EKONOMI & MJEDIS /

Bypass-i i Tiranës, Karakaçi: 31% e punimeve të përfunduara, pritet financimi për 13 kilometrat e mbetur

Gjatë inspektimit të punimeve, ministri Enea Karakaçi deklaroi se Bypass-i i Tiranës është një vepër me rëndësi strategjike, pasi do të krijojë lidhje të drejtpërdrejta mes disa prej akseve kryesore rrugore dhe do të shmangë kalimin e trafikut nëpër kryeqytet.

Shkruar nga Versus

Bypass-i i Tiranës, Karakaçi: 31% e punimeve të

Punimet për ndërtimin e segmentit të parë të Bypass-it të Tiranës kanë arritur në 31% të realizimit, ndërsa autoritetet po vijojnë përpjekjet për sigurimin e financimit për pjesën tjetër të projektit.

Gjatë inspektimit të punimeve, ministri Enea Karakaçi deklaroi se Bypass-i i Tiranës është një vepër me rëndësi strategjike, pasi do të krijojë lidhje të drejtpërdrejta mes disa prej akseve kryesore rrugore dhe do të shmangë kalimin e trafikut nëpër kryeqytet.

“Bypass-i lidhet me Korridorin Adriatiko-Jonian, aksin Thumanë–Kashar, më pas me Kashar–Lekaj, autostradën Tiranë–Durrës dhe autostradën e Elbasanit”, u shpreh Karakaçi.

Aktualisht po punohet në 8.2 kilometrat e para të projektit, të ndara në dy faza. Segmenti i parë prej 4.2 kilometrash ka nisur pas lidhjes së kontratës në shtator të vitit të kaluar.

Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, bëri me dije se punimet po ecin me ritme pozitive, pavarësisht vështirësive të terrenit.

“Realizimi fizik i punimeve është 31%, ndërsa edhe në fazën e dytë vijojnë punimet e gërmimit”, deklaroi Kozeli.

Një prej veprave kryesore të këtij segmenti është ura mbi përroin e Limuthit, me gjatësi 53 metra, e cila është pranë përfundimit. Sipas inxhinierëve, ura është projektuar për të përballuar prurje ekstreme me periudhë përsëritjeje 100-vjeçare, me qëllim parandalimin e përmbytjeve.

Për pjesën e mbetur prej rreth 13 kilometrash, autoritetet kanë bërë të ditur se janë në fazën përfundimtare të diskutimeve me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për sigurimin e financimit.

Ndërkohë, ARRSH po përgatit edhe procedurat për rrugët lidhëse të zonave përreth me bypass-in, si dhe lidhjen e tij me autostradën Tiranë–Durrës dhe aksin drejt Elbasanit.

Sipas autoriteteve, dokumentacioni për aksin Kashar–Lekaj është përfunduar dhe pritet miratimi i projektit të zbatimit, ndërsa për lidhjen me autostradën Tiranë–Durrës dhe aksin e Elbasanit deri në Bradashesh, procedurat janë mbyllur dhe pritet nisja e punimeve./Versus.al

Poll