Çfarë do të gjeni në brendësi
*Ashtu siç e kishin paralajmëruar, banorët e fshatit Rrjoll të Velipojës ditën e sotme e zhvendosën protestën e tyre para godinës së SPAK-ut ku kërkuan drejtësi për pronat e tyre të cilat janë zaptuar nga biznesmeni Bashkim Ulaj. *Me pankarta në duar, ata kërkuan drejtësi dhe ndalimin e punimeve të cilat po kryhen nga firma ‘Gener 2” e Bashkim Ulajt, i cili ka në plan të ndërtojë aty një resort luksoz pasi u shpall ‘investitor strategjik’. *Banorët pretendojë se pronat u përkasin atyre dhe se i kanë të trashëguara dhe të dokumentuara që prej kohës së monarkisë të drejtuar nga mbreti Zog. *Protestës iu bashkua edhe deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi i cili tha se Bashkim Ulaj po kryen paligjshmëri duke qenë se shkalla e parë e gjykatës iu kishte dhënë të drejtë banorëve.
'Nuk është investitor strategjik, por grabitës prone'/ Avokati: Bashkim Ulaj falsifikoi dokumentet që banorët e Velipojës s’i bënë dot për vite

Banorët e fshatit Baks-Rrjoll në Velipojë vijuan edhe sot, për të tretën ditë radhazi, protestat kundër ndërtimit të një resorti luksoz, duke akuzuar ndërtuesin dhe botuesin Bashkim Ulaj për grabitje pronash përmes falsifikimit të dokumenteve.
Avokati Ndue Pjetri, i cili përfaqëson banorët, deklaroi për “Studio Live” në Report TV se pronat janë në posedim të banorëve prej më shumë se 100 vitesh, por sipas tij, shteti nuk u ka pajisur asnjëherë me certifikata pronësie. Ai shpjegoi se në vitin 1995 banorët kanë marrë vetëm vërtetime të faktit juridik, ndërsa jo tituj pronësie.
Sipas Pjetrit, në vitet 2018–2019 një person i quajtur Fatmir Shpellzaj ka pretenduar pronësinë mbi tokat, duke deklaruar se i përkisnin gjyshit të tij, pretendim që avokati e cilëson të pabazuar.
Avokati akuzon se Shpellzaj, në bashkëpunim me Bashkim Ulajn, kanë falsifikuar dokumente për të përfituar pronësinë e tokës ku ka nisur ndërtimi i resortit. Ai thekson se çështja duhet të hetohet nga SPAK, pasi sipas tij në këtë proces dyshohet për përfshirje edhe të gjyqtarëve.
Pjetri u shpreh se dokumentet e pronësisë janë siguruar brenda një viti, ndërkohë që banorët, pavarësisht dokumenteve të hershme që nga viti 1937, nuk kanë arritur ta përfitojnë pronësinë për dekada me radhë.
Ai shtoi se banorët janë të gatshëm të respektojnë vendimet e institucioneve, nëse vërtetohet e kundërta e pretendimeve të tyre, por nënvizoi se sipas tij nuk bëhet fjalë për një investitor strategjik.
“Ky nuk është investitor strategjik, por grabitës prone me resort. Nuk mund të pretendohet se gjithçka është në rregull vetëm duke vendosur tabela ndërtimi brenda natës për të krijuar një perceptim të rremë,” u shpreh avokati.
Avokati Pjetri: Duke vepruar krimi, bandat e Shkodrës bashkë me Fatmir Shpellzën, bashkë me ndërtuesin, Bashkim Ulajn. Të tre së bashku i kanë falsifikuar këto dokumente, nuk është se i ka bërë një i vetëm. Ai në vitin 2018 është kujtuar, i ka thënë ai Bashkim Ulaj a ke mundësi ta marrësh, nëse e merr, po e marr unë se jam drejtori i hipotekës, si s’e marr? E kishte mundësinë dhe mbështetjen. Si përfundim ka bërë letrat dhe i bëri për një vit. Pra këta kanë që në vitin 1994 dhe s’kanë arritur t’i bëjnë, po këtë pronë që e kishin me vendim të faktit juridik dhe dokumente të vitit 1937, nuk arritën ta merrnin dhe e merr ky për një vit. Nuk ka nevoje SPAK-u fare të pyesë. Të bëjë kërkesë a kallëzim, por sa të vihet në dijeni, ka të drejtën e tij për të filluar. Këta tre gjyqtarë që dhanë vendimin për një vit, janë të implikuar se po të dojë SPAK-u t’i hyjë, i hyn dhe thotë këta tre gjyqtarë kanë marrë nga 20 mijë metër tokë, nuk e kanë marrë në emrin e vet, por të tjetrit dhe fare mirë SPAK-u mund t’u thotë, hajde këtu more zotëri, si u bëre pronar ti për 20 mijë metër?”/Versus.al
Banorët e Rrjollit protestojnë për grabitjen e tokave, Gener 2: Do të vijojmë punimet për ngritjen e resortit!
Dhjetëra banorë të fshatit Rrjoll në Velipojë u mblodhën sot para godinës së SPAK-ut për të protestuar kundër ndërtimit të resortit luksoz “Blue Borgo” në tokat që ata pretendojnë si pronë private të trashëguar brez pas brezi.
Protestuesit kanë pasur përplasje të herëpashershme me policinë në zonën ku kompania “Gener 2” e biznesmenit Bashkim Ulaj ka nisur punimet për projektin në një sipërfaqe prej 146 hektarësh pranë Ranës së Hedhun. Ulaj dhe dy vëllezërit e tij u shpallën investitorë strategjikë në dhjetor 2024.
Por pavarësisht protestave dhe denoncimeve të banorëve, kompania “Gener 2” përsëriti sot qëndrimin e saj të prerë: projekti do të vijojë sipas planit.
Në një deklaratë zyrtare, kompania thekson:
-Projekti “Blue Borgo”, i zhvilluar nga shoqëria “Aba Blue Borgo” sh.p.k., është plotësisht në përputhje me të gjitha ligjet dhe aktet nënligjore shqiptare.
-Nga faza e konceptimit deri te leja e ndërtimit në dhjetor 2025, janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore në mënyrë transparente, pa asnjë kontestim gjyqësor apo problematikë.
-Të gjitha institucionet kompetente kanë dhënë miratimin e tyre, me dokumentacion të plotë teknik, ligjor dhe mjedisor, përfshirë dëgjesat publike me banorët.
-Asnjë e drejtë pronësie nuk është cenuar dhe projekti mbështetet vetëm në vendime të formës së prerë të gjykatave në të gjitha shkallët.
Çdo pretendim tjetër për shkelje ligjore është “spekulativ dhe dezinformues”, sipas kompanisë.
“Gener 2” garanton se do të realizojë projektin brenda afateve, duke respektuar standardet më të larta të ndërtimit të qëndrueshëm dhe duke e kthyer “Blue Borgo” në një destinacion turistik kryesor për zonën e Velipojës.
Ndërkohë, banorët vazhdojnë të kërkojnë ndërhyrje urgjente nga SPAK dhe institucionet për të mbrojtur tokat e tyre, duke paralajmëruar protesta të mëtejshme nëse punimet nuk ndalen./Versus.al
Deputeti Muçi krah protestuesve para SPAK: Gjykata u ka dhënë të drejtë, por Bashkim Ulaj vijon ndërtimet

Deputeti i Lëvizjes “Bashkë”, Redi Muçi është shfaqur krah banorëve të Rrjollit që protestuan sot përpara SPAK-ut për zaptimin e tokave ku do tëndërtohet resorti luksoz i biznesmenit Bashkim Ulaj.
Muçi tha se shkalla e parë e gjykatës u ka dhënë të drejtë banorëve, ndërsa ende nuk ka vendim të Apelit. Sipas tij, ndërtimet nga Bashkim Ulaj janë të kundraligjshme pasi nuk ka ndonjë vendim gjykate në favor të tij.
“Kjo çështje fatmirësisht është në gjykatë, fatmirësisht shkalla e parë u ka dhënë të drejtë banorëve. Kështu që duhet pritur edhe vendimi i Apelit për të dhënë një vendim përfundimtar. Ajo që po ndodh aktualisht është shkelje e ligjit sepse firma e Bashkim Ulajt është duke ndërhyrë dhe ndërtuar kur nuk ka një vendim gjykate. Kështu që për këtë duhet të merren masa sipas ligjit”- u shpreh deputeti. Versus.al
“Do vijë dita që të na marrin dhe varret”, protestuesi: Të babëziturit s'po na lënë të jetojmë në Shqipëri
Njëri prej dhjetëra banorëve që u mblodhën për protestë sot para SPAK-ut, ka shprehur indinjatën e tij për faktin se dokumentet që ata kanë prej 90 vitesh, nuk hyjnë në punë përballë planit të biznesmenit Bashkim Ulaj për të ndërtuar resort në tokat e tyre në Rrjoll të Velipojës.
Banori tregoi dokumentin e tokës së trashëguar brez pas brezi, ndërsa tha se me këto veprime po shtyhen që të braktisin vendin, kur nuk duan ta bëjnë diçka të tillë.
“Kush të jetë shqiptar që e ka njohur ligjin e mbretit Zog, këtu është dokumenti. Urdhëroni, filmoni, nëse dalin fallco këto unë do largohem familjarisht nga Shqipëria se do ta mallkoj që ka mbajtur letrat tash e 100 vite. Është 91 vjeçare kjo letër që ka mbajt gjyshi, se e ka ditur që do vijë kjo kohë. Këta kujtojnë se ne jemi të trashë, jemi botë e tretë. Por nuk jemi të tillë, jemi njerëz si ju. Duam të jetojmë në Shqipëri, dua të jetoj në tokën time. Këta nuk të lënë mor zotëri, këta do vijë dita që do na marrin edhe varret. Kaq të babëzitur janë këta?”- tha banori mes të tjerash. Versus.al
Zaptimi i pronave për ndërtimin e resortit të Bashkim Ulajt, banorët e Rrjollit protestojnë para SPAK

Dhjetëra banorë të fshatit Rrjoll të Velipojës kanë zhvilluar sot një protestë para godinës së Prokurorisë së Posaçme për ndërtimin e resortit luksoz në toka për të cilat thonë se janë pronë e tyre.
Prej ditësh banorët janë përplasur me policinë në vendin ku po zhvillohen punime nga firma “Gener 2” e biznesmenit Bashkim Ulaj i cili ka në plan ndërtimin e një resorti luksoz në një sipërfaqe prej 146 hektarësh.
Ulaj së bashku me dy vëllezërit e tij u shpallën investitor strategjikë në dhjetor të vitit 2024. Versus.al

