Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama dhe liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor kanë marrë pjesë në një samit të përbashkët me liderët e BE-së në kuadër të 10 vjetorit të Procesit të Berlinit të nisur në 2014-ën me qëllim përshpejtimin e procesit të integrimit në BE. *Gjatë këtij takimi në Berlin, u nënshkruan dy marrëveshje, njëra për rritjen e aksesit në institucionet e arsimit të lartë në rajon dhe tjetra për një treg të përbashkët rajonal me qëllim rritjen e zhvillimit ekonomik. *Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen bëri me dije se paketa e ndihmës prej 6 miliardë eurosh për 6 vendet e rajonit, do të jepet në fund të këtij viti. Secila prej vendeve do të përfitojë 1 mld dollarë ndihma nga BE në kuadër të Planit të Rritjes Ekonomike. *Nga ana tjetër, kancelari gjerman Olaf Scholz duke e cilësuar Ballkanin Perëndimor si pjesë të familjes europiane tha se shpreson që vendeve të rajonit, të mos u duhen edhe 10 vite të tjera për t’u anëtarësuar në BE.
6 mld euro për Ballkanin Perëndimor, Von Der Leyen zbulon kur shpërndahet fondi! Scholz: Uroj mos t'u duhen 10 vite për t'u anëtarësuar

Brenda fundit të këtij viti pritet të nisë shpërndarja e fondit prej 6 miliardë eurosh nga Plani i BE-së për Rritjen Ekonomike të Ballkanit Perëndimor. Lajmi u bë me dije se presidentja e KE, Ursula von der Leyen në një konferencë të përbashkët për shtyp që pati me kancelarin gjerman Olaf Scholz menjëherë pas përfundimit të samitit të Procesit të Berlinit.
Von der Leyen tha gjatë kësaj jave mund të miratohen agjendat e reformave të vendosura si kusht për përfitimin e fondeve nga Plani i Rritjes Ekonomike. I vetmi vend që duhet të presë është Bosnja Hercegovina pasi nuk ka adresuar ende të gjitha sugjerimet e dhëna nga Komisioni Evropian.
"Ne i kërkuam partnerëve tanë të zhvillojnë Axhendën e tyre të Reformës sipas Planit të Rritjes. Sot kam kënaqësinë të raportoj se pesë nga gjashtë axhendat e reformave do të miratohen këtë javë. Kjo do të thotë që pagesat nga Plani i Rritjes mund të fillojnë të rrjedhin para fundit të vitit. Kjo nuk do të ishte e mundur kurrë pa Procesin e Berlinit. Pra, puna e vështirë e Procesit të Berlinit është një histori suksesi. Është një rrugë me erë. Por ne po ecim përpara", tha Von der Leyen.
Duke i cilësuar shtetet e Ballkanit Perëndimor si pjesë të familjes evropiane dhe si të domosdoshëm në lulëzimin e ekonomisë, Scholz tha se shpresonte që rajonit të mos i duhet edhe 10 vite për t’u anëtarësuar në BE. Versus.al
VIDEO/ Gati për foton familjare, por Rama shumë i përqendruar te biseda me Von der Leyen, afron dhe Kurtin me Orbanin
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Gjermani, aty ku po mbahet takimi i radhës në kuadër të 10-vjetorit të Samitit të Berlinit.
Në nisje të takimit, ashtu siç e parashikon dhe agjenda është mbajtur edhe fotoja familjare e takimit. Siç shihet në videon e publikuar nga Kryeministria, Rama shfaqet krah kryetares së Komisionit Europian, Ursula Von del Leyen, i cili diçka i shpjegon me shumë frymëzim.
Nga ana tjetër, gjatë kësaj fotoje, shihet edhe një detaj ku Rama ndal homologun e tij shqiptar, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe e afron për një bashkëbisedim me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.
Procesi i Berlinit hyn në vitin e 11-të, çfarë (nuk) është arritur deri më tani
Liderë të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të disa vendeve të Perëndimit, do të mblidhen të hënën në kryeqytetin gjerman, me ftesë të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scolz, për t’i diskutuar objektivat e radhës në kuadër të Procesit të Berlinit.
Organizohet prej vitit 2014, me iniciativë të kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel, pas një pauze të vendosur nga zyrtarë të Bashkimit Evropian në proces të zgjerimit të bllokut evropian.
Procesi i Berlinit nuk e ka një strukturë fikse, pra nuk e ka një mekanizëm qendror koordinues, dhe mbahet në vende të ndryshme.
Ndër vite, takimet janë mbajtur në Tiranë, Londër, Paris, Vjenë apo Poznan.
Nuk ka as mekanizëm ndëshkues.
Përveç Qeverive të vendeve të Ballkanit – Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës - dhe 10 vendeve partnere perëndimore, në takimet e Procesit të Berlinit marrin pjesë edhe institucionet e Bashkimit Evropian, institucionet financiare ndërkombëtare dhe organizata rajonale.
Ai është zgjeruar ndër vite, dhe derisa të mbahet samiti kryesor, sikurse ky i 14 tetorit, përgjatë vitit mbahen edhe një mori takimesh në nivele ministrore, si dhe shumë evente anësore me fokus në fushën digjitale, biznesore, të rinjtë, shoqërinë civile, çështjet gjinore dhe konferencat shkencore.
Në faqen zyrtare të platformës thuhet se “Procesi i Berlinit i ndihmon Ballkanit Perëndimor dhe banorëve të saj të jenë më të afërt me njëri-tjetrin”.
E vërtetë që takimet e liderëve të Ballkanit janë bërë të shpeshta dhe fotografitë e tyre të përbashkëta janë kthyer në diçka normale.
Megjithatë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë konsideruar me raste pengesë në zbatim të disa marrëveshjeve.
Njëjtë, edhe mosnjohja e shtetësisë së Kosovës nga ana e Bosnje e Hercegovinës, ka penguar marrëveshje tjera. Njëra prej tyre është ajo për lëvizje të lirë.
Banorët e dy vendeve vazhdojnë të pajisjen me viza nëse duan të vizitojnë njëri-tjetrin.
Përveç përmirësimit të bashkëpunimit rajonal, synim tjetër i Procesit të Berlinit është edhe rritja e bashkëpunimit të Ballkanit me BE-në, në mënyrë që rajoni të ketë standarde evropiane, dhe që banorët e Ballkanit të shohin rezultate konkrete.
Nisma është e fokusuar në zhvillim ekonomik, siguri energjetike, agjendë të gjelbër, partneritet për klimën, rritjen e lidhjeve në rajon përmes projekteve infrastrukturore dhe përfshirjen e e plotë të komuniteteve në procese shoqërore.
Ndër marrëveshjet më me nam janë ato për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe ajo që njihet si ‘Agjenda e Lishshmërisë” për përshpejtim të rritjes ekonomike dhe krijim të vendeve të punës përmes lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave.
Asnjëra prej tyre nuk është zbatuar pikë për pikë.
Marrëveshja për “roaming” apo heqjen graduale të tarifave për telefoninë mobile dhe internetin, ka hyrë në fuqi në vitin 2023.
Njohësit e çështjeve politike kanë përmendur lansimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal 2.
Rruga për arritje të marrëveshjes është zhbllokuar pasi Kosova ka hequr ditë më parë një ndalesë në mallrat prej Serbisë, në pikëkalimin në Merdare.
Zyrtarët gjermanë në veçanti i kanë bërë thirrje të vazhdueshme Kosovës që të hiqte atë masë, me argumentin se po shkelte Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), dhe se po rrezikonte pjesëmarrjen në nismat rajonale.
Masat kufizuese u vendosën në qershor të vitit 2023, pas arrestimit të tre policëve kosovarë nga autoritetet serbe. Zyrtarët policorë u liruan ndërkohë, por masa mbeti në fuqi.
Zyrtarët evropianë përmendin vazhdimisht nevojën e kryerjes së reformave të nevojshme nga vendet e Ballkanit, në mënyrë që rajoni të integrohet sa më shpejt në Bashkimin Evropian dhe Rusia të mos ketë asnjë mundësi për destabilizim as të këtij rajoni, por as të BE-së përmes tij.
Aktualisht vetëm Kosova nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndonëse ka aplikuar zyrtarisht për t’u bërë anëtare, në dhjetor të vitit 2022./ REL
Në fokus tregtia rajonale e arsimi! Rama sot në Gjermani, shënohet 10-vjetori i Procesit të Berlinit (Agjenda)
Kryeministri Edi Rama dhe liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor udhëtojnë sot drejt Gjermanisë, në kuadër të 10-vjetorit të Procesit të Berlinit. Ky takim pritet të jetë i rëndësishëm për vendet për shkak se është parashikuar nënshkrimi i një deklarate të përbashkët që në fokus do të ketë një plan të ri veprimi për një treg të përbashkët rajonal. Gjithashtu, do të nënshkruhet një marrëveshje për rritjen e aksesit në institucionet e arsimit të lartë në rajon.
Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian. Procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor (BP) i nisur në gusht 2014, ka në themel të tij bashkëpunimin rajonal dhe mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin e tyre drejt hyrjes në BE.
Krahas gjashtë vendeve të BP (Bosnja – Herzegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria) në këtë proces marrin pjesë BE dhe 10 vende anëtare të tij, nën drejtimin e Gjermanisë.
Samiti i fundit i Procesit të Berlinit u mbajt më 16 tetor 2023 në Tiranë, për herë të parë jashtë kufijve të BE./Versus.al







