
Një zhvillim i ri tronditës ka hapur një tjetër kapitull në çështjen Jeffrey Epstein. Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se mbi një milion dokumente të reja, potencialisht të lidhura me ish-financierin e përfshirë në skandalin e madh seksual, janë zbuluar dhe i janë dorëzuar Departamentit të Drejtësisë.
Sipas njoftimit zyrtar, dokumentet do të analizohen dhe pritet të bëhen publike brenda disa javësh. Ende nuk dihet saktësisht çfarë përmbajnë këto materiale dhe nëse do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rrjetit të abuzimeve për të cilin Epstein u akuzua prej vitesh.

Ndërkohë, presioni po rritet mbi ish-princin britanik Andrew, i përmendur shpesh si një nga personat e afërt me Epstein. Disa nga viktimat kanë kërkuar që ai të merret në pyetje edhe nga drejtësia amerikane, duke argumentuar se mund të ketë informacion kyç për funksionimin e rrjetit të abuzimeve. Andrew ka mohuar vazhdimisht çdo akuzë.
Përplasje politike në SHBA për publikimin e dosjeve
Zbulimi i dokumenteve ka ndezur një përplasje të fortë politike në Shtetet e Bashkuara. Demokratët kërkojnë publikim të menjëhershëm dhe pa censurë, ndërsa Shtëpia e Bardhë ndodhet nën presion për mënyrën se si po menaxhohet çështja.
Afati për publikimin e plotë të dokumenteve, i parashikuar më 19 dhjetor, nuk është respektuar. Deri më tani janë bërë publike vetëm rreth 130 mijë dosje, proces i shoqëruar me polemika, heqje dhe ripublikime.

Trump: “Publikoni emrat, kjo është një gjueti shtrigash”
Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër, duke kërkuar publikimin e emrave të përfshirë në dosje. Në një postim në rrjetin e tij social, ai ka akuzuar demokratët për instrumentalizim politik të çështjes dhe e ka quajtur hetimin një “gjueti shtrigash”.
Trump ka deklaruar se administrata po humb kohë me një çështje që, sipas tij, përdoret për të larguar vëmendjen nga arritjet e qeverisë.

Detaje të reja nga dokumentet e burgut
Në disa prej dokumenteve të reja përfshihen edhe shënime të brendshme të institucioneve ku Epstein mbahej i paraburgosur në vitin 2019. Sipas tyre, ai kishte mohuar vazhdimisht çdo qëllim për t’i bërë dëm vetes dhe ishte përshkruar nga mjekët si i orientuar dhe në gjendje të qëndrueshme mendore.
Këto elemente pritet të rindezin debatet dhe teoritë e shumta që kanë qarkulluar prej vitesh rreth rrethanave të vdekjes së tij, një çështje që vijon të mbetet e ndjeshme dhe e diskutueshme në opinionin publik amerikan. /VERSUS

