
Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar autoritetet polake se Rusia mund të jetë duke përgatitur një provokim të armatosur kundër Polonisë, me synimin për të testuar vendosmërinë dhe reagimin e NATO-s.
Sipas një raporti të medias polake Onet, Uashingtoni i ka informuar autoritetet në Varshavë se një sulm i mundshëm mund të realizohet përmes raketave ose dronëve kundër infrastrukturës kritike, apo edhe me një inkursion të kufizuar të trupave ruse në territorin polak, i cili është pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Burime pranë presidentit polak Karol Nawrocki kanë deklaruar se një skenar i tillë mund të materializohet brenda pak muajsh. Sipas tyre, qëllimi i Moskës do të ishte krijimi i tensioneve dhe ushtrimi i presionit mbi aleatët perëndimorë për të reduktuar ose pezulluar ndihmën ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën.
"SHBA-të informojnë sistematikisht Poloninë për çdo plan të ri rus për një sulm konvencional në krahun lindor të NATO-s, nga i cili Polonia nuk është në asnjë mënyrë e përjashtuar", citohet të ketë deklaruar një burim pranë presidencës polake.
Sipas shërbimeve polake të sigurisë, një sulm konvencional rus, përfshirë edhe një pushtim të kufizuar tokësor, mbetet një mundësi reale. Burimet vlerësojnë se Moska mund të përpiqet ta paraqesë një veprim të tillë si një aksident ose si pasojë e një gabimi teknik, në mënyrë që të shmangë një përshkallëzim të menjëhershëm.
Raporti përmend gjithashtu skenarë të tjerë të mundshëm, si sulme me dronë ndaj termocentraleve dhe objekteve të tjera të infrastrukturës kritike, si edhe fluturime provokuese të avionëve luftarakë pranë hapësirës ajrore polake, që do ta detyronin Varshavën të aktivizonte sistemet e saj të mbrojtjes ajrore.

