
Tiranë- Mbledhja e komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut u përfshi sot nga debatet mes deputetëve socialistë dhe atyre demokratë lidhur me agjendën e rendit të ditës dhe ligjet e përcaktuara për t’u kaluar për votim në Kuvend.
Deputetja demokrate, Dhurata Çupi nënvizoi se për ligje të tilla kaq me rëndësi duhet të kenë kohën e tyre të diskutimit dhe se nuk mund të kalohen për votim në Kuvend pa pasur një debat të gjerë mbi ta.
“Është shqetësim që në këto nëntë pika të rendit të ditës ku secili ligj është më i rëndësishëm se tjetri, nuk mund të bëjmë këtu sikur po kalojmë ligje. Nëse u është dhënë porosi nga ndonjë qeveritar, merreni këtu dhe kalojeni. Por nëse do të jemi seriozë, duhet të jemi të përgjegjshëm sa i takon këtyre ligjeve shumë të rëndësishme. Vetëm këtë vit jemi mbledhur disa herë në Këshillin e Legjislacionit për të adresuar vendime të Kushteteses. Nuk mund të bëjmë këtu sikur i shikojmë rrugës, do duhet të kenë rëndësinë e tyre, shkurtoni rendin e ditës sepse nuk mund të kalojnë ligjet kështu dhe më pas i rrëzon Gjykata Kushtetuese. Sot do duhej të diskutonim vendimin e GJK për studentët e mjekësisë të cilin nuk e kemi në program”- u shpreh Çupi.
Më tej, deputeti socialist Ergys Çyrbja reagoi mbi deklaratën e Çupit sa i takon investimit në infrastrukturën e shkollave, duke përmendur disa prej shkollave në Durrës të cilat janë rikonstruktuar plotësisht nga qeveria.
“Jeni e ftuar të vini me mua dhe të shihni infrastrukturën dhe investimet e bëra në shkollat e Durrësit”- shtoi ai.
Nga ana tjetër, kryetarja e komisionit Klotilda Bushka kërkoi që një çështje e tillë të mos përfshihej në debatet e rendit të ditës, ndërsa tha se për arsimin do duhej të bëhej një seancë dëgjimore e posaçme lidhur me investimet infrastrukturore.
Në rendin e ditës të komisionit janë 7 projektligje dhe 2 akte normative për t’u miratuar, konkretisht:
1. Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10 465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
2. Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar.
3. Aktnormativ nr. 3 datë 28.8.2024.”Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024””,të ndryshuar.
4. Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar
5. Projektligj “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”
6. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi) dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (huadhënësi), për financimin e projektit “Një hua për politika publike për të mbështetur aftësinë përtëritëse dhe zhvillimin e gjelbër të Shqipërisë””.
7. Projektligj “Për një shtesë në ligjin nr. 43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë””
8. Aktnormativ nr. 2 datë 1.8.2024.”Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.123/2014, “Për urdhrin e mjekëve në Republikën e Shqipërisë”
9. Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Versus.al







