Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kreu i SPAK Altin Dumani zhvilloi sot një takim me gazetarët të cilëve iu ktheu përgjigjie mbi shumë çështje aktuale nën hetim. *Fillimisht temë kryesore ishte ajo e parandalimit të krimeve zgjedhore, për të cilën Dumani tha se SPAK ka gati një strategji që do publikohet brenda këtij muaji. Strategjia përmban një plan veprimi dhe një urdhër për të cilin ai nuk dha detaje të tjera. *Pjesë e diskutimit ishte edhe pezullimi i hetimeve për Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit, sa i takon çështjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë. Dumani tha se nuk ishin gjetur prova të përfshirjes së tij në këtë ngjarje. *Lidhur me mundësinë që Meta të lirohet ashtu si Berisha, Dumani tha se SPAK respekton vendimet e gjykatës, por shtoi se nëse një gjë e tillë ndodh, do të ankimohet.
Prokurorë të SPAK në përgjimet e Sky Ecc?! Dumani: Çdo indicie që ka dalë…
Gjatë takimit që pati me gazetarët, kreu i SPAK Altin Dumani u pyet edhe lidhur me mundësinë që prokurorë të këtij institucioni të kenë përdorur Sky Ecc.
Ai tha se janë hetuar edhe personat e tretë që mund të shfaqen në përgjime me qëllim për të gjetur prova lidhur me çdo gjë.
“Kur dy persona flasin për një të tretë, jemi kujdesur të gjejmë prova. Çdo indicie që ka dalë, një për një e kemi verifikuar. I kemi marrë në pyetje të gjithë”- tha Dumani.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve mbi identifikimin e politikanëve që kanë përdorur “Sky Ecc”, Dumani përmendi rastin e ish-deputetit të PS Jurgis Çyrbja dhe tha se në momentin që do të kenë prova të tjera, të gjithë politikanët e përfshirë do të goditen pavarësisht nivelit të tyre në hierarkinë publike.
“Një ish-deputet Jurgis Çyrbja është në qeli. Ne nuk kemi të gjithë databasat e aplikacionit Sky ecc. Nga ato informacione që kanë ardhur, ka rezultuar ajo lidhje që është bërë publike. SPAK është i vendosur për përmbajtjen e Sky, kemi edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi pretendimet e një personi që është marrë i pandehur (Pëllumb Gjoka, dosja Metamofroza). Ne jemi të lirë të ushtrojmë ndjekje penale. SPAK është një nga kontribuesit më të mëdhenj me institucuonet e tjera ligjzbatuese, sa i përket këtij aplikacioni. Kur kemi patur prova, apo nëse do kemi do godasin ccdo nivel politikani. SPAK ushtron ndjekjen penale për këdo”- shtoi kreu i SPAK. Versus.al
Mundësia që Ilir Meta të lirohet nga burgu, Dumani: E ankimojmë nëse ndodh
I pyetur për mundësinë që skenari i njëjti i lirimit të Berishës të përsëritet edhe për Metën, kreu i SPAK tha se hetimet vijojnë dhe se prokurorët respektojnë atë që vendos gjykata.
“Nuk kemi ndjeshmëri. Respektojmë vendimin e gjykatave. Jemi zbatues të ligjit. Kur nuk kënaqemi, ushtrojmë te drejten e ankimimit. Për Ilir Metën, hetimi po vijon. Kërkesat e SPAK janë gjetur të drejta nga shkallët e gjyqësorit dhe Kushtetuesja i dha fundit të gjithave”- tha Dumani.
Sa i takon rihapjes së hetimeve për 21 janarin, Dumani u shpreh se e ka në dorë prokurori i çështjes nëse do të thërrasë persona të tjerë për të dëshmuar.
“Për pyetjen e parë nuk shprehem. Për të dyten, është kompetencë e prokurorit të çështjes për të thirrur persona të ndryshëm. Une personalisht, preferoj që deshmitarët ti thërrat të fundit, pasi të grumbulloj prova, më pëlqen ti ballafaqoj”- shtoi ai. Versus.al
'Xibraka' dhe Olsi Rama, Dumani zbulon përse u pezulluan hetimet për vëllain e kryeministrit
Në mbledhjen që pati me gazetarët, kreu i SPAK Altin Dumani u pyet edhe lidhur me pezullimin e hetimeve për Olsi Ramën ndaj të cilit kishte denoncim për dyshimin se ishte i përfshirë në grupin kriminal të laboratorit të drogës në Xibrakë.
Dumani tha se nuk u gjet asnjë provë mbi pretendimet lidhur me Olsi Ramën dhe se hetimet u pezulluan për shkak se vëllai i kryeministrit Edi Rama nuk është marrë person nën hetim, pasi vetëm në atë rast mund të kishte “pushim të çështjes”.
“Përgjigja është ajo që keni marrë. SPAK ka kryer hetimet dhe ka vendosur pezullim për mos zbulimntë autorëve. U hetua edhe përfshirja e Ols Ramës, nuk u gjet provë. U pezulluan hetimet për shkak se nuk është regjistruar emri i tij si person në hetim. Në rast se do ishte në hetim, do kishte pushim të çështjes”- u shpreh kreu i SPAK mes të tjerash. Versus.al
Krimet zgjedhore, Dumani gati strategjinë për 11 majin: Kemi plan veprimi dhe një urdhër
Kreu i SPAK, Altin Dumani ka zhvilluar sot një takim me gazetarët ku është diskutuar lidhur me veprimtarinë e institucionit që drejton. Mbledhja është përqendruar në strategjinë për krimet zgjedhore.
Dumani bëri me dije se është hartuar një strategji dhe se së shpejti do të publikohet pasi pritet vetëm miratimi.
“Kemi gati strategjinë e hetimit, presim vetëm miratimin. Është menduar një plan veprimi dhe një urdhër të cilin nuk mund ta bëj publik për momentin. Brenda janarit publikojmë strategjinë kundër krimeve zgjedhore”- u shpreh Dumani ndër të tjera.
Strategjia ka si qëllim parandalimin e veprimtarive kriminale të shitblerjes së votës apo presionet mbi zgjedhësit të cilat shpesh herë bëhen shkak kontestimi për rezultatin e zgjedhjeve. Versus.al







