BOTA /

Thellohet skandali, autoritet franceze lëshojnë urdhër arresti dhe për vëllain e themeluesit të Telegram

Dokumenti tregon se hetimi i fshehtë francez për Telegram është më i gjerë dhe filloi muaj më herët se sa dihej më parë.

Shkruar nga B.SH
Thellohet skandali, autoritet franceze lëshojnë urdhër arresti
Pavel Durov

Autoritetet francize kanë lëshuar urdhër arresti jo vetëm për themeluesin e Telegram, Pavel Durov por edhe për vëllain e tij Nikolai në mars të këtij viti sipas një dokumenti administrativ francez, shkruan Politico.eu.

Dokumenti tregon se hetimi i fshehtë francez për Telegram është më i gjerë dhe filloi muaj më herët se sa dihej më parë.

Rasti ka të bëjë rreth refuzimit të Telegram për të bashkëpunuar me një hetim të policisë franceze për abuzimin seksual të fëmijëve.

Urdhrat e arrestit u lëshuan pasi platforma e mesazheve nuk i dha ‘asnjë përgjigje’ një kërkese të mëparshme gjyqësore për të indetifikuar një përdorues të Telegramit, sipas dokumentit që disponon Politico.eu.

Urdhër arrestet për Pavel dhe vëllanë e tij Nikolai, bashkëthemelues i platformës u lëshuan pas një hetimi të fshehtë në Telegram të udhëhequr nga dega e krimit kibernetik të zyrës së prokurorit të Parisit, gjatë të cilit një i dyshuar joshte vajzave të mitura për të dërguar "pornografi fëmijësh të prodhuar vetë", dhe më pas i kërcënonte se do ti publikonte ato në mediat sociale.

Telegram nuk iu përgjigj kërkesës së autoriteteve franceze për të identifikuar të dyshuarin. 

Përveçse theksoi mungesën e bashkëpunimit të Telegram me autoritetet, dokumenti përmend përdorimin e platformës "nga grupe të shumta kriminale" në justifikimin e tij për urdhër-arrestet për vëllezërit Durov. 

Nuk ka asnjë sugjerim që asnjëri nga vëllezërit Durov ishte i përfshirë drejtpërdrejt në ndonjë nga aktivitetet e paligjshme të identifikuara nga hetimi.

Çmimi i Toncoin, një kriptomonedhë e zhvilluar nga vëllezërit Durov, ra ndjeshëm pas publikimit të lajmit për arrestimin dhe po tregtohet rreth 20 për qind më i ulët se sa ishte të shtunën.

Në përmbledhjen e çështjes përmendet edhe nënpresidenti i Telegram, Ilya Perekopsky, megjithëse dokumenti nuk tregon nëse është lëshuar një urdhër për të.

Zyra e prokurorit në Francë nuk pranoi të komentojë urdhër arrestet ndaj dy vëllezërve Durov sepse hetimi është sekret.

Ata thanë se "veprat e ndryshme të kryera përmes Telegramit dhe që garantonin hapjen e një hetimi nga njësia e krimit kibernetik të zyrës së prokurorit publik të Parisit, përfshijnë vepra penale të pornografisë së fëmijëve (ndër të tjera).

“Në këtë fazë, i vetmi person që merret në pyetje në këtë rast është Pavel Durov”, shtoi prokuroria.

Vendndodhja aktuale e Nikolai Durov është e paqartë.

Manjati i teknologjisë me origjinë ruse – i cili ka nënshtetësi ruse, franceze dhe emirate, si dhe atë të Saint Kitts dhe Nevis, sipas dokumentit – themeloi Telegram në vitin 2013.

Që atëherë platforma ka arritur në afro një miliard përdorues globalë dhe është bërë një mjet kritik i mesazheve për disidentët politikë, gjeneralët e fushëbetejës dhe gangsterët.

Telegram refuzon  në parim  të heqë çdo postim që shkel kufizimet lokale të të folurit ose të zbulojë ndonjë të dhënë për përdoruesit e tyre për çdo qeveri.

Kremlini, i cili ka pasur një marrëdhënie të stuhishme me Durov, të martën  paralajmëroi  Francën se është më mirë të ketë prova të mira kundër shefit të Telegram.

Presidenti francez Emmanuel Macron  këmbënguli  të hënën se qeveria franceze nuk kishte asnjë përfshirje në arrestimin e Durov.

Media shtetërore ruse ka raportuar se Moska synon të kërkojë qasje konsullore. 

Shërbimi diplomatik i Emirateve të Bashkuara Arabe, nga ana e tij, ka kërkuar qasje konsullore për Durov, i cili zakonisht jeton në Dubai.

Durov ka refuzuar ndihmën e Emirateve të Bashkuara Arabe, sipas burimeve.

Marrja në pyetje e Durov do të përfundojë të mërkurën, (28 gusht) ku më pas CEO i Telegram mund të akuzohet ose lirohet./Versus.al

 

 

Poll