
Mediat shtetërore iraniane raportojnë se Udhëheqësi Suprem i vendit, Ajatollah Mojtaba Khamenei, ka shprehur mirënjohje ndaj popullit irakian dhe udhëheqjes fetare për mbështetjen e tyre ndaj Iranit “përballë agresionit”.
Megjithatë, nuk është bërë e ditur mënyra se si është transmetuar ky mesazh, duke shtuar edhe më shumë misterin rreth gjendjes së tij aktuale.
Vlen të theksohet se Mojtaba Khamenei nuk është shfaqur në publik dhe as nuk është dëgjuar zëri i tij që nga dita e parë e luftës, kur sipas raportimeve ai mbeti i plagosur gjatë një sulmi ajror tragjik. Në të njëjtin sulm thuhet se humbën jetën babai i tij, Ajatollah Ali Khamenei – ish-udhëheqësi suprem – si dhe bashkëshortja dhe djali i tij.
Kanë kaluar më shumë se tre javë nga emërimi i tij në krye të Iranit, por deri tani nuk është publikuar asnjë foto apo video e tij. Ai ka komunikuar vetëm përmes dy deklaratave të shkruara, çka ka ngritur dyshime dhe spekulime të shumta mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Madje, edhe fjalimi i tij i parë si udhëheqës suprem nuk u mbajt drejtpërdrejt prej tij, por u lexua nga një prezantues në televizionin shtetëror, duke thelluar më tej misterin që rrethon figurën e tij.

