EKONOMI & MJEDIS /

Investimet e huaja në vend, Holanda bie nga froni! Ja kush e zëvendëson

Stoku i investimeve turke në fund të qershorit ka arritur në 1.16 miliardë euro, në rritje me 88% krahasuar me mesin e vitit 2023.

Shkruar nga Versus

Investimet e huaja në vend, Holanda bie nga froni! Ja kush e

Holanda ka zbritur nga froni i investitorit kryesor të huaj në Shqipëri këtë vit dhe vendin e saj e ka marrë Turqia.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 6-mujorin e parë të vitit, investimet e kompanive me kapital turk arritën vlerën e 146 milionë eurove, me një rritje prej 115% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Stoku i investimeve turke në fund të qershorit ka arritur në 1.16 miliardë euro, në rritje me 88% krahasuar me mesin e vitit 2023.

Ndërmarrjet turke kanë një rol të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, sidomos në sektorin financiar, atë energjetik, në industrinë nxjerrëse apo edhe në ndërtim.

Pas Turqisë, investitori i dytë më i madh edhe për këtë vit vazhdon të jetë Italia, me një fluks total prej 95 milionë eurosh. Investimet italiane kanë rënë me 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe orientohen sidomos në aktivitetet e shërbimeve.

Stoku i investimeve italiane ka arritur tashmë në 1.59 miliardë euro, në rritje me 18% krahasuar me një vit më parë.

Bazuar në metodologjitë e përdorur për matjen e investimeve të huaja, flukset e reja vlerësohen me kursin e këmbimit mesatar të periudhës, ndërkohë që stoku vlerësohet me kursin e ditës së fundit të periudhës.

Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja në stokun e investimeve nuk lidhet vetëm nga flukset e reja, por në të duhen llogaritur edhe ndryshimet nga kursi i këmbimit, ndryshimet nga çmimi dhe ndryshimet e tjera.

Kjo nënkupton se stoku i investimeve të huaja rivlerësohet në mënyrë periodike, duke reflektuar edhe ndryshimin e çmimit të aseteve. Për këtë arsye, shpesh stoku i investimeve për një sektor apo investitor të huaj mund të rritet, pavarësisht rënies së flukseve të reja.

Holanda ka zbritur në vendin e tretë mes investitorëve të huaj këtë vit. Vlera e investimeve holandeze ra në 61 milionë euro, 52% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa stoku i investimeve holandeze ka arritur vlerën e 2.37 miliardë eurove, në rritje me 18% krahasuar me të njëjtën periudhë një viti më parë.

Investitorët e mirëfilltë holandezë në Shqipëri janë të paktë. Më i rëndësishmi mes tyre është

kompania Shell, që vlerësohet se në vitet e fundit mund të ketë rritur investimet e lidhura me shpimet në zonën e Shpiragut.

Megjithatë, përtej një roli në rritje të Shell, kryesimi i investimeve holandeze në vitet e fundit lidhet kryesisht me faktin se Holanda është një nga vendet e preferuara në Europë për të regjistruar kompani holding, me qëllim kontrollin e investimeve ndërkombëtare të grupeve të ndryshme të biznesit.

Holanda preferohet për regjistrimin e kompanive offshore, është sepse legjislacioni i atjeshëm garanton një shkallë të lartë konfidencialiteti lidhur me pronësinë e aksioneve. Edhe për këtë arsye, disa prej kompanive që kanë fituar kontrata koncesionare në Shqipëri janë regjistruar në Holandë.

Ajo është edhe një juridiksion i preferuar për regjistrimin e shoqërive holding, sepse ajo ka një rrjet t gjerë të marrëveshjeve me vende të tjera të Botës për shmangien e tatimit të dyfishtë.

Rritje të ndjeshme këtë vit kanë shënuar investimet e ndërmarrjeve franceze, për 6-mujorin arritën vlerën e 53 milionë eurove, me një rritje prej 152% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndër bizneset më të rëndësishme me kapital francez në Shqipëri miniera e bitumit në Selenicë dhe disa kompani të angazhuara në sektorin e energjive të rinovueshme.

Stoku i investimeve franceze arriti në 559 milionë euro, në rritje me 27% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Investitori i pestë më i madh i huaj për 6-mujorin është Austria, me një total investimesh prej 50 milionë eurosh, në rënie me 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Investimet austriake në Shqipëri janë të përqendruara sidomos në tregun e sigurimeve, në sektorin energjetik dhe në shërbimet e hotelerisë.

Stoku i investimeve austriake arriti në 822 milionë euro, në rritje me 6.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Monitor.al

Poll