Profesori italian Stefano Andeo, i njohur për kërcënimet me jetë ndaj vajzës së kryeministres italiane Giorgia Meloni, është përpjekur të vetëvritet.
Sipas mediave vendase, 65-vjeçari ka konsumuar një sasi të madhe alkooli dhe medikamentesh, në një përpjekje për t’i dhënë fund jetës. Ai u dërgua me urgjencë në spitalin e Nolas, ku mjekët konfirmuan se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Andeo ishte mësues i gjuhës gjermane në një shkollë të mesme në provincën e Napolit, por prej disa ditësh ndodhej në qendër të një skandali, pasi në rrjetet sociale kishte bërë kërcënime të rënda ndaj vajzës së kryeministres.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik italian, përfshirë edhe nga figura politike dhe shoqërore që kanë dënuar gjuhën e urrejtjes dhe dhunën verbale, veçanërisht ndaj fëmijëve të personaliteteve publike.
Autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes dhe gjendjen psikologjike të profesor Andeos. Deri tani nuk është bërë e ditur nëse ndaj tij janë marrë masa ndëshkuese apo ndjekje penale për kërcënimet e bëra. /Versus.al







