EKONOMI & MJEDIS /

Shqipëria drejt monitorimit të transaksioneve me kriptovaluta, projektligji i ri parashikon raportim vjetor dhe gjoba deri në 1 milion lekë

Shkruar nga Versus

Shqipëria drejt monitorimit të transaksioneve me kriptovaluta,

Ministria e Financave ka nxjerrë për konsultim publik një projektligj të ri, i cili parashikon vendosjen e një sistemi të detajuar raportimi për transaksionet me kripto-asete, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Sipas draftit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të jetë institucioni përgjegjës për mbledhjen, përpunimin dhe shkëmbimin e informacionit me autoritetet tatimore të vendeve anëtare të BE-së për transaksionet me kriptovaluta.

Projektligji detyron ofruesit e shërbimeve të kripto-aseteve të identifikojnë rezidencën tatimore të klientëve përmes vetëdeklarimit, ku do të kërkohen të dhëna si emri, adresa, shteti i rezidencës, numri i identifikimit tatimor dhe data e lindjes.

Për subjektet juridike do të verifikohen gjithashtu pronarët përfitues dhe personat që ushtrojnë kontroll mbi kompaninë.

Platformat do të raportojnë çdo vit pranë Tatimeve shkëmbimet mes kripto-aseteve dhe monedhave tradicionale, transaksionet nga një kripto-aset në një tjetër, si edhe transferimet drejt ose nga kuletat dhe llogaritë digjitale të përdoruesve.

Raportimi do të përfshijë vlerën totale të transaksioneve, numrin e njësive të kripto-aseteve, blerjet, shitjet dhe transferimet drejt adresave digjitale që nuk lidhen me një ofrues të njohur shërbimesh financiare.

Gjithashtu do të raportohen edhe pagesat për mallra ose shërbime me kripto-asete, kur vlera e një transaksioni kalon 50 mijë dollarë ose ekuivalentin e kësaj shume në një monedhë tjetër.

Sipas projektligjit, raportimi do të kryhet çdo vit deri më 30 qershor, ndërsa operatorët do të jenë të detyruar të ruajnë dokumentacionin për të paktën shtatë vjet dhe ta vënë atë në dispozicion të Tatimeve kur kërkohet.

Drafti parashikon masa edhe ndaj përdoruesve që refuzojnë të japin informacionin e kërkuar. Nëse pas dy njoftimeve dhe 60 ditëve nga kërkesa fillestare nuk dorëzohen të dhënat, platformat do të detyrohen t'u bllokojnë përdoruesve kryerjen e transaksioneve deri në plotësimin e detyrimeve.

Ofruesit e shërbimeve të kripto-aseteve do të regjistrohen pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe do të pajisen me NIPT, ndërsa Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të informojë Tatimet për çdo licencë, pezullim apo revokim të autorizimeve të këtyre subjekteve.

Për shkeljet e detyrimeve ligjore, projektligji parashikon gjoba nga 700 mijë deri në 1 milion lekë për mosraportim, mosregjistrim ose pengim të kontrolleve.

Ndërsa raportimi i të dhënave të pasakta, mosverifikimi i klientëve apo mosruajtja e dokumentacionit do të ndëshkohet me gjoba nga 300 mijë deri në 700 mijë lekë.

Megjithëse ligji pritet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, zbatimi i tij do të nisë vetëm në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

 

 

Poll