Kreu i prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka i cili u arrestua mëngjesin e sotëm me urdhër të SPAK kishte kaluar vettingun vetëm një muaj më parë. Më 28 qershor, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e kishte konfirmuar në detyrë duke e vlerësuar pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe kriterin e pasurisë.
Ndërsa mësohet se për të kishte pasur 4 denoncime të ndryshme nga qytetarë të cilët i kishin dorëzuar materialet në KPK. Procesi i vlerësimit të pastërtisë së figurës për prokurorin Zarka u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relator Roland Ilian dhe anëtare Genta Tafa Bungon. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Marie Tuma.
Aurel Zarka e ka filluar karrierën e tij në sistemin e drejtësisë si oficer i Policisë Gjyqësore në vitin 2004 pranë ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Zarka e ushtronte profesionin e prokurorit që prej vitit 2012. Ndërsa në maj të vitit 2022 mori postin e kreut të prokurorisë së Vlorës.
Sipas detajeve të mësuara lidhur me arrestimin e Zarkës, ndaj tij rëndon akuza për veprën penale "Ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike" dhe u arrestua së bashku me 2 avokatë dhe një ish-oficere gjyqësore. Dyshohet se me veprimtarinë e tij Zarka ka ndikuar në prishjen e provave për hetimet mbi pronat në bregdet. Versus.al







