BOTA /

Tërhiqet Trump? Sekretari amerikan i Tregtisë: "Mund të ulë tarifat ndaj Kanadasë dhe Meksikës"

Howard Lutnick foli për një marrëveshje 50-50 mes palëve të përfshira

Shkruar nga Versus

Tërhiqet Trump? Sekretari amerikan i Tregtisë: "Mund të

Donald Trump po shqyrton mundësinë e uljes së tarifave që vendosi ndaj Kanadasë dhe Meksikës dhe pritet që nesër të bëjë njoftimet përkatëse.

Kështu deklaroi ministri i Tregtisë, Howard Lutnick, i cili gjithashtu tha se nesër do të shpallet një marrëveshje kompromisi mes palëve të përfshira.

Tarifat amerikane ndaj Kanadasë dhe Meksikës, që arrijnë në 25%, hynë në fuqi të martën, duke ndezur një luftë ekonomike midis tre partnerëve tregtarë. Në të njëjtën kohë, tarifat për produktet kineze u dyfishuan në 20%.

Në një reagim të menjëhershëm, kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se vendi i tij nuk do të tërhiqet në luftën tregtare me Shtetet e Bashkuara, pas vendosjes së tarifave për importet kanadeze. "Sot, Shtetet e Bashkuara i shpallën një luftë tregtare Kanadasë, aleatit dhe mikut të saj më të ngushtë," tha Trudeau në një konferencë shtypi në Otava.

“Në të njëjtën kohë, ata po përpiqen të bashkëpunojnë me Rusinë, duke qetësuar Vladimir Putinin, një diktator gënjeshtar dhe vrasës. Gjeni logjikën në këtë”, shtoi ai. Trudeau theksoi se kanadezët janë të arsyeshëm dhe të sjellshëm, por ata nuk do të hezitojnë të mbrojnë vendin dhe mirëqenien e tyre.

Në një përgjigje praktike, qeveria kanadeze shpalli tarifa 25% për importet nga SHBA, me vlerë 30 miliardë dollarë kanadezë. Nëse tarifat amerikane vazhdojnë, brenda 21 ditësh Kanadaja do të vendosë tarifa 25% për importet shtesë të produkteve amerikane, me vlerë 124 miliardë dollarë kanadezë, tha Trudeau.

Plani përfshin tarifa 25% për një sërë produktesh amerikane, duke përfshirë ushqimin, pijet alkoolike, letër higjienike, veshje dhe këpucë, kozmetikë, mobilje, pajisje elektrike, duhan dhe lëndë druri.

Vendosja e tarifave për importet nga Meksika, partneri më i madh tregtar i SHBA-së, është “fyes, shpifës dhe i pabazë”, tha sot presidentja meksikane Claudia Sheinbaum, e cila njoftoi sot hakmarrjen “tarifore dhe jotarifore”.

Nga ana tjetër, Meksika po i "ngre dorën" Trump, pas vendimit të tij. Sipas agjencive ndërkombëtare të lajmeve, presidentja Claudia Sheinbaum do të prezantojë të dielën e ardhshme hakmarrjen që po përgatit Meksika.

“Sido që të jetë vendimi, ne kemi një plan”, kishte thënë ajo, përpara se kërcënimet e Trump për vendosjen e tarifave të zbatoheshin. “Nuk ka asnjë arsye, logjikë apo shpjegim në mbështetjen e këtij vendimi që do të prekë popullin dhe kombet tona... Askush nuk fiton”, shtoi ai.

Menjëherë reagoi edhe Kina, e cila njoftoi se do të vendosë tarifa shtesë deri në 15% për importet e produkteve kryesore bujqësore amerikane, si mishi i pulës, derrit, soja dhe viçi, si dhe do të zgjerojë kontrollet mbi transaksionet me kompanitë kryesore amerikane. Tarifat e shpallura nga Departamenti i Tregtisë do të hyjnë në fuqi nga 10 marsi, megjithëse mallrat tashmë në tranzit do të përjashtohen deri më 12 prill.

Poll