Live Updates /

13 ton “vdekje e ëmbël” kancerogjene në tregun shqiptar, Shalsi: Pse KLSH na e tha tani? Sinaj: Çështje e mbyllur në 2021-shin

*13 ton akullore me lëndë kancerogjene janë tregtuar në vend gjatë vitit 2021, fakt i bërë publik ditën e djeshme nga kreu i KLSH-së, Arben Shehu. *Versus.al ka shqyrtuar këtë raport ku gjetjet thonë se AKU nuk ka bërë pothuajse asgjë për të tërhequr sasinë e kontaminuar *Ky lajm është kthyer në qendër të debateve dhe tek Komisioni i Ekonomisë dhe Financave *Kreu i komisionit, Eduard Shalsi ka pyetur sepse ky fakt u bë i ditur pas 3 vitesh *Arben Shehu, kreu i KLSH-së deklaroi se situata është më shumë se sensitive, por e rëndësishme për shëndetin publik. *Gjithashtu dhe deputeti socialist, sipërmarrës dhe pronar i një rrjeti zinxhir marketesh deklaroi se çështja është e shkuar dhe se AKU asokohe mori masa. *Opinioni publik është tronditur nga neglizhenca e autoriteteve shqiptare në lidhje me garantimin e sigurisë ushqimore, ndërsa në komision janë lexuar dhe disa mesazhe të qytetarëve

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*13 ton akullore me lëndë kancerogjene janë tregtuar në vend gjatë vitit 2021, fakt i bërë publik ditën e djeshme nga kreu i KLSH-së, Arben Shehu. *Versus.al ka shqyrtuar këtë raport ku gjetjet thonë se AKU nuk ka bërë pothuajse asgjë për të tërhequr sasinë e kontaminuar *Ky lajm është kthyer në qendër të debateve dhe tek Komisioni i Ekonomisë dhe Financave *Kreu i komisionit, Eduard Shalsi ka pyetur sepse ky fakt u bë i ditur pas 3 vitesh *Arben Shehu, kreu i KLSH-së deklaroi se situata është më shumë se sensitive, por e rëndësishme për shëndetin publik. *Gjithashtu dhe deputeti socialist, sipërmarrës dhe pronar i një rrjeti zinxhir marketesh deklaroi se çështja është e shkuar dhe se AKU asokohe mori masa. *Opinioni publik është tronditur nga neglizhenca e autoriteteve shqiptare në lidhje me garantimin e sigurisë ushqimore, ndërsa në komision janë lexuar dhe disa mesazhe të qytetarëve

4 Postime
7 MUAJ ME PARE

Akulloret kancerogjene, qytetarët mesazhe deputetëve: Motra dhe vëllai me kancer brenda 1 viti, a mbani përgjegjësi?!

13 ton “vdekje e ëmbël” kancerogjene në tregun
Eduard Shalsi

Debate ka pasur edhe sot në Komisionin e Ekonomisë dhe Financat, në lidhje me tregtimin të 13 ton akulloreve me lëndë kancerogjene në Shqipëri. Pas raportimit të ditës së djeshme nga kreu i KLSH-së Arben Shehu se gjatë vitit 2021 në vend janë shitur 13 tonë akullore të kontaminuara dhe se AKU nuk ka marrë asnjë masë për tërheqjen e tyre nga tregu, ai është pyetur sërish sot në lidhje me këtë çështje. Kreu i këtij komisioni, Eduard Shalsi ka këmbëngulur më së shumti tek arsyet se pse zoti Shehu zgjodhi ta bënte publikisht të ditur faktin ditën e djeshme, ndërsa ky i fundit replikoi se situata është më shumë se sensitive, madje shumë e rëndësishme duke parë situatën mjeësore në Spitalin Onkologjik. Ai madje theksoi se ky fakt është bërë publik dhe në raportin e KLSH-së të vitit 2021.

Por Shalsi sërish i është rikthyer alarmit që ka ndezur tek njerëzit ky fakt duke lexuar dhe mesazhet që i kanë shkuar nga qytetarë të shumtë.  

“Më jep pak këto pyetjet dhe shqetësimet e qytetarëve…I nderuar kryetar, Vullnet dëgjoje pak, ime motër dhe im vëlla në vitin 2022 dhe 2023 janë diagnostikuar me kancer, ndërkohë mësoj se në vitin 2021 një autoritet shqiptar nuk ka kryer detyrën konform ligjit. Dëgjova dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit të tregojë efektet e lëndës kancerogjene që ka akullorja, jam jo thjesht e alarmuar por dhe e terrorizuar për të gjetur të vërtetën. A keni përgjegjësi ju deputetët për këtë? E kemi ndjekur që në 2021 këtë histori, por sot mësuam që autoriteti nuk ka kryer kontrollin konform ligjit, ju takon juve për të zbuluar si është e vërteta por dhe për të gjetur dhe vënë përballë ligjit, shkelësit e ligjit”.

Ndërkohë Shalsi pas publikimit të këtij mesazhi i është drejtuar sërish kreut të KLSH-së: Dje është hedhur bombë, shashkë, quajeni si të doni. Pse u bë tani publik ky fakt dhe a janë dërguar tek autoritetet përkatëse gjetjet tuaja? Në fakt raporti, i bërë publik dhe nga Versus sqaron se autoritetet nuk lëvizën gishtin për të tërhequr lotin e kontaminuar me lëndë kancerogjene të 13 tonë akullore e cila ësht shitur e gjitha në tregun shqiptar./ Versus.al

7 MUAJ ME PARE

Deputeti dhe sipërmarrësi Vullnet Sinaj: Historia e akulloreve, e mbyllur që në 2021-in. Mos i fryni kot

13 ton “vdekje e ëmbël” kancerogjene në tregun

Deputeti socialist Vullnet Sina, njëkohësisht pronar i rrjetit të supermarketeve “Big Market teksa foli për raportin e KLSH ku thuhej se 13 ton akullore me lëndë kancerogjene kanë hyrë në Shqipëri në 2021-in, tha se një çështje e tillë është mbyllur që para 3 viteve dhe kërkoi që këtij problemi "të mos i fryhet aq shumë".

Gjatë mbledhjes në komisionin e ekonomisë dhe financave, Sina tha se pasi kompania që kishte prodhuar akulloret, njoftoi këtë përmbajtjen e tyre kancerogjene, AKU i tërhoqi nga tregu, ndërkohë që raporti i KLSH tregon se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Meqenëse kam edhe një biznes në këtë sektor. Historia e akullores është historia e një loti të prodhuar nga fabrika e asaj firme që është transportuar në të gjithë Evropën dhe jo vetëm në Shqipëri. Menjëherë u njoftua autoriteti i AKU dhe ka bërë tërheqjen e menjëhershme nga tregu. Mos t’i fryjmë këtij problem kaq shumë, kur nuk është vetëm problem ynë. Nuk u prodhua në Shqipëri, nuk e la AKU vetëm këtu. Është një problem që ka qenë në të gjithë Europën. Kjo histori është mbyllur që në 2021-in, nuk ia vlen më të diskutohet”- tha Sina.

Ndërsa më vonë iu kërkua llogari kryetarit të KLSH, Arben Shehu pse ky fakt u bë publik prej tij ditën e djeshme, ndërsa ai u përgjigj se raporti i është dorëzuar Kuvendit që në vitin 2021, por nuk ishin marrë masat. Versus.al

7 MUAJ ME PARE

Akulloret me lëndë kancerogjene, 'halli' i Shalsi te alarmi në publik: Pse e thatë dje? Shehu: Po na fyeni, raporti që në 2021-in

13 ton “vdekje e ëmbël” kancerogjene në tregun
Arben Shehu dhe Eduart Shalsi

Pas raportit që KLSH publikoi dje ku u ngrit alarmi për hyrjen në Shqipëri në 2021-in të akulloreve të kontaminuara me përmbajtje të lartë oksidi etileni, lëndë që shkakton kancer, sot ka pasur debate me tone të larta në komisionin e ekonomisë.

Kryetari i komisionit, Eduart Shalsi, i kërkoi llogari kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehut se përse kjo gjë u bë publike dje kur lënda ka hyrë në Shqipëri që prej vitit 2021. Shehu iu përgjigj duke thënë se raporti është dorëzuar në Kuvend që në vitin 2021.

Versus.al publikoi më herët raportin e siguruar të përpiluar nga KLSH-ja në 2021, ku qartazi, sipas këtij institucioni, autoritetet bënë pak ose aspak për të dhënë alarmin për sasinë e konsiderueshme të akullores me përmbajtje të lartë oksidi etileni që kishte hyrë ndërkohë në treg nga dy kompani. Në 32 faqe raport, jo vetëm përshkruhet auditimi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, por dhe vonesat e habitshme në vënien në funksion të strukturave që për detyrë kanë pikërisht ruajtjen e mbrojtjen e konsumatorit.

Pjesë nga debati në komision:

Shalsi: Ballafaqimi që ne na lind tani e tutje është çfarë kanë bërë vendet e tjera kur kanë marrë këtë njoftim. Dje shqiptarët dëgjuan nga viti 2021 se çfarë pasojash mund të ketë sjellë kjo. Madje dëgjuan efektet e lëndës konkrete. Pse e çmuat të mos ta sillnit verbalisht në 2022-in dhe 2023-in por e thatë dje?

Kryetari i KLSH: Kjo është fyese jo vetëm për mua por për institucionin.

Spaho: Ju po i bëni presion në mënyrë të turpshme

Kreu i KLSH: Ne e kemi shprehur një shqetësim institucional për një situattë që na shërben të gjithëve. Nuk duam të ngarkojmë situatën e onkologjikut.

Shalsi: Nuk iu pyeta për Onkologjikun por pse në 2024-ën e thatë këtë për akulloren?

Kryetari i KLSH: Është trajtuar për shkak të rëndësisë që ka nevoja emergjente e një analize për situatën me sëmundjet tumorale. Është bërë me konstatimin që kemi bërë në një moment të mëparshëm për këtë produkt. Nuk ka të bëjë me situatën aktuale. Nëse i referoheni mangësisë tonë që ne e kemi shprehur vetëm tani, kjo nuk është e drejtë sepse e kemi transmetuar në institucion rekomandimet tona. Secili prej institucioneve duhej të merrte masat e duhura. Nëse vlerësoni që ne çdo lloj konstatimi, ta trasmetojmë këtu, ne jemi të gatshëm. Kemi situata me risk të lartë që kërkojnë zgjidhje.

Shalsi: Ka disa çështje për të cilat duhet të ngrihemi të gjithë në këmbë. Dje është përhapur një panik dhe njerëzit janë shumë të shqetësuar dhe të alarmuar. Ndaj edhe unë kam detyrimin t’i përgjigjem një lajmi që ju dhatë dje dhe prandaj iu pyeta. Nuk është aspak qëllimi im, se e dëgjova raportin tuaj. Një pjesë e jona është e vetëdijshme për përgjegjësitë që kemi. Pyetja e dytë është kallëzimi penal për Onkologjikun. Thatë se ka një kallëzim penal, por na thoni kur është bërë ky kallëzim penal.

Kryetari i KLSH: Në radhë të parë raporti iu është vënë në dispozicion në vitin 2021.

Gjatë diskutimeve, Shalsi tha se do të ketë një platformë të qeverisë për monitorimin e auditimeve të institucioneve publike, për të pasur nën mbikëqyrje shkeljet e përmendura në raportet e tyre. Nga ana tjetër deputetja e opozitës Jorida Tabaku e cilësoi këtë si përpjekje për ndërhyrje në punët e institucionit të pavarur. Versus.al

7 MUAJ ME PARE

Raporti i KLSH / Si ju la 13 ton “vdekje e ëmbël” kancerogjene në duar shqiptarëve

13 ton “vdekje e ëmbël” kancerogjene në tregun

Rreth 13 ton akullore me oksid etileni janë shitur vitet e fundit në Shqipëri. Lajmin e bujshëm e riktheu në vëmendje kreu i KLSH-së, Arben Shehu, gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave.

13 ton “vdekje e ëmbël” kancerogjene në tregun

Versus. al ka siguruar raportin tronditës të përpiluar nga KLSH-ja në 2021, ku qartazi, sipas këtij institucioni, autoritetet bënë pak ose aspak për të dhënë alarmin për sasinë e konsiderueshme të akullores me përmbajtje të lartë oksidi etileni që kishte hyrë ndërkohë në treg nga dy kompani. Në 32 faqe raport, jo vetëm përshkruhet auditimi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, por dhe vonesat e habitshme në vënien në funksion të strukturave që për detyrë kanë pikërisht ruajtjen e mbrojtjen e konsumatorit. Por më parë, le të kuptojmë pse oksidi etilenit është kaq i rrezikshëm…

Çfarë është oksidi i etilenit

13 ton “vdekje e ëmbël” kancerogjene në tregun

Mes viteve 2020 dhe 2021, në disa shtete evropiane, shumë produkte ushqimore si akullore të paketuara, fara susami, erëza të ndryshme dhe suplemente u tërhoqën nga tregu. Arsyeja e tërheqjeve të konsiderueshme ishte prania, përtej kufijve ligjorë, të oksidit të etilenit. Kjo substancë, është e ndaluar në Evropë që nga viti 1991 për shkak se është potencialisht kancerogjene. Ajo përdoret ende në vende si India, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja për produkte të ndryshme ushqimore, të cilat importohen edhe në kontinentin e vjetër. Por Bashkimi Evropian ka qenë i qartë për përdorimin e oksidit të etilenit në ushqim: ushqimet e pasigurta nga importet duhet të hiqen nga zinxhiri i furnizimit ushqimor dhe të hidhen në përputhje me legjislacionin evropian. Më tej, nga viti 2022 kufiri maksimal i etilenoksidit të toleruar në aditivë është 0.1 mg/kg.

13 ton “vdekje e ëmbël” kancerogjene në tregun

Oksidi i etilenit është një dezinfektues i gaztë, i përdorur në mënyrë industriale për aftësinë e tij për të frenuar dhe vrarë bakteret, kërpudhat dhe viruset. Këto veti e kanë bërë atë, në sektorin ushqimor, një alternativë ndaj pasterizimit, veçanërisht për ushqimet termo-lëvizëse, pra ato që preken nga temperaturat e larta të procesit të pasterizimit. Por oksidi i etilenit në të njëjtën kohë, klasifikohet si kancerogjene, gjenotoksike dhe mutagjene për njerëzit.

 

Raporti i KLSH

13 ton “vdekje e ëmbël” kancerogjene në tregun

Fillimisht njoftimet nga Sistemi RASFF (sistemi i informimit të shpejtë për ushqim dhe ushqim për kafshë) mbi prezencën e substancës së paautorizuar (oksid etileni) në akulloret e prodhuar në Francë, u bënë për vendet anëtare të BE, por edhe vendet jo anëtare që kanë marrëveshje me këtë organizatë duke përfshirë edhe Shqipërinë.  

AKU-ja, asaj kohe e drejtuar nga Bledar Skenderi, u njoftua mbi prezencën e substancës së paautorizuar të “oksid etilenit” në stabilizuesin lygomme, i përdorur për prodhimin e akullores nga Franca.

13 ton “vdekje e ëmbël” kancerogjene në tregun

Njoftimi i parë është bërë nga autoriteti i sigurisë ushqimore në Spanjë, i cili ka raportuar prezencën e substancës së paautorizuar të oksidit të etilenit në përbërësit e akulloreve, për disa lote të importuara edhe në vendin tonë, përgjatë periudhës Mr-maj 2021 nga fabrika e prodhimit të akulloreve ‘Bn’, ‘Sn’, dhe ‘Tx’ në Francë.

13 ton “vdekje e ëmbël” kancerogjene në tregun

Në këtë periudhë, sipas deklarimeve të AKU, kanë hyrë në vendin tonë 35.984.53 kg, nëpërmjet importit nga dy distributorë të këtyre lloj akulloresh me lotet e deklaruar nga sistemi RASFF (sistemi i informimit të shpejtë për ushqim dhe ushqim për kafshë) me prezencë të oksidit të etilenit.

E që këtu nis odiseja e akulloreve. Kontrolli Lartë i Shtetit në auditim vlerëson se në vendin tonë kanë hyrë 38,721.45 Kg, pra gati 3 ton më shumë sesa raporton AKU-ja.

13 ton “vdekje e ëmbël” kancerogjene në tregun

Nga shqyrtimi i komunikimit me e-mail të strukturave përgjegjëse pranë AKU-së për raportimet e RASFF dhe njoftimeve zyrtare të shfaqura në faqen zyrtare të saj, rezulton se: Më datë 27 korrik 2021 ora 15:58, Sistemi RASFF ka informuar shtete të ndryshme, ku përfshihet edhe Shqipëria (si shtet distributor) për praninë e oksidit të etilenit në akulloret e importuara.

Sektori i informimit të shpejtë dhe mbikëqyrjes së tregut (sektori i aktivitetit shkencor dhe komunikimit me RASFF) në dy raste, nuk ka përcjell njoftimin e datës 27.07.2021 ora 15:58 dhe datës 29.07.2021 të RASFF, strukturave përgjegjëse të AKU-së, e cila si institucion deri në deri në përfundim të periudhës së auditimit datë 07 gusht 2021, nuk pati evidencë mbi informimin e publikut, në lidhje me sigurinë ushqimore për produktet që kanë qarkulluar me probleme, sipas njoftimit të RASFF.

KLSH-ja vlërëson se nga Drejtori i Përgjithshëm i AKU nuk ka nxjerrë një urdhër i brendshëm për 12 Drejtoritë Rajonale të Ushqimit, me qëllim kryerjen e inspektimeve dhe ndjekjen e gjurmueshmërisë së produktit “Akullore” deri tek subjektet fundore të furnizuara me këtë produkt

13 ton “vdekje e ëmbël” kancerogjene në tregun

Nga përllogaritja e grupit të auditimit të KLSH, të sasisë së importuar rezulton se janë importuar 2.7 Ton më shumë akullore, nga deklarimi i bërë nga AKU

Nga përllogaritja e grupit të auditimit të KLSH, të sasisë së konsumuar rezulton se janë konsumuar 2 Ton më shumë akullore, nga deklarimi i bërë nga AKU.

Dy ditë pas njoftimit të parë, më datë 29 korrik 2021, Sistemi RASFF ka informuar 47 vende të ndryshme të botës, duke përfshirë edhe Shqipërinë, mbi kontaminimin e përbërësit Lygomme FM 4600 me Etilene Oxid, të disa loteve  të akulloreve Tx, Sn dhe Bn të prodhuara në fabrikën Mr në Francë.

Por, përsëri ku alarm ka rënë në vesh të shurdhët, duke mos ndezur ende “motorët e reagimit” në mbrojtje të qytetarëve…

Ndërsa në datën 30 korrik të 2021, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur dokumenta që kanë ardhur dy njoftime gjatë ditës, duke çuar kështu në 4 numrin e sinjalizimeve.

Dhe vetëm pak para mesnatës së 30 korrikut të 3 viteve më parë, rreth orës 23:49:50, specialistja e sektorit të aktiviteteve shkencore dhe komunikimit me RASFF i ka dërguar e-mail me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit të Riskut dhe Koordinimit të Kontrollit Zyrtar, duke e informuar mbi njoftimin e datës 29korrik 2021, nga sistemi RASFF i kategorisë: Alert me temë: “Substancë e paautorizuar oksid etileni në stabilizuesin lygomme të përdorur për prodhimin e akullores nga Franca”.  

‘Më datë 30.07.2021 ora 23:49:50, specialistja e sektorit të aktiviteteve shkencore dhe komunikimit me RASFF znj. P.D i ka dërguar e-mail z. H.A me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit të Riskut dhe Koordinimit të Kontrollit Zyrtar në AKU, duke vendosur në “ç” edhe Drejtorin e Përgjithshëm të AKU-së, duke e informuar mbi njoftimin e datës 29/07/2021, nga sistemi RASFF i kategorisë: Alert me temë: “Substancë e paautorizuar oksid etileni në stabilizuesin lygomme të përdorur për prodhimin e akullores nga Franca”, me numër reference 2021.3976, në të cilin Shqipëria është etiketuar për ndjekje, fup2. ‘ – thuhet në raportin e KLSH-së.  

Në ditët në vijim, institucioni i ka nisur një shkëmbim e-mailesh mes tyre, por ndërkohë sasia e akulloreve duket se kishte nisur të “avullonte”, nga magazinat drejt pikave të shumicës dhe pakicës, e kësisoj drejt e në duart e konsumatorëve. Dhe ajo çka e rëndon situatën në raport lidhet me faktin që veç një e-mail të brendshëm, nuk u njoftuan drejtoritë lokale të AKU-së të ushtronin krontrolle urgjente dhe të këputej zinxhiri i shpërndarjes shpejt pa shkuar akulloret masivisht në duart e qytetarëve, që nga fëmijët deri në pleqtë. Nga ana tjetër, thekson raporti, as qytetarët nuk u njoftuan për rrezikun në qytetet ku ishte shpërndarë akullorja e kontaminuar.        

Pas këtij momenti dhe në zbatim të përcaktimeve ligjore, Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së, duhet të nxjerrë një urdhër të brendshëm, ku të urdhëroj 12 Drejtoritë Rajonale të AKU-së, për kryerjen e inspektimeve jashtë planit të miratuar me qëllim: 1. Gjurmimin e plotë të produktit akullore, tek subjektet në tregun shqiptar, të cilat janë furnizuar me këtë produkt;

2. Subjektet fundore që janë furnizuar me produktin “akullore”, a janë njoftuar nga furnitori i tyre i parë (M.D/R);

3. Nëse po, a janë njoftuar të gjithë subjektet;

4. Nga dita që janë njoftuar, a kanë shitur akullore;

 5. A i kanë veçuar nga ambjentet e tregëtimit, akulloret jo të sigurta për konsum njerëzor;

6. Në datën që janë njoftuar nga furnitori i tyre, a ka patur konsumator të cilët kanë blerë akullore, dhe nëse po, a i ka marrë masat e nevojshme subjekti, që të njoftojë me të gjitha mënyrat konsumatorin, që mos ta konsumojë akulloren;

7. A po e respektojnë detyrimin ligjor subjektet për kthimin e akullores në furnitorin e tyre. Këtë veprim Drejtori i Përgjithshëm nuk e ka bërë - vijon më tej raporti i KLSH.

13 ton “vdekje e ëmbël” kancerogjene në tregun

Një shkelje tjetër e evidentuar lidhet dhe me procesin e asgjesimit të akullores që duhej të dilte nga tregu.

Gjithashtu konstatohet se në praktikën e inspektimit nuk administrohet dokumenti i transferimit të mbetjeve në Landfillin e Bushatit, në të cilin përcaktohen qartë detyrat për gjeneruesin e mbetjeve, transportuesin, pranuesin (pra personi përgjegjës në Landfillin e Bushatit).”  - thuhet në raport

Ndërkohë, nga rakordimi i të dhënave me hyrje-daljet e tonelatave të akulloreve, kreu i KLSH-së thotë se rreth 13 ton kanë mbeten tek konsumatorët, që me gjasë e kanë konsumuar këtë sasi. Për këtë dosje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka paditur në Prokurori ish-drejtues të AKU-së si dhe një grup punonjësish./ Versus.al    

 

Poll