
Për dekada të tëra, gjeologët janë hutuar nga një nga enigmat më të vazhdueshme të Oqeanit Atlantik: pse Bermuda ndodhet kaq lart mbi dyshemenë e oqeanit përreth, edhe pse vullkanet e saj kanë qenë të heshtura për më shumë se 30 milionë vjet? Tani, një ekip shkencëtarësh amerikanë beson se më në fund e ka gjetur përgjigjen, dhe ajo ndodhet e fshehur thellë nën vetë ishullin.
Studiuesit kanë identifikuar një strukturë gjigante shkëmbore, rreth 19 kilometra të trashë – afërsisht sa gjatësia e ishullit Manhattan në New York City që ndodhet poshtë shtresës normale oqeanike.
Ky shkëmb është më i lehtë se materiali përreth dhe funksionon si një platformë notuese gjigante, duke e mbajtur të ngritur të gjithë zonën.
Sipas studiuesve, kjo shtresë u krijua 30 deri në 35 milionë vite më parë, kur magma e nxehtë nga thellësitë e Tokës u ngjit drejt sipërfaqes, u përhap poshtë kores oqeanike dhe më pas u ftoh e u ngurtësua.
Për të arritur në këtë përfundim, shkencëtarët nuk kryen shpime të reja.
Ata analizuan më shumë se 20 vite të dhënash sizmike nga dridhjet natyrore të tërmeteve, të regjistruara nga një stacion i vetëm monitorimi në ishull. Duke gjurmuar mënyrën sesi valët sizmike ndryshonin shpejtësi në shtresa të ndryshme shkëmbore, ekipi arriti të krijonte një “hartë” të strukturës deri në mbi 40 kilometra nën sipërfaqe.
Por zbulimi mund të ketë pasoja edhe për një tjetër mister të famshëm: të ashtuquajturin “Trekëndëshi i Bermudës”.
Studiuesit theksojnë se zona ka anomali natyrore gravitacionale dhe magnetike.
Në disa pjesë, graviteti është pak më i dobët se zakonisht për shkak të shkëmbinjve më të lehtë nëntokësorë, ndërsa shkëmbinjtë e pasur me hekur dhe titan mund të shkaktojnë sinjale magnetike më të forta që ndikojnë në busulla dhe pajisje navigimi megjithëse ekspertët theksojnë se këto janë dukuri krejtësisht natyrore dhe të padëmshme.
“Bermuda është një vend emocionues për t’u studiuar, sepse shumë nga tiparet e saj nuk përputhen me modelet klasike gjeologjike”, tha studiuesi William Frazer. “Kjo sugjeron se në mantelin e Tokës ekzistojnë procese që ende nuk i kuptojmë plotësisht”. Versus.al

