EKONOMI & MJEDIS /

Zona bregdetare së shpejti furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm, Balluku inspekton punimet  

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e AKUK, Klevis Jahaj inspektuan punimet për ndërtimin e rrjetit të ri të transmetimit të ujit në zonën e Dukatit të Vlorës. Sipas Ballukut, ky është një ndër projektet e rëndësishme që AKUK është duke zhvilluar pasi i shërben një prej zonave kryesore turistike.

Shkruar nga Versus

Zona bregdetare së shpejti furnizim të pandërprerë me

Zona bregdetare e Draleos, Drimadhes dhe Dhërmiut shumë shpejt do të ketë një furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm, falë projekti që Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve është duke zbatuar.

Investimi nis në zonën e Tragjasit, ndërsa përmes rrjetit të ri që po ndërtohet do të bëhet e mundur furnizimi i zonës bregdetare me ujë të pijshëm.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e AKUK, Klevis Jahaj inspektuan punimet për ndërtimin e rrjetit të ri të transmetimit të ujit në zonën e Dukatit të Vlorës. Sipas Ballukut, ky është një ndër projektet e rëndësishme që AKUK është duke zhvilluar pasi i shërben një prej zonave kryesore turistike.

“Nga Dukati do të furnizojmë me ujë zonën e Palasës, Dhërmiut, Gjilekës, Kondraqit, të gjithë pjesën e konsideruar si një nga zonat zhvillimore më të rëndësishme të nuklave të turizmit në jug, që tashmë edhe me tunelin e Llogarasë do të zhvillohet akoma dhe më tepër për shkak të aksesit infrastrukturor që ka”.

Ministrja u ndal edhe tek reforma e qeverisë në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve dhe theksoi se po punohet edhe për uljen e humbjeve teknike, një problematikë e mbartur në vite në këtë sektor.

“Që reforma është e mirë, këtë nuk e diskuton më askush, sepse flasin numrat, flasin shifrat dhe kur flasin shifrat dhe kur ke përmirësim të kushteve financiare të këtyre ndërmarrjeve të cilat ishin kthyer në ndërmarrje debitore të cilat krijonin vetëm probleme për palët e treta, duke nisur nga OSHEE-ja, duke nisur me taksat lokale dhe gjithçka tjetër, është e padiskutueshme. I referohemi shifrave, kemi përmirësim të kushteve financiare, kemi përmirësim të shërbimit, kemi përmirësim të fizibilitetit të investimeve dhe siç e the edhe vetë, kemi një koordinim të jashtëzakonshëm të projekteve”.

Ndërtimi i rrjeti të furnizimit me ujë të zonave bregdetare, Draleos, Drimadhes dhe Dhërmi është një projekt i shtrirë në dy bashki, Vlorë dhe Himarë. 2300 banorë, 3200 punonjës që shërbejnë në njësitë hoteliere të zonës si dhe më shumë se 65 mijë turistë do të jenë përfitues të këtij investimi.

 

Poll