Izraeli ka informuar Shtetet e Bashkuara se po kryen operacione tokësore "të kufizuara" që synojnë Hezbollahun në kufirin me Libanin, tha të hënën Departamenti i Shtetit.
"Ata na kanë informuar për një numër operacionesh. Ata na kanë thënë deri tani se këto janë operacione të kufizuara të fokusuara në infrastrukturën e Hezbollahut pranë kufirit, por ne vazhdojmë të flasim për këtë," - u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
Operacioni, "brenda disa orësh"
Aktualisht po kryhen sulme të vogla, në bazat që po braktisen nga ushtria libaneze. Por, një operacion tokësor izraelit në Liban mund të jetë i afërt, sipas kanalit amerikan CBS News. Një bastisje tokësore mund të bëhet në orët në vijim. Media të tjera amerikane si Washington Post dhe CNN, duke u mbështetur në burime anonime, gjithashtu raportuan se Izraeli kishte informuar Shtetet e Bashkuara për një operacion të planifikuar tokësor në Liban. Bastisja thuhet se synon të shkatërrojë infrastrukturën e Hezbollahut në rajonin kufitar.
Shtetet e Bashkuara kanë frikë se një operacion i kufizuar tokësor mund të kthehet në një inkursion shumë më të madh, sipas CNN. Këto shqetësime janë objekt i diskutimeve me Izraelin, raporton kanali i lajmeve.
Autoritetet e të dy vendeve nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht afërsinë e një operacioni të tillë tokësor. Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant, megjithatë, tha se së shpejti do të fillojë një fazë e re në luftën kundër milicisë libaneze Hezbollah. Izraeli së fundmi kreu sulme të mëdha ajrore kundër Hezbollahut dhe tashmë po operon me trupa tokësore në Rripin e Gazës, ku dëshiron të eliminojë lëvizjen islamike palestineze Hamas.
Ndërhyrja ushtarake izraelite në Liban 'duhet të shmanget', thotë BE
Çdo ndërhyrje e re ushtarake izraelite në Liban "duhet të shmanget", deklaroi të hënën kreu i diplomacisë evropiane Josep Borrell, pas një takimi me videokonferencë të ministrave të jashtëm të BE-së.
"Duhet të garantohet sovraniteti i Izraelit dhe Libanit. Çdo ndërhyrje e mëtejshme ushtarake do ta përkeqësojë në mënyrë dramatike situatën dhe për këtë arsye duhet të shmanget," - tha zoti Borrell në një fjalim të shkurtër të transmetuar nga Meksika. / Versus








