EKONOMI & MJEDIS /

Rikthehet dimri? Bora dhe shiu përfshijnë Shqipërinë sot, zonat kritike - VIDEO

Reshje shiu në pjesën më të madhe të vendit dhe borë në zonat malore mbi 700 metra

Shkruar nga Versus

Rikthehet dimri? Bora dhe shiu përfshijnë Shqipërinë sot,

Ditën e shtunë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, duke sjellë një mot tipik pranveror, me alternime vranësirash, kthjellimesh dhe reshjesh shiu në pjesën më të madhe të territorit. Tempraturat në Bajram Curri, Dibër e Korçë do të rikthehen në vlera negative, duke shënuar -1 gradë Celsius. 

Sipas parashikimit, vranësirat do të jenë mesatare deri të dendura gjatë ditës, por herë pas here do të ketë edhe intervale me kthjellime. Reshjet e shiut do të nisin që në orët e para të 24-orëshit përgjatë vijës bregdetare, ku do të jenë të herëpashershme dhe me intensitet kryesisht të ulët, duke vijuar deri në orët e mëngjesit.


Gjatë pjesës së dytë të ditës, reshjet e shiut do të përfshijnë pjesën më të madhe të territorit të vendit, gjithashtu me intensitet të ulët. Në zonën perëndimore priten edhe shtrëngata afatshkurtra, të cilat do të jenë të shpejta dhe lokale. Në orët e mbrëmjes reshjet do të tërhiqen gradualisht nga pjesa më e madhe e territorit, duke mbetur kryesisht në zonën jugperëndimore dhe me intensitet të dobët.

Ndërkohë, në zonat malore rikthehen reshjet e borës. Në Alpe dhe në zonat verilindore, në lartësitë mbi 700–900 metra, priten reshje bore me intensitet të ulët deri mesatar. Po ashtu, reshje bore priten edhe në zonat lindore dhe juglindore në lartësitë mbi 900–1000 metra.

Sa i përket erës, ajo do të fryjë me drejtim verilindje – veriperëndim me një shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Në lugina, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore, era herë pas here do të forcohet, duke arritur shpejtësi deri në 15 m/s.

Në përgjithësi, dita e sotme pritet të jetë me mot të paqëndrueshëm, me reshje të herëpashershme dhe temperatura tipike pranverore, ndërsa në zonat malore dimri duket se nuk është larguar ende plotësisht. / VERSUS

Poll