Çfarë do të gjeni në brendësi
*Siç ishte paralajmëruar deputetët e Partisë Demokratike vijuan me aksionin e dhunshëm opozitar në kuadër të mosbindjes civile të nisur që prej 30 shtatorit me arrestimin e Ervin Salianjit. Por ndryshe nga çfarë pritej, Garda kishte marrë masa shtesë për t’i penguar deputetët e përjashtuar që të hyjnë në sallë, duke vendosur një gardh metalik. *Deputetët patën përplasje fizike me punonjësit e Gardës në përpjekje për të hyrë në Kuvend, por vetëm deputetet Vokshi, Doda e Hoti arritën të futeshin pasi nuk ishin të përjashtuar. Megjithatë edhe qëndrimi i tyre në sallën e Kuvendit nuk zgjati shumë. Pasi bllokuan foltoren e Kuvendit me karrige, deputetja Elda Hoti u përjashtua nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali me pretendimin se u kishte hedhur benzinë kolegëve socialistë. Gjë kjo që u mohua nga Hoti e cila tha se bëhej fjalë për aromatizues. *Si rezultat i kaosit, nuk u realizua as interpelanca e kërkuar nga deputeti Agron Shehaj me ministren Mirela Kumbaro për mbetjet toksike. Ndërsa me 73 vota pro u kalua edhe raporti për Kontrollin e Lartë të Shtetit, pavarësisht se kreu i institucionit nuk u la të bënte raportimin. *Jashtë Kuvendit, përplasja mes deputetëve dhe gardës u bë edhe më e ashpër pas zhvendosjes së protestuesve para bashkisë së Tiranës të cilët u drejtuar në Kuvend me qëllim për të hyrë në sallë. U desh ndërhyrja e Forcave Speciale të cilat vetëm sa ‘i hodhën benzinë zjarrit” duke agravuar përplasjen. Madje u pretendua edhe se njëri prej efektivëve kërcënoi me armë deputetin Luan Baçi. *Policia e Shtetit me një reagim zyrtar mohoi të gjitha pretendimet e tilla duke thënë se asnjë prej efektivëve nuk kishte pasur armë gjatë ndërhyrjes. Në mbyllje të përplasjes, Bardhi paralajmëroi kallëzim penal në SPAK për kryeparlamentaren Elisa Spiropali dhe disa efektive policie me pretendimin se deputetët janë goditur në vendin e punës.
“I vuri armën në gjoks Baçit”/ Berisha publikon emrin e policit: Nuk ka njeri që të mbron
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pretendon se efektivi që i nxori armën Luan Baçit sot paradite në Kuvend, ishte Altin Muço.
Teksa foli nga ballkoni i tij, në tubimin e përnatshëm, Berisha madje kërcënoi efektivin kur tha “nuk të mbron njeri, nuk do të gjesh vend mbi tokë”.
“Altin Muço, ti që nxore revolen ndaj deputetit, vend mbi tokë nuk do të kesh! Nuk të mbron njeri ty! Altin Muço, ti që nxore revolen ndaj deputetit, vend mbi tokë nuk do të kesh! Bandit, mercenar që nuk njeh Kushtetutë, nuk njeh ligj, nuk njeh moral. Nuk të mbron ty as Ervin Porja apo Troplini, as Ilir Shullazi, as Edvin Hajduti. Nuk të mbron njeri ty! Ke bërë një akt që nuk e ka bërë kush nga viti 1945 gjer sot. Trimëria, guximi, vendosmëria e deputetëve të opozitës në sallë dhe jashtë sallës e shndërroi parlamentin në kështjellën e pamposhtur të opozitës. E shndërroi parlamentin në kështjellën e qëndresës, në kështjellën e fitores”, u shpreh Berisha.
Gjatë përballjes së deputetëve të PD me gardën dhe veçanërisht me një grup policësh në hyrjen e oborrit të Kuvendit, ndodhi një përplasje mes deputetit të PD Luan Baçi dhe policëve. Baçi tha se efektivi i kishte vendosur pistoletën në gjoks. Policia e përgënjeshtroi duke thënë se policët nuk mbajnë armë në tubime.
PS “shkrin” opozitën parlamentare, kërkon përjashtimin edhe të dy deputetëve të tjerë të PD
Opozita në Parlament pritet të ketë edhe dy deputetë më pak në sallë, pasi socialistët do të kërkojnë përjashtimin e Elda Hotit dhe Petrit Dodës nga punimet e komisioneve dhe seanca plenare.
Ndërsa kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali me anë të një reagimi në facebook e paralajmëroi opozitën se dhuna fizike, përplasjet trupore, kërcënimet verbale, djegia e shkatërrimi, apo çfarëdo shprehje e përfshirë së fundmi ata në konceptin e “Mosbindjes Civile”, nuk mund t’i imponohen dot kurrë Kuvendit të Shqipërisë.
Spiropalit i është përgjigjur Gazment Bardhi duke e cilësuar kryeparlamentaren, si zëdhënëse e krimit të organizuar.
Përplasja vazhdon/ Spiropali: Bosbindja civile nuk është ngritja e dorës. Bardhi: Mosbindja civile nuk është t’i ulesh në gjunjë Pëllumb Gjokës
Pas përplasjeve që u krijua sot brenda dhe jashtë Parlamentit, ka reaguar gjatë pasdites edhe kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali. Teksa shpjegon se sa e hershme është si formë revolte, ajo thekson se mosbindja civile nuk e lejon kurrsesi dhunën.
Në shkrimin e saj në Facebook drejtuar opozitës, kryeparlamentarja shton se ndjen keqardhje për aktet e sotme. Sipas saj, Kuvendit nuk mund t’i imponohen kurrë akte të tilla si e drejtë demokratike.
I menjëhershëm ka qenë përgjigja e kreut të grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi e ka një përgjigjie për kryeparlamentaren Elisa Spiropali.
Fill, pasi kjo e fundit i shpjegoi opozitës përmes një shkrimi në Facebook konceptin e mosbindjes civile e që sipas saj nuk ka asnjë lidhje me aktet e dhunshme.
Reagimi i Elisa Spiropalit:
Mosbindja civile është një nga krijimet më të bukura të angazhimit qytetar e politik në historinë e njerëzimit. Thelbi i saj i pandryshueshëm, qysh me Sokratin në Greqinë e Lashtë, i cili predikonte vënien në pikëpyetje të së drejtës morale të autoriteteve për një ligj të padrejtë, e deri tek Mahatma Gandi. Ai e gjunjëzoi Perandorinë Britanike, duke u ulur i pari në gjunjë derisa me miliona vetë u ulën pas tij në rrugët e Indisë. Ballë për ballë grykëve të pushkëve të batalioneve të regjimit kolonial. I cili hapte zjarr në trupat e tyre dhe të mosbindurit civilë nuk lëviznin nga vendi, është refuzimi absolut, i dhunës si mjet për imponimin e një të drejte të mohuar.
Beteja të tëra epike të njerëzimit për heqjen e skllavërisë, të drejtën e votës për gratë, anullimin e ligjeve raciste, fundin e aparteidit në Afrikën e Jugut, u furnizuan me energjinë e pandalshme morale dhe rezistencën e hekurt shpirtërore të mosbindjes civile. Mosbindja civile e përjashton kategorikisht ngritjen e dorës për të demonstruar forcë dhe synon krijimin e një kontrasti moral paralizues, mes trupave të protestuesve paqësorë dhe korpusit të një padrejtësie shtetërore të perceptuar si të tillë nga shoqëria. Mosbindja civile mishërohet nga individë që i kundërvihen ligjërimit të një padrejtësie, duke marrë përsipër ta thyejnë paqësisht ligjin e padrejtë dhe duke pranuar paqësisht pasojën personale të shkeljes së atij ligji.
Mosbindja civile përmes guximit po edhe sakrificës vetjake, i kontribuon arritjes së zgjidhjes me drejtësi, jo përmes dhunës, po përmes masivizimit të ndjeshmërisë popullore që në fund ia del ta imponojë të drejtën e mohuar, si një lloj shah mati për autoritetet. Kjo është, me fjalë të shkurtra, përmbajtja e konceptit të mosbindjes civile dhe kështu e ka çarë rrugën e historisë forca krijuese e mosbindjes civile, në një sërë ngjarjesh të jashtëzakonshme politike e shoqërore për liritë e të drejtat njerëzore.
Asgjë më e largët me përmbajtjen e thellë morale dhe formën sfilitëse të durimit të mosbindjes civile, nuk mund të imagjinohet dot, se sa përçudnimi i dhimbshëm i opozitarizmit politik e mediatik të kësaj vjeshte. Keqardhje e madhe, por sidoqoftë, forca e dhuna fizike, përplasjet trupore, kërcënimet verbale, djegia e shkatërrimi, apo çfarëdo shprehje e përfshirë së fundmi nga opozitarët tanë në konceptin e “Mosbindjes Civile”, nuk mund t’i imponohet dot kurrë Kuvendit të Shqipërisë si të drejta demokratike të askujt.
Përgjigja e Gazment Bardhit:
Mosbindja civile nuk është t’i ulesh në gjunjë Pëllumb Gjokës. Na paska dhënë leksion nga burgu Pëllumb Gjoka përmes zyrës për shtyp të Kuvendit se cili është kuptimi filozofik i “mosbindjes civile”! Mosbindja civile në kuptimin e Pëllumbave në Kuvend është që krimi i organizuar të shpërfillë ligjin dhe të mbretërojë në çdo institucion! Por realisht, mosbindja civile nuk është t’i ulesh në gjunjë Pëllumb Gjokës! As krimit të organizuar!
Por realisht, mosbindja civile nuk është ti ulesh në gjunjë Pëllumb Gjokës! As krimit të organizuar!
"Gardistët nga mbrojtën nga forcat speciale", Bardhi letër Spiropalit: Kush e dha urdhrin për futjen e tyre në Kuvend?!

Kryetari i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi ka dërguar një letër kryeparlamentares, Elisa Spiropali për incidentin e ndodhur ditën e sotme në seancën plenare.
Bardhi shkruan se futja e Forcave Speciale të Policisë së Shtetit brenda mjediseve të Kuvendit, kanosja me jetë e deputetëve të opozitës dhe cenimi i integritetit të tyre fizik, është një akti i paprecedentë në funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë.
Deputeti i opozitës shton më tej se futja e këtyre forcave gjatë një aktiviteti parlamentar është një puç i rëndë kushtetues ndaj vetë Kuvendit të Shqipërisë dhe një provokim i pandodhur kurrë më parë ndaj opozitës.
Nisur nga kjo nënkryetari i PD-së kërkon:
Informoni menjëherë se kush ishte autoriteti që dha urdhrin për futjen e Forcave Speciale të Policisë së Shtetit në mjediset e brendshme të Kuvendit të Shqipërisë?
– Vini në dispozicion kamerat e sigurisë të të gjitha ambienteve të brendshme dhe të jashtme të Kuvendit të Shqipërisë (përfshirë por pa u kufizuar: sallës plenare, korridoreve lidhëse të sallës plenare, hyrjes kryesore të Kuvendit, ambinteve të jashtme të oborrit të Kuvendit të Shqipërisë).
Letra e plotë:
“Më datë 17.10.2024 gjatë zhvillimit të seancës plenare, në kundërshtim flagrant me nenin 122 të Rregullores së Kuvendit dhe ligjin për Policinë e Shtetit, Forcat Speciale të Policisë së Shtetit kanë dhunuar, penguar dhe kanosur me jetë deputetët e opozitës brenda mjediseve të Kuvendit të Shqipërisë. Është dashur ndërhyrja e Gardës së Republikës (punonjësve të Shërbimit të Sigurisë së Kuvendit) për të mbrojtur deputetët nga agresioni brenda mjediseve të Kuvendit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Futja e Forcave Speciale të Policisë së Shtetit brenda mjediseve të Kuvendit, gjatë aktivitetit parlamentar, pengimi i deputetëve për të lëvizur në ambientet e Kuvendit prej tyre, kanosja me jetë e deputetëve të opozitës dhe cenimi i integritetit të tyre fizik, është një akti i paprecedentë në funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë. Kurrë në historinë e parlamentarizimit në Shqipëri, një Kryetar Kuvendi nuk ka lejuar futjen e Forcave Speciale të Policisë së Shtetit në mjediset e brendshme të Kuvendit të Shqipërisë. Kurrë në historinë e parlamentarizmit në Shqipëri nuk ka ndodhur që Forcat Speciale të Policisë së Shtetit të pengojnë një deputet të Kuvendit brenda mjediseve të tij.
Futja e Forcave Speciale të Policisë së Shtetit gjatë një aktiviteti parlamentar është një puç i rëndë kushtetues ndaj vetë Kuvendit të Shqipërisë dhe një provokim i pandodhur kurrë më parë ndaj opozitës. Për këtë arsye, kërkojmë të na:
– Informoni menjëherë se kush ishte autoriteti që dha urdhrin për futjen e Forcave Speciale të Policisë së Shtetit në mjediset e brendshme të Kuvendit të Shqipërisë?
– Vini në dispozicion kamerat e sigurisë të të gjitha ambienteve të brendshme dhe të jashtme të Kuvendit të Shqipërisë (përfshirë por pa u kufizuar: sallës plenare, korridoreve lidhëse të sallës plenare, hyrjes kryesore të Kuvendit, ambinteve të jashtme të oborrit të Kuvendit të Shqipërisë).
Duke dënuar me forcë aktin brutal, të paprecedentë, të hakërrimit të Policisë së Shtetit ndaj deputetëve të opozitës në mjediset e brendshme të Kuvendit të Shqipërisë, ju siguroj se ju personalisht dhe cilido tjetër që në mënyrë arbitrare urdhëroni Forcat Speciale të Policisë së Shtetit të dhunojnë deputetët e opozitës, do të mbaheni përgjegjës për këtë shkelje të rëndë ligjore, që ka tiparet e një puçi kushtetues ndaj integritetit të Kuvendit të Shqipërisë.”/Versus.al
VIDEO/ 'Na drejtuan armën', reagon Policia e Shtetit: Efektivi kishte spraj lotsjellës por nuk e përdori
Policia e Shtetit ka përgënjeshtruar pretendimin e deputetëve të opozitës se ndaj tyre u është drejtuar arma.
Në reagimin e saj Policia shprehet se asnjë punonjës policie nuk ka qënë i pajisur me armë zjarri gjatë tubimit, por vetëm me mjete mbrojtëse dhe me shkopinj gome.
Më tej në deklaratën e saj Policia e Shtetit shton se ajo është e vendosur për të garantuar të drejtën e tubimit, liritë dhe të drejtat e tjera të qytetarëve, si dhe pronën publike dhe atë private.
Policia ka publikuar dhe videon ku tregon që efektivi kishte një spraj lotsjellës por që nuk e përdori.
Reagim i Policisë së Shtetit
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, kanë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e tubimit të organizuar para bashkisë Tiranë.
Gjatë tubimit është bërë thirrje që pjesëmarrësit t’i drejtoheshin Godinës së Kuvendit.
Shërbimet e Policisë, konform ligjit, forcat policore kanë marrë masa për të garantuar sigurinë e institucioneve shtetërore ne rastin konkret te Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të parandaluar një sulm të mundshëm nga protestuesit ndaj këtij institucioni.
Bazuar në ligjin “Për tubimet”, punonjësit e Policisë, të angazhuar për mbarëvajtjen e tubimit, asnje punonjes policie nuk ka qene i pajisur me armë zjarri gjate tubimit, po vetëm me mjete mbrojtëse dhe me shkopinj gome.
Përgënjeshtrojmë lajmin që punonjës të Policisë, në tubim, iu kanë nxjerrë tubuesve, armët e zjarrit.
Policia e Shtetit është e vendosur për të garantuar të drejtën e tubimit, liritë dhe të drejtat e tjera të qytetarëve, si dhe pronën publike dhe atë private.
Ndërkohë, Policia e Shtetit do të kryejë të gjitha veprimet hetimore dhe shtetasit përgjegjës për veprimet e dhunshme ndaj punonjësve të Policisë, do të kallëzohen në Prokurori./Versus.al
VIDEO/ Efektivi i FNSH-së bëhet gati të nxjerrë armën pas përplasjes me Luan Baçin?
Një nga efektivët e FNSH-së gjatë përplasjes me deputët e Shqipërisë është bërë gati të nxjerrë armën ndaj deputetit Luan Baçit, pretendon ky i fundit.
Në një prononcim të tijin për media tha: "Ne ishim duke hyrë brenda dhe gjithë policia me skafandra, duke shtyrë. Më vuri pistoletën te gjoksi. E gjithë policia që është futur brenda është jashtë rregullat. Ishin shumë aty, me mua u përplasën. E nxori këtu dhe tha: e do këtë? Shqip e tha, e doni shqip? Mund të gjendet te kamerat. E gjithë policia që është e paligjshme këtu".
Në pamjet e publikuara shihet deputeti Baçi i cili teksa tenton të çajë gardhin e policisë për t'u futur në ambientet e brendshme në oborrin e Parlamentit, ndërsa ka qëlluar efektivin duke i hequr kapelën.
Ndërkohë në prononcime të tjera Baçi e ka ndryshuar disa herë variantin e përplasjes dhe kërcënimit me armë.
"Në një situatë të tillë të tensionuar ai foli qartë me mimikat e fytyrës, hapi xhaketën si kaubojs,vuri dorën tek arma e nxori pak dhe më pas kur pa se u acaruam e futi sërish. Janë falsifikime nga ana e policisë. Nuk lejohet të armatosur në Kuvend”, tha më vonë në një lidhje live me News24. Më herët kishte deklaruar se efektivi i kishte vënë armën në gjoks.
Një denoncim i cili duhet të marrë përgjigje nga organet hetimore. U kërcënua me armë apo jo deputeti?
Në lidhje me këtë rast reagoi dhe Policia e Shtetit e cila deklaroi se efektivët ishin pa armë zjarri dhe se kishin vetëm mjete mbrojtëse, ndërsa nëpërmjet një video sqaroi dhe pajisjen që mbanin policët në këllëf.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, është shprehur se nuk ka ndodhur kurrë në 33 vite që të hyjnë forcat speciale për t'u përballur me deputetët. /Versus.al
View this post on Instagram
Noka kërcënon ministrin e Brendshëm dhe Spiropalin: Do hiqeni zvarrë si Enver Hoxha
Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka është përplasur me forcat speciale jashtë Kuvendit. Pas përplasjes ai ka pasur edhe një kërcënim për ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha për të cilin ka thënë se do të tërhiqet zvarrë njëjtë si diktatori Enver Hoxha.
“Nipi i Enver Hoxhës mund të rrijë në krye të ministrisë por kujto që e kemi tërhequr zvarrë Hoxhën. Ashtu do tërhiqesh edhe ti dhe Elisa”- u shpreh Noka.
Gjithashtu ai u shpreh se e kanë të dokumentuar dhunën ndaj deputetëve nga efektivët e FNSH-së.
"Të shkarkohen dhe të gjithë për ndjekje penale, nuk mund të ndërhyjnë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe të prekin deputetët. këtu është shteti horrave dhe u thashë që shteti i horrave do marrë përgjigjen që i takon. Çdo ditë do të ketë mosbindje civile.". u shpreh Ndoka.
Në mbyllje të protestës, deputetët e opozitës u drejtuan për në selinë bl uku Noka mbajti edhe një fjalim para mediave duke bërë me dije se aksioni opozitar do të vijojë me mobsindje civile deri në krijimin e një qeverie teknike.
“Sot regjimi arriti kulmin duke kërcënuar me tytën e armës deputetët. Nuk kishte ndodhur kurrë që forcat speciale të futen në ambientet e gardës së republikës dhe të kërcënojnë nën tytën e armëve deputetët e opozitës. Këtu vdes demokracia, vdes shteti ligjor dhe i së drejtës. Vetëm diktaturat fusin në parlament policinë dhe forcat e armatosura.
Kjo që patë sot ju, që nga dhuna ndaj deputetëve brenda ambienteve të Kuvendit, që nga prania e gardës e policisë, tregon se narko-regjimi është në panik nga mosbindja civile e opozitës.
Shqiptarët kërkojnë qeveri teknike sepse nuk mund të pranojnë të shkojnë në zgjedhje me një narko regjim. Nuk kanë kaluar 24 orë kur kreu i narkos iu tha shqiptarëve se do çelë kapitullin e negociatave dhe i çeli me tytën e armës që ua nxorri deputetëve”- përfundoi Noka. Versus.al
'Nuk ka ndodhur kurrë në 33 vite', Bardhi: U drejtuan armën deputetëve brenda Kuvendit
Për tensionet në hyrje të Kuvendit të Shqipërisë, Gazment Bardhi është shprehur për mediat se forcat e policisë u kanë drejtuar armën.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së tha se nuk ka ndodhur kurrë që forcat e policisë të hyjnë dhe të dhunojnë deputetët.
Bardhi: I kanë drejtuar armët deputetëve, i kanë qëlluar në vendin e punës. Nuk ka ndodhur kurrë në 33 vite që të hyjnë forcat speciale për të dhunuar deputetët. Kjo është fytyra e vërtetë e një krimineli të kryeministrit të vendit, ushtari i bandave të Durrësit, e një kryeminsitri që emëron nga Minsitri i Brendshëm tek Drejtori i Brendshëm të policisë kë urdhërojnë bandat e Durrësit dhe gjithë Shqipërisë dhe mendojnë se do të trembin forcat speciale deputetë e Shqipërisë./ Versus.al
Forcat speciale me skafandra përplasen me deputetët jashtë Kuvendit! Bardhi e Noka shtyhen fizikisht

Ka degraduar në dhunë protesta e zhvendosur nga bashkia tek parlamenti, ku deputetët e Partisë Demokratike janë përplasur me efektivët të pajisur me skafandra dhe mburoja.
Mes deputetëve që u përplasën me policinë, ishin Gazment Bardhi e Flamur Noka së bashku me Luan Baçin e Bledion Nallbatin. Ndërkohë protestuesit e zhvendosur nga protesta para bashkisë kanë vijuar me tentativat e tyre për të hyrë në Kuvend. Versus.al
Opozita sposton tek Kuvendi protestën e planifikuar te bashkia, protestuesit tentojnë të hyjnë në Kuvend
Qytetarët të cilët ishin mbledhur për të protestuar para bashkisë së Tiranës, e kanë zhvendosur protestën e tyre para Kuvendit ku kanë si synim hyrjen në parlament.
Ishte ish-deputeti Belind Këlliçi ai që u kërkoi protestuesve që të drejtoheshin për në Kuvend në mbështetje të kolegëve të tij demokratë të cilët nuk u lanë të futeshin në sallë.
Një grup protestuesish kanë tentuar të futen në oborrin e parlamentit, por janë penguar nga efektivët. Versus.al
Seanca ndërpritet për të verifikuar nëse u hodh benzinë drejt socialistëve, Hoti: Ishte aromatizues

Seanca plenare në Kuvend u ndërpre për 10 minuta me qëllim përcaktimin e materialit që deputetja Elda Hoti hodhi drejt deputetëve të Partisë Socialiste.
Më herët Spiropali tha se deputetja është e përjashtuar duke pretenduar se materiali i hedhur ishte benzinë. Ndërsa vetë deputetja në një deklaratë për mediat mohoi pretendime të tilla duke thënë se ajo që hodhi ishte vetëm “aromatizues”.
“Nuk ishte asgjë që mund t’u rrezikojë jetën deputetëve. Të rrijë e qetë Spiropali bashkë me shoqet e shokët e partisë. Ishte një aromatizues, le ta verifikojë edhe prokuroria, SPAK-u e kushdo. Nuk i trembem askujt, sepse kemi një mision që do e çojmë deri në fund”- u shpreh Hoti. Versus.al
Shehaj kërkoi lejimin e deputetëve në sallë, Spiropali anulon interpelancën e tij me Kumbaron

Interpelanca e kërkuar nga deputeti Agron Shehaj me ministren e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro lidhur me transportin e mbetjeve toksike, nuk është zhvilluar për shkak të kaosit të krijuar në sallë.
Spiropali i ka kërkuar Shehajt të marrë fjalën, por ky i fundit ka këmbëngulur për të mos vijuar me interpelancën pa u bërë e mundur që deputetët demokratë të cilët nuk janë të përjashtuar, të lejohen brenda Kuvendit.
Për pasojë, kryeparlamentarja e ka konsideruar të kryer interpelancën dhe ka vijuar me pikat e tjera të rendit të ditës.
Pjesë nga debati:
Spiropali: Keni kërkuar interpelancën, do ju lutesha kolegëve tuaj këtu t’ju lejojnë të merrni fjalën dhe të kryeni interpelancën me ministren e Mjedisit. Zonja Vokshi lejojeni zotin Shehaj të marrë fjalën për interpelancë. Zoti Shehaj keni fjalën, 7 minuta.
Shehaj: Lejoni kolegët e opozitës të hyjnë në Kuvend, ata që nuk janë të përjashtuar
Spiropali: Nuk e bëj dot unë futjen e tyre në Kuvend. Nëse nuk e merrni fjalën, interpelanca quhet e kryer.
(Shehaj nxjerr telefonin dhe regjistron)
Spiropali: Në rregull pra vijojmë me raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Ndërkohë përplasja brenda sallës ka vijuar teksa deputetet e PD, Vokshi dhe Hoti kanë debatuar me socialistin Petro Koçi të cilit i kanë shkulur dhe mikrofonin. Versus.al
FOTO/ Spërkati deputetët me benzinë, Spiropali përjashton Hotin: Vepër penale, duhet të merret SPAK me ty
Kryetarja e Kuvendit ka përjashtuar nga seanca dy deputetët e opozitës Elda Hoti dhe Petrit Dodën nga seanca parlamentare.
Sipas Spiropalit, Hoti ka hyrë brenda në Kuvend me shishe benzine të cilën e ka hedhur mbi kolegët e saj, deptutët e maxhorancës.
Spiropali: Ju keni ardhur me benzinë në çantë, mos cënoni mos provokoni. Deputetë ndihen të cënuar nga ju, këto janë akte dhune të papranueshme dilni jashtë nga seanca. Ju keni rrezikuar jetën e deputetëve, ju lutem Garda merrni masa je e përjashtuar nga seanca dhe për veprwn tuaj ka kallzim penal. Me ju do të merret Prokuroia e Shqipërisë dhe SPAK duhet te merret. Dilni jashtë deputetja Hodi dhe Doda, jeni e përjashtuar. Ju lutem Gardës të verifiokjë çfarë ishte materiale që u hodh mbi deputetëve.
/Versus.al
VIDEO/ I veshur me të kuqe, Dash Sula tenton “t’u shpëtojë” gardistëve, e tërheqin kolegët
Një prej deputetëve më aktivë në përplasjen me gardistët ka qenë demokrati Dashnor Sula i cili në dukje i veshur ‘sportiv’ ka tentuar të hyjë në Kuvend nëpërmjet dyerve alternative.
Siç shihet edhe në pamje, një grup i madh gardistësh e kanë kapur deputetin për ta ndaluar që të hyjë në Kuvend, ndërsa është dashur ndërhyrja e deputetëve të tjerë demokratë për ta “shpëtuar”. Versus.al
Nis seanca parlamentare me tensione jashtë dhe brenda Kuvendit, deputetët e opozitës bllokojnë Foltoren
Ka nisur me tensione seanca e sotme parlamentare ashtu siç ishte paralajmëruar.
Deputetët që nuk janë përjashtuar dhe që ndodhen brenda sallës së seancës plenare, kanë grumbulluar karriget te foltorja.
Ndërsa deputetët e përjashtuar po tentojnë të hyjnë në Parlament duke u përplasur me gardën.
Ndërkohë kryetarja e Parlamentit Elisa Spiropali ka nisur seancën me rendin e ditës.
“Legen, hape rrugën”, Nallbati përplaset me Gardën tek gardhi metalik! Noka: Burg i sigurisë së lartë
Deputetët e Partisë Demokratike kanë nisur përplasjet me punonjësit e Gardës sapo kanë mbërritur para Gardhit metalik të vendosur në hyrje të Kuvendit për t’u penguar hyrjen deputetëve të përjashtuar.
“Fiks kapitulli i parë, kjo është fytyra e një vendi kandidat për në BE”- u shpreh Gazment Bardhi para gardistëve që nuk i lejuan të kalonin për në Kuvend.
Ndërkohë, deputetët e tjerë me në krye Bledion Nallbati e Flamur Noka u përplasën me punonjësit e Gardës duke lëshuar edhe fyerje drejt këtyre të fundit.
Noka i cilësoi masat e marra si ato të burgut të sigurisë së lartë duke e konsideruar të turpshme sesi një vend që hapi negociatat me BE-në, rrethon Kuvendin me gardh metalik. Versus.al

Për herë të parë, zjarrfikësit dhe policët në Kuvend në prag të mbërritjes së deputetëve të PD

Ashtu siç raportuam më herët për vendosjen e gardhit metalik para hyrjes së Kuvendit si pengesë për deputetët demokratë të përjashtuar, ndër masat e shtuara të marra janë edhe automjetet zjarrfikëse dhe efektivët e policisë.
Duke pasur parasysh paralajmërimin e bërë nga Partia Demokratike për vijimin e aksionit të dhunshëm dhe mosbindje civile, këtë herë policia ka marrë masa të shtuara për të shmangur përplasjet.
Kryeparlamentarja Elisa Spiropali dhe deputetët socialistë mbërritën më herët në Kuvend për të shmangur përplasjet e ngjashme me ato të herës së kaluar. Versus.al
VIDEO/ E paprecedentë, Kuvendi rrethohet me gardh metalik! Bardhi: Akt që turpëron çdo shqiptar
Një situatë e paprecedentë ka kapluar tashmë jetën parlamentare pas rinisjes së aksionit të dhunshëm të opozitës në Kuvend. Para nisjes së seancës plenare të sotme, Garda a rrethuar hyrjen e Kuvendit me gardh metalik për të parandaluar hyrjen e deputetëve të përjashtuar të PD.
Lidhur me këtë fakt ka reaguar edhe kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi i cili duke publikuar pamjet në rrjetin social “facebook” e cilëson këtë si “akt që turpëron Shqipërinë dhe çdo shqiptar”.
“Ky është Kuvendi i Shqipërisë sot në mëngjes! Dera kryesore e tij e rrethuar me hekura dhe me më shumë forca sigurie sesa deputetë. Shqipëria bëhet kështu vendi i vetëm, që nga njëra anë është vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian, dhe nga ana tjetër rrethon hyrjen kryesore të Kuvendit për ta mbrojtur nga deputetët “armiq”!
Kuvendi nuk është burg dhe as qeli burgu, edhe pse shumica e përfaqësuesve të mazhorancës qeverisëse duhet të ishte në burg dhe jo në atë sallë. Shndërrimi i Kuvendit në “qelinë e rrethuar me hekura” të Pëllumb Gjokës e të ngjashmëve të tij është një akt që turpëron Shqipërinë dhe çdo shqiptar!”- thuhet në reagimin e Bardhit. Versus.al
Seancë plenare në Kuvend, PD paralajmëron vijimin e kaosit! Në rend dite interpelancë dhe raporti i KLSH
Kuvendi do të mblidhet sot në seancë plenare që nis në orën 10:00. Rendi i ditës përmban miratimin e disa proces verbaleve si dhe diskutimi i raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për veprimtarinë gjatë 2023-it.
Gjithashtu në rend dite është edhe një interpelancë e deputetit Agron Shehaj me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaron lidhur me skandalin e publikuar një muaj më parë mbi transportin e mbetjeve toksike.
Megjithatë, ashtu si në dy seancat e kaluara, më 30 shtator dhe 3 tetor, edhe sot pritet që deputetët e Partisë Demokratike të vijojnë me aksionin e tyre të dhunshëm opozitar të rinisur pas dënimit me 1 vit burg të Ervin Salianjit, i cili tashmë e ka humbur edhe mandatin e deputetit. Seanca e planifikuar për t’u zhvilluar më 10 tetor, nuk u zhvillua për shkak të vizitës së presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në vendin tonë.
Demokratët e konsideruan si shkelje të kushtetutës anulimin e seancës për vizitën e Erdogan duke argumentuar se mund të ishte zhvilluar pasdite.
Ndërkohë për kaosin në Kuvend që kulmoi me djegien e karrigeve, aktualisht janë të përjashtuar 23 deputetë të opozitës mes të cilëve, Bardhi Noka dhe Nallbati të përjashtuar secili me nga 60 ditë ndërsa kolegët e tyre me nga 40 ditë. I vetmi që i shpëtoi një përjashtimi kaq të gjatë ishte deputeti Edi Paloka i cili u përjashtua vetëm me 10 ditë. Dje Kuvendi publikoi shifrën e dëmeve që duhet të shlyejnë deputetët demokratë, Gazment Bardhi, Flamur Noka, Bledion Nallbati dhe Elda Hoti me faturën prej 764 mijë lekësh për djegien e karrigeve dhe dëmtimin e mikrofonave e tapetit ceremonial. Versus.al







