
Zbulimi se Michael Schumacher kishte rënë nga një kalë në lëvizje, pa pësuar lëndime serioze, pak para aksidentit fatal në një qendër skish në Francë në vitin 2013, nga i cili shtatë herë kampioni i F1 ra në koma, është bërë nga vajza e tij, Gina.
Në një intervistë për Bild, që do të transmetohet në një dokumentar të ardhshëm me titull “Kuajfuqia – Bota e Gina Schumacher”, atletja gjermane e hipizmit zbuloi mes të tjerash se babai i saj kishte pasur një aksident me kalë, por pa pasoja për shëndetin.
“Babai im dhe nëna ime ishin në Dubai. Ata vendosën të kalëronin kuaj arabë të pastër. Babai im ra nga njëri prej tyre, por pa u lënduar.”
“Do të bëhet më e mirë se ti”
Nëna e saj, Corinna, ka zbuluar gjithashtu se Schumacher i kishte thënë se vajza e tyre do të bëhej më e mirë se ajo në hipizëm.
“Michael më tha dikur kur Gina ishte dhjetë vjeç: ‘Gina do të jetë shumë më e mirë se ti, sepse është më egoiste. Nëse je sportist, duhet të jesh egoist në një mënyrë të caktuar, përndryshe nuk arrin asgjë.’ Sot mendoj se kishte të drejtë.”
Vajza e Michael Schumacher, Gina, foli hapur edhe për jetën e saj pas aksidentit tragjik të babait në ski në Francë në vitin 2013.
“Pas aksidentit të babait, u fokusova plotësisht te kuajt, sepse duhej të bëja diçka,” tha ajo në dokumentar.
“Ata më ndihmuan të përballoja gjithçka. Kuajt kanë qenë gjithmonë të rëndësishëm për mua.”
Ajo shtoi se ka punuar shumë për të vazhduar në këtë sport dhe për të arritur sa më shumë.
Nga ana tjetër, nëna e saj theksoi se Michael Schumacher gjithmonë e kishte parashikuar talentin e vajzës së tyre.

Nënë për herë të parë
Në prill të vitit të kaluar, Gina solli në jetë fëmijën e saj të parë me bashkëshortin Ian Bethke, me të cilin u martua në shtator 2024 në vilën luksoze të familjes në Majorka.
Sipas BILD, ishte “shumë e mundshme” që babai i saj të kishte qenë i pranishëm në dasmë, megjithëse kjo mbetet e pasigurt./Versus.al

