Çfarë do të gjeni në brendësi
*Tensionet mes Izraelit dhe Iranit po arrijnë kulmin. Irani lëshoi 100 raketa drejt Jerusalemit dhe Haifas, duke vrarë 4 persona, mes tyre edhe një 20-vjeçare, dhe plagosur 14 të tjerë. *Si kundërpërgjigje, Izraeli bombardoi depot e naftës Shahran, selinë e Ministrisë Iraniane të Mbrojtjes, impiantet e gazit South Pars, si dhe baza ushtarake, duke eleminuar edhe 9 shkencëtarë bërthamorë, 20 komandantë dhe 2 gjeneralë të lartë. *Nga ana tjetër, Irani deklaron se ka shënjestruar pikat e furnizimit me karburant të avionëve të Izraelit, ndërsa kryeministri Netanyahu mblodhi urgjent kabinetin e sigurisë dhe urdhëroi sulme ajrore nga ajri dhe deti. *Edhe Jordania mbylli hapësirën ajrore, ndërsa alarmi u lëshua nga Haifa në Jerusalem. *Ndërkohë, Presidenti i Iranit Masoud Pezeshkian paralajmëroi se sulmet e Izraelit do të marrin përgjigje “më të ashpër” nga Teherani, ndërsa Netanyahu u shpreh se “Izraeli do të sulmojë çdo vendndodhje që Irani përdor për sulmet e tij.” *Ndiqni zhvillimet Minute pas Minute të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Konflikti Izrael-Iran, mblidhet G7-ta! Trump, i vetmi që mund ta ‘qetësojë’ Netanyahun
Samiti i G7-ës, i zhvilluar në Kanada nga 15 deri më 17 qershor, ka ndryshuar rrënjësisht fokusin e tij. Nga çështjet e Ukrainës dhe luftës tregtare të Donald Trump, tani gjithë vëmendja është drejtuar te përplasja e nxehtë në Lindjen e Mesme, që rrezikon të përfshijë botën në një krizë të re.
Grupi i shtatë fuqive më të mëdha perëndimore — Britania, Franca, Gjermania, Italia, Kanadaja, Japonia dhe SHBA — kërkojnë që Uashingtoni të luajë rol kyç. Dhe këtu hyn Donald Trump, i cili shihet si i vetmi lider me ndikim të vërtetë mbi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, pavarësisht se Izraeli nisi sulmet pa mbështetjen e qartë amerikane.
Liderët e G7 e kuptojnë rrezikun e përshkallëzimit: një luftë më e madhe do të godasë sigurinë globale dhe do të rrisë çmimet e naftës, duke përkeqësuar edhe më shumë situatën ekonomike.
Ndërsa kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron kërkojnë qetësim dhe dialog, kryeministri japonez Shigeru Ishiba dënon ashpër sulmet e Izraelit, duke i cilësuar “të papranueshme”. Ndërkaq, Trump e ka përshëndetur veprimin izraelit si “të shkëlqyer”.
Samiti në Alberta pritet të jetë një arenë e nxehtë diplomatike për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit në një luftë më të gjerë. Versus.al
Irani arreston dy persona të akuzuar për spiunazh në favor të Izraelit
Irani ka ndaluar dy persona të dyshuar për spiunazh në shërbim të agjencisë izraelite të inteligjencës, Mossad. Sipas agjencisë së lajmeve Tasnim, ata u arrestuan në provincën Alborz teksa përgatisnin eksplozivë dhe pajisje elektronike.
Ky arrest vjen vetëm një ditë pasi mediat iraniane raportuan për ndalimin e pesë personave të tjerë, akuzuar për “bashkëpunim me Izraelin”. Ata u ndaluan në qytetin Yazd dhe dyshohet se janë kapur duke bërë fotografi në zona të ndjeshme.
Situata tensionohet gjithnjë e më shumë ndërsa Irani intensifikon luftën kundër asaj që e quan “spiunazh dhe sabotazh” nga Izraeli. Versus.al
Lufta/ Ministri i Jashtëm iranian: Sulmi ndaj centraleve bërthamore kaloi vijën e re të kuqe
Sulmi izraelit ndaj centraleve bërthamore iraniane ka kaluar një "vijë të re të kuqe". Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi në një takim me diplomatë të huaj.
"Regjimi zionist ka kaluar një vijë të re të kuqe në të drejtën ndërkombëtare dhe e ka bërë këtë duke sulmuar infrastrukturën bërthamore", tha Araghchi.
Dje, ish-drejtori i IAEA-s, Mohamed ElBaradei, kujtoi në rrjetin social X se sulmet ndaj centraleve bërthamore janë të ndaluara nga Neni 56 i Protokollit Shtesë të Konventës së Gjenevës. Versus.al
Izrael-Iran, nga armiqësi e heshtur te lufta e hapur: Si lindi konflikti dhe fuqitë që qëndrojnë pas ‘perdes’
Përplasja mes Izraelit dhe Iranit nuk lindi sot, por i ka rrënjët që nga viti 1979, pas Revolucionit Islamik që përmbysi shahun e Iranit, Mohammed Reza Pahlavi — që ishte aleat i Perëndimit dhe që mbante marrëdhënie të mira me Izraelin.
Me ardhjen e Ayatollah Ruhollah Khomeinit, Irani ndryshoi kurs. Qeveria e re e shpalli Izraelin “armik të Islamit” dhe u angazhua që të mbështeste lëvizjet që kundërshtonin shtetin hebre, si Hezbollahu në Liban, Hamas dhe Jihadi Islamik.
Që nga vitet 1980, Irani ka përdorur këto organizata si përfaqësues (proxy) për të sulmuar Izraelin, pa u përfshirë drejtpërdrejt, ndërsa Izraeli i përgjigjej me sulme ajrore, vrasje të shënjestruara dhe sabotime, veçanërisht që nga fillimi i programit bërthamor të Iranit.
Një nga pikat që rriti tensionet ishte programi bërthamor i Iranit, që Izraeli e sheh si rrezik ekzistencial. Që nga fillimi i viteve 2000, Izraeli ka ndërmarrë aksione të fshehta — sulme kibernetike, vrasje të shkencëtarëve bërthamorë, dhe bombardime — për të parandaluar që Irani të arrijë armën atomike.
Një tjetër moment që përshkallëzoi situatën ishte vrasja e Qassem Soleimani, kreut të Gardës Revolucionare Iraniane, nga SHBA, në janar 2020 — veprim që u pa nga Irani si sulm i drejtpërdrejtë dhe që rriti rrezikun e një lufte të madhe.
Sot, përplasja Iran-Izrael ka arritur kulmin, me sulme të ndërsjella me raketa, dronë, dhe sulme ajrore që rrezikojnë të përfshijnë të gjithë Lindjen e Mesme. Një konflikt që filloi si “luftë proxy” tani po kthehet në përplasje të hapur, që vë përballë dy fuqitë më të mëdha ushtarake të rajonit.
Fuqitë që qëndrojnë pas perdes – SHBA, Arabia Saudite, Turqia, Rusia dhe Hezbollahu
Shtetet e Bashkuara:
SHBA që nga fillimi e ka parë Iranin si rrezik strategjik, si për aleatin e tyre kryesor, Izraelin, ashtu edhe për stabilitetin e Lindjes së Mesme. Uashingtoni e ka mbështetur pa rezerva Izraelin, si ushtarakisht, ashtu edhe diplomatikisht. Vrasja e Qassem Soleimani nga forcat amerikane, sanksionet që paralizuan ekonominë iraniane dhe presioni që SHBA ushtron ndaj Iranit që të heqë dorë nga programi bërthamor, tregojnë qartë që roli i Shteteve të Bashkuara qëndron si garant i sigurisë për Izraelin, por edhe si përpjekje për të frenuar ndikimin e Iranit.
Arabia Saudite:
Riadi e sheh Iranin si rivalin kryesor shiit që kërcënon ndikimin suni. Arabia Saudite, që konkurron me Iranin për lidershipin e botës myslimane, ka mbështetur qëndrimin e SHBA dhe Izraelit, edhe pse këtë nuk e deklaron gjithmonë. Arabia Saudite dhe vendet e Gjirit (Emiratet, Bahrejni) e shohin Iranin si rrezik që përdor organizata si Hezbollahu, Houthis, dhe milici shiite irakiane për të zgjeruar ndikimin e tij.
Turqia:
Ankaraja mban qëndrim ambigu, që luhatet mes qëndrimeve pragmatike dhe retorikës populiste. Turqia, që ka ambicie si fuqi rajonale, shpesh konkurron me Iranin për ndikim, veçanërisht në Irak, Siri dhe Kaukaz. Por, nga ana tjetër, Turqia ka interesa energjetike dhe tregtare me Iranin, që e detyrojnë të mbajë edhe kanale dialogu me Teheranin.
Rusia:
Rusia ka forcuar ndikimin e saj në Lindjen e Mesme, veçanërisht pas ndërhyrjes ushtarake që kreu në Siri (2015) për të mbrojtur Bashar Al-Assad. Irani dhe Moska kanë bashkëpunuar që nga fillimi i luftës siriane. Megjithatë, qëllimet e tyre nuk përputhen plotësisht; Rusia përdor Iranin si mjet për të sfiduar ndikimin e SHBA, pa lejuar që Irani të bëhet forca dominuese që vendos rregullat.
Hezbollahu:
Hezbollahu i Libanit, organizatë Shiite e mbështetur nga Irani, që nga viti 1982 ka shërbyer si krahu i zgjatur i Iranit në Levant. Me raketa, milici të organizuara dhe ndikim të gjerë social, Hezbollahu përbën një nga sfidat kryesore të Izraelit, që e sheh si rrezik të përhershëm nga Veriu. Hezbollahu ka vepruar si pika e parë e presionit që Irani ushtron ndaj Izraelit, pa u ekspozuar plotësisht, dhe si mjet që përdor Teherani për të zgjeruar ndikimin e tij.
Lindja e Mesme shndërrohet në një fushë shahu gjeopolitike, ku fuqitë e mëdha, organizatat paraushtarake dhe shtetet rivale lëvizin gurët e tyre me qëllimin që të mbrojnë interesat, të rrisin ndikimin dhe të dobësojnë kundërshtarët. Versus.al
8 të vdekur, 200 të plagosur në Izrael! Trump thirrje Iranit: Nëse sulmohemi, do përballeni me forcë që s’është parë kurrë më parë

Tensionet mes Izraelit dhe Iranit po arrijnë kulmin. Gjatë natës, sulmet ajrore nga të dyja palët lanë pas 8 të vdekur dhe 200 të plagosur në Izrael.
Ushtria izraelite u kundërpërgjigj duke goditur Ministrinë Iraniane të Mbrojtjes dhe disa baza të reja raketash, ndërsa Teherani vazhdoi sulmet nga ajri.
Ish-Presidenti Donald Trump deklaroi se SHBA nuk kishte asnjë lidhje me sulmin ndaj Iranit, sonte.
“Nëse në çfarëdo mënyre, forme apo drejtimi sulmohemi nga Irani, forcat e armatosura të SHBA-së do të reagojnë me një forcë që nuk është parë ndonjëherë më parë,” paralajmëroi Trump.
“Ne mund të arrijmë lehtësisht një marrëveshje mes Iranit dhe Izraelit dhe ta ndalim këtë konflikt të përgjakshëm!!!” Versus.al







