EKONOMI & MJEDIS /

Plani i Rritjes dhe Agjenda e Reformave të Shqipërisë drejt dështimit

Shkruar nga Versus

Plani i Rritjes dhe Agjenda e Reformave të Shqipërisë drejt

Plani i Rritjes dhe Agjenda e Reformave (Plani) u prezantua nga presidentja e Komisionit Europian von der Leyen për herë të parë në Globesec në Bratislavë, në maj 2023[i]. Plani sipas von der Leyen u ndërtua mbi 4 shtylla:

Të sjellë Ballkanin Perëndimor (BP) në Tregun e Bashkuar të BE-së
Të thellojë integrimin ekonomik mes vendeve të rajonit
Të përshpejtojë reformat themelore dhe
Të shtojë fondet e paraanëtarësimit
Qëllimet në parim ishin fisnikë dhe jo vetëm të:

ngushtojë diferencat e mëdha financiare ndërmjet vendeve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor
mundësojë përfitimet e anëtarësimit në BE përpara se këto vende të anëtarësohen
krijojë një fushë me rregulla të barabarta për kompanitë e BE dhe Ballkanit Perëndimor
Në këtë mënyrë, sipas von der Leyen, ekonomitë e Ballkanit Perëndimor do të dyfishoheshin brenda dekadës, pra në 7 vjet[ii]. E gjithë kjo “përrallë ekonomike” u përball shpejt me realitetin. Që në krye, burokratët e Komisionit nuk ishin në gjendje t’i paraqisnin autorit në komunikim zyrtar[iii] në nëntor 2023, raste nëpër botë kur dyfishimi i ekonomisë së një vendi është arritur në 7 vjet.

Kjo kërkon rritje ~10% në vit. Prej atëherë, von der Leyen shprehet se dyfishimi i ekonomive do të arrihet në 10 vjet, çka kërkon rritje prej ~7% në vit[iv]. Për shkak se edhe ky nivel rritjeje është pothuaj i pamundur, “justifikimi” rafinohet më tej duke shtuar normën e inflacionit te rritja ekonomike. Në këtë rast 4% rritje reale ekonomike +3% inflacion.

Por edhe me këtë skenar, realiteti është i hidhur. Prej 2024, shifrat e rritjes ekonomike dhe inflacionit për vendet e Ballkanit Perëndimor janë si në tabelë:

Plani i Rritjes dhe Agjenda e Reformave të Shqipërisë drejt

Siç vihet re, edhe “justifikimi” për rritje 7% ku përfshihet inflacioni ka rënë.

Pse dështoi Plani i Rritjes në Shqipëri?

Problemet fillojnë që në nisje. Plani është krejtësisht jo realist. Përveç Bangladeshit, që është nisur nga bazë shumë e ulët, nuk ka raste në botë kur një vend të ketë ruajtur rritje prej 10%, qoftë dhe 7% për disa vite rresht
Plani u krijua nga Komisioni dhe Qeveria pa diskutim me ekspertë apo shoqërinë civile. Për më tepër, Plani u mbajt sekret për shumë kohë. Në favor të Komisionit dhe Qeverisë, disa vende ende nuk janë pjesë e Planit. Kështu Komisioni dështoi në zbatimin e teknikës së tij të vetme “karotë & shkop”.
Plani (Direktiva) sanksionon komunikim publik dy herë në vit mbi realizimin e objektivave. Megjithëse një numër objektivash kishin afat fundin e dhjetorit 2024, komunikimi i parë zyrtar i Komisionit ishte në tetor 2025! Qasje krejtësisht reaktive dhe kohë e humbur!

Emigracioni i vazhdueshëm i shqiptarëve shkakton rënie ekonomike! Vizitat e turistëve nëse llogarisim një qëndrim bujar prej 5 ditë/vit për çdo 12 milionë turistë janë baras me vetëm ~100 mijë banorë të përhershëm e barabartë kjo me numrat e emigrantëve çdo vit! Qartësisht, në Planin e Reformave të Shqipërisë, reformat e lehta ishin vendosur në fillim, duke krijuar një narrativë të dëshirueshme pozitive në fillim, por ulje ritmi në vazhdim.
E fundit dhe më kryesorja, Shqipëria nuk ka kryer reformat zyrtarisht sipas Komisionit. Deri më tani kemi zbatuar vetëm 21/41 reforma. Po të shtojmë këtu ~29 reforma që do të duhej të ishin kryer deri në dhjetor 2025 situata sipas një vlerësimi të shpejtë është 50/70 reforma të pakryera!
Komisioni Europian, nënvlerësoi fuqinë e forcave antireformë. Siç shprehet vetë Marta Kos, komisionerja “ballkanase” për Zgjerimin:
“E di që reformat themelore që po kërkojmë prej jush nuk janë të lehta. Ato prekin strukturat e vendosura të pushtetit, sfidojnë interesat e rrënjosura.” 

Cilat janë këto reforma që “prekin struktura të pushtetit dhe interesa të rrënjosura për të kuptuar atë që thotë Marta Kos

KLGJ, KLP dhe gjykatat të rrisin performancën, transparencën dhe ulin stokun e çështjeve gjyqësore
Ligji për PPP të përshtatet me standardet e BE-së
Anëtarët e këshillave mbikëqyrës të kompanive shtetërore të zgjidhen me meritë/transparencë
Të digjitalizojë proceset doganore
Të sekuestrohen dhe përdoren pronat e krimit të organizuar
Të zbatohet një sistem i hershëm kombëtar për paralajmërim mbi drogat
Të zbatojë strategjinë për parandalimin e pastrimit të parave
Të bëhen publike të gjitha shpenzimet në nivel qendror dhe lokal
Të rritet transparenca mbi pronësinë e mediave
Të zbatohet reforma energjetike (do të shkaktonte 2-3-fishim të çmimeve të energjisë për familjet. Familjen e pamundura duhet të mbështeten nga shteti)
Banorët të lejohen të organizohen që të mund të investojnë në parqe energjie fotovoltaike.
95% e shkollave të lidhen me internet me shpejtësi 30 mbps
Të zbatojë legjislacionin e BE-së për kërkimin dhe inovacionin
Të zbatojë plan veprimi kundër korrupsionit
Të digjitalizojë të gjithë sistemin kadastral
Të lehtësojë procedurat administrative dhe burokratike dhe inspektimet për bizneset
Këto janë vetëm 16 nga 143 reforma që duhen zbatuar deri më 31 gusht 2027. Deri më tani, kur jemi në gjysmën e rrugës, kemi realizuar vetëm 21/143! Me këtë ritëm, në rastin më të mirë, anëtarësimi në BE shtyhet deri më 2033. Pjesa tjetër që duhen kryer janë edhe më të fuqishme dhe prekin interesa tepër të mëdha.

Pavarësisht dëshirës për optimizëm, mundësia që Plani i Rritjes të marrë një kthesë të fuqishme drejt realizimit duken pothuaj të pamundura në situatën e tanishme. Pesimizmi shtohet edhe më tej kur mendon se nuk po kryejmë as reforma për të cilat paguhemi. Për herë të parë në historinë e BE-së, vendet e Ballkanit Perëndimor paguhen për kryerjen e reformave, në rastin e Shqipërisë përfitimi gati ~900 milionë euro grante dhe kredi të buta.

Nëse nuk kryejmë reforma për të cilat paguhemi, imagjino të tjerat që kanë të bëjnë me Interim Benchmarks IBAR (standardet e ndërmjetme). Pa kryer IBAR nuk mund të mbyllet asnjë kapitull negociatash! E vetmja rreze shprese është se deri më tani jemi përpara vendeve të tjera në zbatimin e Planit, por prapa Malit të Zi, i cili tashmë ka miratuar IBAR.

Bashkimi Europian po bie në grackën e një narrative pozitive vetëkënaqësie çka vihet re edhe në çështje të tjera që prekin Unionin. Marta Kos, si “ballkanase” e largët, duhet ta dijë se në këtë rajon duhet të kesh “karotë të madhe” dhe “shkop” edhe më të madh nëse vërtet dëshiron të pranojë Ballkanin Perëndimor dhe Shqipërinë në BE.

Nëse Bashkimi Europian vërtet dëshiron të vazhdojë të përdorë “stick and carrot”, si levën e ushtrimit të ndikimit dhe fuqisë së tij, duhet të largojë frikën krejtësisht teorike se Shqipëria do të shkonte në drejtim të ndonjë fuqie tjetër botërore dhe jo në BE, nëse nuk do të “llastohej e merrej me të mira”.

Në rast se ndokush vërtet do të provonte ta dërgonte Shqipërinë në “krahët” e fuqive të tjera, do të mjaftonte që BE t’u drejtohej qartë dhe drejtpërdrejt shqiptarëve, të tregonte me emër dhe për turp dhe problemi do të zgjidhej nga këta të fundit. Monitor.al

Poll