BOTA /

Konjufca letër BE-së për deklaratën e ministres serbe: Dënoni fashizmin, mos e trajtoni thjesht si gafë

Shkruar nga Versus

Konjufca letër BE-së për deklaratën e ministres serbe:

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, në një letër drejtuar përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, kërkoi nga BE që të dënojë publikisht deklarimin fashist të ministres serbe Snezhana Paunoviç.

Konjufca tha se deklarata e ministres serbe e cila tha se po të ishte në vend të Millosheviçit do kishte kryer spastrimin etnik në Kosovë, duhet ngritur si çështje edhe në diskutimet për procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE.

Tri kërkesat e parashtruara nga Konjufca ndaj BE:

1.Të lëshohet një dënim i qartë, i fuqishëm dhe publik i deklaratës së ministres Paunoviq dhe retorikës revizioniste që ajo përfaqëson.

2.T’ua rikujtojë zyrtarisht autoriteteve serbe se deklarata të tilla janë të papranueshme dhe jo në pajtim me vlerat evropiane dhe me kërkesat për procesin e pranimit në BE.

3. Të ngrejë këtë çështje në mënyrë të duhur në kuadër të dialogut politik BE-Serbi dhe procesit të anëtarësimit, në mënyrë që Beogradi ta kuptojë seriozitetin me të cilin Bashkimi Evropian i trajton incidente të tilla.

“Një deklaratë e tillë nga një ministre në detyrë s’mund të trajtohet si gafë. E gjithë intervista ishte e mbushur me përmbajtje thellësisht revizioniste dhe armiqësore, duke pasqyruar një model më të gjerë deklaratash që vazhdojnë ta minojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja, si dhe ta gërryejnë besimin në këtë proces”- shkroi ministri mes të tjerash në letrën e tij. Versus.al

Poll