referenca për Presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Emri i Macronit në dokumente ka tërhequr vëmendjen pasi zëvendësprokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanche, njoftoi në fund të javës së kaluar publikimin e mbi 3 milionë faqeve shtesë me dokumente që lidhen me hetimin e dosjes Epstein.
Emri i tij shfaqet në dokumente të shumta që datojnë para dhe pas zgjedhjes së tij për herë të parë si president në vitin 2017.
Të dhënat sugjerojnë se Epstein pretendoi se Macron kërkoi ndihmën e tij për çështje të ndryshme.
Në një email të dërguar nga Epstein më 17 shtator 2018 drejtuar Presidentit dhe Drejtorit Ekzekutiv të Forumit Ekonomik Botëror (WEF), Borge Brende, Epstein bën të ditur se informacioni që ai po ndante ishte konfidencial dhe citoi Macronin.
"Nga Macron: Ne besojmë se duhet të rimendojmë, rindërtojmë dhe shpikim (i) qeverisjen dhe formatin e institucioneve ndërkombëtare, (ii) angazhimet dhe marrëdhëniet midis palëve të interesuara publike dhe private dhe (iii) instrumentet socio-ekonomike për t'iu përgjigjur më mirë këtyre sfidave. Cilat inovacione socio-ekonomike do të mbështesnit për të promovuar një të ardhme më 'progresive'"?, thuhet në mail.
Veçmas, një email i dërguar Epsteinit më 22 mars 2016 nga biznesmeni emiratian Sultan Ahmed bin Sulayem thuhet se ai kishte marrë pjesë në një drekë në Pallatin Elysee dhe kishte zhvilluar diskutime me Macronin, i cili në atë kohë shërbente si ministër i Ekonomisë së Francës.
"Drekova në pallatin Elysee", thuhet në emailin në të cilin më tej theksohet se "Pata një bisedë të këndshme me ministrin francez të Ekonomisë, z. Macron, në lidhje me biznesin tonë në Francë".
Në një email tjetër të datës 12 shtator 2018, Epstein i shkruan biznesmenit amerikan Tom Pritzker, duke iu referuar një takimi që përfshinte Macronin.
"Jacques po darkon me Macronin sot, kështu që koha ishte perfekte", thuhet në email.
Në një shkëmbim të veçantë e-mailesh të datës 30 gusht 2018, Epstein gjithashtu pretendon se Macron kërkoi këshillat e tij për "pothuajse gjithçka, duke përfshirë institucionet, politikat dhe shkencën", duke shtuar se Macron "dëshiron të udhëheqë Evropën, ndoshta botën".
Presidenca franceze nuk ka dhënë asnjë koment zyrtar në lidhje me dokumentet. Versus.al

