Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kreu i avokatëve penalistë, Sajmir Vishaj e konsideron sulmin ndaj avokatit Sokol Mëngjesi si "prekje të shtetit" ndërsa zbuloi se kolegu i tij ndodhet në gjendje kome. *Njëri prej autorëve, Dorian Alia ka treguar se nuk ishin paguar për dhunimin e avokatit dhe se çdo gjë e kishin bërë për miqësinë me Dritan Nanon. Sipas Alias, qëllimi ishte t'i jepnin Mëngjesit një mesazh dhe jo që ngjarja të mbërrinte në këto nivele. *Gjendja e Sokol Mëngjesit paraqitet e rëndë. Avokati mbahet nën monitorim teksa ndodhet në intubim tek spitali i Traumës. *Identifikohen dhunuesit e Mëngjesit, tre e goditën, njëri prej tyre i largoi me makinë. Policia dyshon se ngjarja lidhet me mospagesën e Mëngjesit nga ana e Dritan Nanos pas gjyqit të pronës që i fitoi avokati. Policia jep 20 mijë euro shpërblim për këdo që ka informacion mbi vendndodhjen e të arratisurve.
Shefi i Urgjencës së Traumës jep detaje për shëndetin e avokatit Mëngjesi: Vazhdon të jetë në gjendje të rëndë. Por pritet...

Shefi i Urgjencës së Traumës, Gjovalin Bushi ka folur për gjendjen shëndetësore të avokatit Sokol Mëngjesit, i dhunuar brutalisht një ditë më parë për shkak të detyrës.
Bushi ka treguar se parametrat janë stabël dhe pse dëmtimi ishte shumë i madh, edhe se orët në vijim janë vendimtare.
“Avokati u shfaq me një traume koke. Në momentet e para ishte koshient, me kalimin e kohës çdo gjë filloj të rëndohej. Ishte shumë i axhituar dhe më pas filloi të humbiste dhe koshiencën. Në këto kushte vendosëm që pacienti të intubohej.
Nga momenti i djeshëm deri sot gjendja pothuajse është stabël, megjithëse vazhdon të jetë në gjendje të rëndë. Është bërë një ndërhyrje nga neurokirurgët, dhe sot është evidentuar një rënie e edemës, dhe në këto kushte nuk ka nevojë për ndërhyrje urgjente kirurgjikale. Nga parametrat është stabël, por pritet si do reagojë në orët më vonë. ”, u shpreh ai.
Dhunimi i Sokol Mëngjesit, Vishaj: Avokati në gjendje kome! Ngjarja s’ka lidhje me politikën

Kryetari i avokatëve penalistë, Sajmir Vishaj ka dhënë një deklaratë për mediat jashtë spitalit të Traumës ku vizitoi kolegun e tij Sokol Mëngjesi i cili ndodhet në gjendje të rëndë për shkak të frakturave të pësuara nga dhuna barbare e ushtruar dje ndaj tij.
Duke dhënë lajmin se Mëngjesi është në gjendje kome Vishaj tha se është alarmante dhuna ndaj njerëzve të drejtësisë dhe se avokatët janë të pambrojtur.
“Ajo që ne na shqetëson është vënia dorë ndaj njerëve të drejtësisë, kemi çdo javë që dhunohet një avokat. Mbase prokurorët dhe gjyqtarët kanë ndonjë masë sigurimi. Por njerëzit duhet të kuptojnë se avokatët bëjnë punën e tyre dhe duhet të mbrojnë njërën palë.
U them skeptikëve që e lidhin ngjarjen me nuanca politike që nuk ka lidhje as majtas dhe as djathtas, ngjarja është për shkak të detyrës së tij. I lutemi zotit me zemër të dalë nga koma. Sot presim të vijnë familjarët e tij që jetojnë jashtë shtetit dhe gjendja do jetë më alarmante”- u shpreh Vishaj ndër të tjera.
Sipas Vishajt, një ngjarje e tillë duhet të kishte ngritur në këmbë gjithë institucionet shtetërore.
“Shkuam t’i jepnim një mesazh”, flet njëri prej autorëve që dhunuan avokatin! Dritan Nano mohon të jetë organizatori i krimit

Tiranë- Njëri prej autorëve të dhunës barbare ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, Dorian Alia i cili u vetëdorëzua në polici ka treguar detaje rreth ngjarjes së rëndë.
Ai ka thënë se krimin e kishte kryer për lidhje miqësie me Dritan Nanon dhe se nuk kanë pasur qëllim dëmtimin e rëndë të avokatit por kishin shkuar vetëm për t’i dhënë një mesazh.
"Shkuam për t’i dhënë një mesazh. Nuk menduam se situata do përkeqësohej. Nuk e dinim peshën e avokatit, e bëra për miqësi dhe nuk jam paguar”- mësohet të jetë shprehur Dorian Alia.
Ndërkohë, Dritan Nano i cili dyshohet se organizoi sulmin për shkak se Mëngjesi kishte fituar procesin ndaj tij për shkak të mospagesës për shërbimet e dhëna, ka mohuar të ketë gisht me ngjarjen pavarësisht se dje drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj deklaroi se Dritan Nano u takua me dhunuesit 1 muaj para ngjarjes dhe ka organizuar gjithçka.
Policia ka ofruar shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që jep informacion mbi vendndodhjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim Drivald Alian dhe Elton Kasaj që morën pjesë në dhunimin e avokatit dhe Romario Tabaku që i largoi me makinë. Versus.al
U dhunua dje barbarisht, avokati Sokol Mëngjesi në gjendje të rëndë te “Trauma”, mbahet nën monitorim

Tiranë- Gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi i cili u dhunua barbarisht me leva dhe grushte nga tre persona në ish-bllok, mbetet e rëndë.
Dje avokati u fut në intubim për shkak të hematomave dhe frakturave të pësuara në kokë pas goditjeve brutale të marra nga autorët të cilët u identifikuan orë më vonë pas ngjarjes.
Aktualisht, Mëngjesi ndodhet në terapi intensive në reanimacionin e Spitalit të Traumës në Tiranë ku po i jepet ndihma mjekësore për dëmtimet në kokë dhe në trup. Versus.al
Identifikohen dhunuesit e avokatit Mëngjesi! Vetëdorëzohet njëri prej tyre! Kush është pronari që dyshohet se organizoi ngjarjen (EMRI)

Tiranë- Janë identifikuar autorët që dhunuan avokatin e Sali Berishës, Sokol Mëngjesin gjatë ditës së djeshme në zonën e ish-bllokut.
Të rinjtë që shihni në foto, Dorian Alia, Drivald Alia dhe Elton Kasaj i zunë pritë Sokol Mëngjesit në dalje të kopshtit 31 ku avokati sapo kishte lënë djalin e tij dhe më pas e dhunuan duke e goditur disa herë me leva dhe grushte derisa humbi ndjenjat. Ndërsa Romario Tabaku largoi me makinë njërin prej autorëve.
Pas ngjarjes, autorët u larguan në këmbë në një rrugicë ku edhe i priste një automjet, ndërsa avokati u dërgua me urgjencë drejt spitalit ku raportohet të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe mjekët e kanë futur në intubim.
Si pasojë e goditjeve, Mëngjesi ka pësuar dy hematoma në kokë. Një prej dëshimtareve që pa ngjarjen tha se dhunuesit e pritën avokatin derisa la djalin e tij në kopsht dhe më pas e dhunuan derisa e lanë pa ndjenja dhe në fund njëri prej tyre e shihte nga sipër para se t’ja mbathte nga vendngjarja.
Çfarë e solli dhunimin e avokatit Sokol Mëngjesi?
Ditën e djeshme u fol në media se shkaku i dhunimit të Sokol Mëngjesit lidhej me një çështje gjyqësore për prona. Së fundmi është zbardhur dhe dinamika e çështjes gjyqësore.
Mësohet se tetë trashëgimtarë, të përfaqësuar nga Sokol Mëngjesi, kanë fituar procesin gjyqësor për pronën. Fillimisht të gjithë kishin firmosur kontratë për pagesat që do i jepnin avokatit në rast se do të fitonin gjyqin. Por pas fitores së çështjes gjyqësore, 7 prej trashëgimtarëve i kanë dhënë paratë Mëngjesit dhe studios së tij ligjore, përveç Dritan Nanos.
Ndaj këtij të fundit, avokati hapi një gjyq, të cilin e fitoi dhe përmbarimi i bllokoi pronën Nanos duke mos e lejuar të vijojë shitja. Në këtë situatë, dyshohet se Dritan Nano ka angazhuar lidhjet e tij shoqërore për të kërcënuar avokatin që të tërhiqet nga përqindja që duhej të merrte.
Njëri prej dhunuesve, Dorian Alia është vetëdorëzuar në polici. Ndërsa tre të rinjtë e tjerë, Elton Kasaj, Drivald Alia dhe Romario Tabaku janë në arrati. Policia ka vënë në dispozicion 20 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion për vendndodhjen e tyre. Ndërkohë 58 vjeçari Dritan Nano është ndaluar nga policia nën dyshimin si organizator i dhunës ndaj Mëngjesit.
Sokol Mëngjesi njihet si një prej avokatëve të Sali Berishës dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” si dhe avokat i Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos për çështjen e Inceneratorit të Tiranës.
Për aktin e djeshëm ndaj tij pati reagime të shumta si nga ana e Dhomës së Avokatisë ashtu edhe nga politika, ku deputetët gjatë një mbledhje në komisionin e Ligjeve, dënuan ngjarjen ndërsa Rithemelimi akuzoi kryeministrin Edi Rama si të përfshirë në ngjarje si hakmarrje ndaj avokatisë të Sokol Mëngjesit ndaj Sali Berishës. Versus.al







