EKONOMI & MJEDIS /

Deri në 2050, llogariten 24 mld euro investime për stokun e ndërtesave të dekarbonizuara

Shkruar nga Versus

Deri në 2050, llogariten 24 mld euro investime për stokun e

Për arritjen e objektivit për dekarbonizimin e stokut të ndërtesave deri në vitin 2050 llogaritet një investim prej rreth 24 mld euro.

Shuma e investimit llogaritet i ndarë për 3 kategoritë e ndërtesave, si: ndërtesa banimi, ndërtesa publike dhe ndërtesa tregtare/private të shërbimit.

Të dhënat për vlerat totale për investime për dekarbonizimin e stokut të ndërtesave të Shqipërisë, të lidhura me objektivat e përcaktuara nga PKEK për reduktimin e emetimeve të gazeve serrë janë publikuar te vendimi “Për miratimin e strategjisë afatgjatë të rinovimit të stokut të ndërtesave” i botuar në Fletoren Zyrtare.

Nga nevojat totale për investime deri në vitin 2050, rreth 69% e totalit të fondit të llogaritur kërkohen për sektorin rezidencial, 25% për sektorin e shërbimeve komerciale/private dhe rreth 6% për ndërtesat e sektorit publik.

Në vlerë investimi për dekarbonizimin e stokut të ndërtesave rezidenciale llogariten 16,5 mld euro deri në 20250.

Në vitin 2023, numri i përgjithshëm i ndërtesave të banimit është llogaritur të jetë 632,936 (nga të cilat 450,545 ose 71,2% janë të banuara), me një sipërfaqe totale prej rreth 83,52 milionë m² (nga të cilat 56,06 milionë m² janë të banuara).

Deri në vitin 2050, numri i përgjithshëm i ndërtesave të banimit vlerësohet të arrijë në rreth 697,037 (nga të cilat 462,605 janë të zëna) me një sipërfaqe totale prej rreth 105.64 milionë m² (nga të cilat 94.92 milionë m² ose 89,9% janë të banuara). Krahasuar me 2023 numri i ndërtesave të banimit parashikohet të rritet 10%, ndërsa në sipërfaqe rritja pritet të jetë rreth 27%.

Kostoja për dekarbonizimin e ndërtesave publike llogaritet 1,45 mld euro deri në vitin 2050, nga të cilat 795 mln euro për ndërtesat e qeverisë qendrore dhe 655 mln euro për ndërtesat publike të nivelit komunal.

Në vitin 2023, numri i ndërtesave publike është llogaritur të jetë 9,492 me një sipërfaqe totale prej rreth 6.14 milionë m². Deri në vitin 2050, numri i ndërtesave publike vlerësohet të arrijë në rreth 12,950 me një sipërfaqe prej 9.97 milionë m². Krahasuar me 2023, parashikohet që numri i ndërtesave publike të rritet 36% dhe 62% në sipërfaqen totale.

Në strategji përcaktohet gjithashtu se investimi i parashikuar i pritshëm për dekarbonizimin e stokut të ndërtesave komerciale llogaritet 6 mld euro deri në vitin 2050.

Në vitin 2023, numri i ndërtesave private të shërbimit dhe ato komerciale u llogarit afërsisht 85,098 me një sipërfaqe totale prej rreth 18.96 milionë m². Deri në vitin 2050, numri i ndërtesave private të shërbimit dhe ato komerciale vlerësohet të arrijë në rreth 107,481 me një sipërfaqe prej 35.65 mln m². Krahasuar me 2023, parashikohet që numri i ndërtesave publike të rritet 26% dhe 88% në sipërfaqen totale.

Sipas të dhënave të strategjisë, stoku i ndërtesave të Shqipërisë (përfshirë stokun e ndërtesave rezidenciale, publike dhe private) ka një peshë prej rreth 37-38% të konsumit total final energjetik prej 2,194 ktoe në vitin 2023 dhe është konsumatori i parë më i madh i energjisë me 37.08% i ndjekur nga sektori i transportit me 36.56% në Shqipëri.

Dekarbonizimi i stokut të ndërtesave i referohet procesit të reduktimit ose eliminimit të emetimeve të dioksidit të karbonit (CO₂) që gjenerohen nga ndërtesat gjatë gjithë ciklit të tyre të jetës. Kjo përfshin emetimet që krijohen gjatë fazës së ndërtimit (si prodhimi dhe transporti i materialeve), gjatë fazës së operimit (për energjinë e përdorur për ngrohje, ftohje dhe ndriçim), si dhe në fazën përfundimtare të jetës së ndërtesës (siç është prishja dhe menaxhimi i mbetjeve).

Qëllimi i dekarbonizimit të stokut të ndërtesave është të arrihet kalimi drejt ndërtesave me efikasitet të lartë energjetik, me konsum të ulët karboni dhe të qëndrueshme, përmes përmirësimit të izolimit termik, përdorimit të burimeve të rinovueshme të energjisë, materialeve ndërtimore me ndikim të ulët karbonik dhe zbatimit të sistemeve inteligjente të menaxhimit të energjisë.

Ky proces është jetik për përmbushjen e objektivave klimatike, pasi ndërtesat përbëjnë një nga sektorët kryesorë që kontribuojnë në emetimet globale të gazeve serrë. Monitor.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: