Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit sot në SPAK për herë të dytë për të respektuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar nga Apeli i GJKKO më 3 janar për çështjen “Partizani”. *Ashtu si herën e kaluar që lexoi mesazhet e nxjerra nga përgjimet e Sky Ecc ku sipas tij Balla komunikonte me anëtarë të bandës së Suel Çelës për zgjedhjet parlamentare, këtë herë Berisha ka publikuar përgjime lidhur me dosjen “Toyota Yaris” ku sipas tij sërish përmendet emri i ministrit. *Berisha lexoi përgjimet e ish-oficeres së OPGJ, Erjona Daupaj e cila është marrë e pandehur, ku përmendte emrin e Ballës dhe faktin se nëse sekuestronte shumën e gjetur në “Toyota Yaris” do t’i hapeshin probleme atij. *Ish-kryeministri paralajmëroi publikimin e përgjimeve edhe për zyrtarë të tjerë, por fillimisht tha se do të merrej me Ballën, ndërsa nuk la pa akuzuar edhe SPAK-un se po përpiqet të mbyllë dosjet ku shfaqet ministri.
“Tao thotë se i ka në rregull letrat”, Berisha publikon përgjime nga “Toyota Yaris”: Si u përpoqën të shpëtonin Ballën
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka vijuar me publikimin e materialeve për të cilat pretendon se janë përgjime të “Sky Ecc” të cilat implikojnë ministrin Taulant Balla.
Këtë herë ka lexuar bisedat mes të pandehurve për dosjen “Toyota Yaris”. Sipas Berishës, ish-oficerja e OPGJ, Erjona Daupaj ishte në dijeni për faktin se shuma e parave të transportuara me Toyota Yaris, ishte për Ballën dhe se çështjen do ta zgjidhte me djegien e afateve të sekuestros.
Pjesë nga përgjimet e publikuara nga Berisha:
Erjona Daupaj: Do ta çoj për sekuestro, nuk do i bëj nder Ballës. Po e çova për sekuestro komplikohet puna, se do ia marrin.
Astrit Vladi (pritësi i parave): Mirëmbrëma, ok shoku! Kur e paskan sjellë
Radovan Çela: Këto ditë, po më pyet do jetë prapë Balla apo do jesh ti?
Vladi: Ok se flas unë, por të na tregojë mënyrën sesi do e mbyllë
Në këtë moment Radovan Çela i dërgon mesazhin që ka marrë nga Erjona Daupaj e cila e informon sesi do mbyllet duke e nxjerrë procedurën jashtë afateve ligjore. E kuptoni sesi i mbrojnë kriminelët këta horra? Vazhdojmë më tutje..
Erjona Daupaj: Përse i duket e pavlerë situata? Do e pësosh keq thuaj, do i biesh kokës me grushta
Radovan Çela: Nga Tao.. dhe thotë se i ka në rregull letrat
Daupaj: Kishte të drejtë bundra (mendoj se është një nga prokuroret këtu të SPAK), nuk duhej toleruar që në fillim, aty ku do shkojë ai do ia djegin letrat me benzinë se bundra luan edhe me Taon. Kësaj radhe tha do ia marr. Nuk dua të armiqësohet me policinë, i dola borxhit Taos.
Teksa mbylli fjalimin e tij para mbështetësve të mbledhur para SPAK, Berisha tha se në vazhdim do të ketë denoncime të tjera, por vetëm pasi të publikojë faktet e tjera për ministrin Taulant Balla.
Ndërkohë, sa i takon dosjes “Toyota Yaris”, SPAK ka dërguar për gjykim 4 persona, mes tyre edhe ish-kryeprokurorin e Vlorës Aurel Zarka i cili shfaqet në përgjimet e Sky Ecc duke u përpjekur të ndikonte hetimet ndaj të arrestuarve.
Të pandehur janë edhe avokatët Astrit Vladi e Radovan Çela si dhe ish-oficerja e OPGJ, Erjona Daupaj. Katër të pandehurit janë përfshirë në tentative të paligjshme për të ndihmuar kushërinjtë Ervis e Alfred Vladi të dënuar për mosdeklarm në kufi të 3.4 milionë eurove që gjendeshin brenda makinës “Toyota Yaris” në qershor të 2018-ës. Versus.al
“Frikacakët kanë sjellë policë”, Berisha: Skapi i partisë do përfundojë në kosh plehrash
Ashtu si herën e kaluar edhe këtë herë pasi doli nga SPAK ku ishte për masën “detyrim paraqitje”, Sali Berisha mbajti një fjalim para mbështetësve të tij të mbledhur për protestë.
Me akuzat ndaj kreut të SPAK Altin Dumani, Berisha vijoi me deklaratat e forta kundrejt Prokurorisë Speciale duke u shprehur se “do përfundojë në kosh”.
“Shikoni çfarë turpi janë. E kanë rrethuar me policë, çfarë frikacakësh! Ata që kanë kryer krime, kanë frikë. Këtu në dalje po ua lexoj pak shënimin, kartolinën e mëngjesit që u dërgova krerëve të organizatës kriminale “SKAP-I i partisë”. Organizata kriminale e SKAP-it të partisë e organizuar në luftë kundër opozitës, e kryesuar nga Altin Lala, do të ketë atë fund që kanë patur të gjitha veglat e diktaturës në çdo kohë. Do përfundojë në koshin e plehrave të shoqërisë dhe historisë”- tha kryedemokrati.
Lajmi në përditësim…
Berisha në SPAK sot për të dytën herë brenda muajit, demokratët mblidhen në protestë
Sot kryedemokrati Sali Berisha paraqitet në SPAK në respektim të masës “detyrim paraqitje” të caktuar nga Apeli i GJKKO ditë më parë.
Ashtu si herën e parë që u paraqit këtë muaj, Berisha ka thirrur sërish protestë para Prokurorisë së Posaçme.
“Të dashur miq. Ditën e hënë është data e radhës e përcaktuar për tu paraqitur kryetari i PD-së Prof.Dr. Sali Berisha në SKAP. Ndaj në ora 9:30 përsëri të gjithë në protestë përpara SKAP-it si vegël në duart e Ramës për të përndjekur kundërshtarët politik. Faleminderit”, thuhet në mesazhin e shpërndarë me strukturat e PD.
Herën e kaluar ish-kryeministri doli nga SPAK dhe mbajti fjalim para gazetarëve të cilëve u lexoi edhe disa prej atyre që sipas tij ishin komunikime në Sky Ecc të ministrit Taulant Balla me bandat e Elbasanit me qëllim fitoren në zgjedhjet parlamentare 2021.
Pasi u lirua nga arresti shtëpiak në nëntor të vitit të kaluar, SPAK kërkoi rikthimin e tij nën atë masë sigurie. Por Apeli i GJKKO vendosi që ndaj ish-kryeministrit të caktohet “detyrim paraqitje”, gjë të cilën vetë Berisha e konsideroi si “krim kushtetues”. Versus.al







