Çfarë do të gjeni në brendësi
*Seanca e sotme plenare ku ishte planifikuar të mbahej interpelanca e anuluar herën e kaluar me ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu, është përfshirë nga debate lidhur me tema të ndryshme. *Fillimisht kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi kërkoi llogari përse kërkesa e tij për interpelancë me Ramën lidhur me çështjen Becchetti, nuk ishte përfshirë në rend dite. Spiropali u përgjigj duke thënë se për interpelancë lidhur me një çështje duhet të ketë fakte konkrete dhe jo hamendësime. *Me shumicë të votave, mazhoranca rrëzoi kërkesën e Bardhit për interpelancë me Ramën. *Pas interpelancës me Manastirliun, mandati i Olta Xhaçkës dhe përgjigjia e komisionit të Venecias për të u bë çështje debati”. Mazhoranca dhe opozita e komentuan secila në favorin e tyre përgjigjen e dhënë nga Venecia.
‘Venecia’ për Xhaçkën sjell përplasje, Bardhi: Ta çojmë në Kushtetuese! Balla: Humbjet i quani fitore

Opinioni i Komisionit të Venecias lidhur me mandatin e Olta Xhaçkës, ka shkaktuar debate gjatë seancës së sotme plenare. Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi kërkoi nga Spiropali që të kalonte për votim vendimin e Gjykatës Kushtetuese për deputeten socialiste.
Duke marrë si argument në favor përgjigjen e Komisionit të Venecias, Bardhi tha se në opinion thuhej qartë se deputetët do duhej ta kishin votuar vendimin e Kushtetueses.
“Nxorrën lajme të rreme në një television që është kthyer në një turp kombëtar. Vetëm kur mediat e pavarura morën në dorë këtë opinion, u detyruan të ndryshonin lajmin e rremë që ju kishit shpërndarë. Nuk ka rëndësi cfarë themi ne, por ajo çfarë thotë Gjykata Kushtetuese. Këshilla që ju ka dhënë është: zbatoni vendimet e gjykatës Kushtetuese. Nuk varet nga halli juaj personal. Nuk mund të nisesh nga halli jot për të zgjidhur hallin e Xhaçkës”- tha Bardhi.
Nga ana tjetër, socialistët kishin një tjetër interpretim të opinionit, duke theksuar faktin e nënvizuar se deputetët nuk mund të detyroheshin të votonin në një mënyrë të caktuar.
Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin ,Taulant Balla tha se nuk mundet që çdo gjë që dëshiron gjykata të miratohet nga parlamenti dhe se për këtë arsye Shqipëria është ‘Republikë parlamentare’ e jo ‘qeveri gjyqtarësh’.
“Deputeti nuk mund të detyrohet të votojë një vendim në një formë apo në një tjetër. Nëse nuk do i kisha sytë e mbyllur nga politika siç i keni ju, do vija këtu dhe të thoja: ky është një vendim që respekton parimin e ndarjes së pushteteve. Ju thoni se një ditë të bukur të çohet gjykata dhe t’i thotë Kuvendit se nuk duhet të votojë më ligje se kështu thotë gjykata.
Ju ja keni marrë dorën se çdo humbje e konsideroni fitore. Në raste të tilla, fitore si kjo ju korrshit sa herë të keni mundësi. Pyetjet që i kanë shkuar komisionit ndoshta nuk i keni lexuar. Lexojini edhe ato dhe më pas i bëni derman edhe Asllanit se tashi u bëmë si teatër kukullash këtu. Kalojmë tek çështja tjetër tashmë se këtë e humbët”- tha Balla. Versus.al
“E paimagjinueshme që Xhaçka është në këtë sallë”, Berisha: E ndëshkuar nga Kushtetuesja dhe Venecia
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në Kuvend u përqendrua në rastin e opinionit të dhënë nga Komisioni i Venecias për mandatin e Olta Xhaçkës.
Berisha e cilësoi “të paimagjinueshme” praninë e Xhaçkës në Kuvend paçka se komisioni i Venecias kishte argumentuar se qeveria duhej të kishte votuar pro vendimit të Gjykatës Kushtetuese për marrjen nën shqyrtim të mandatit të deputetes socialiste.
“Kjo që ndodh në këtë parlament është e pashembullt. Kjo mazhorancë është shndërruar në parzmore të grabitjes dhe plaçkitjes së pasurisë publike nga ministrat dhe qeveritarët.
Në historinë e Europës dhe të botës kurrë nuk ka ndodhur që një ministre pasi burrin e vet investitor strategjik, në shkelje flagrante të ligjeve të vendit, pra pasi përvetësoi duke përdorur pushtetin e besuar nga qytetarët për të pasuruar vetën dhe familjen e vet me një pronë 10 mijë metra katrorë tokë publike në një zonë ku kushton të paktën 250 euro metri katror, tani ju poshtëroni Kushtetutën, poshtëroni vendin, poshtëroni zgjedhësit dhe mbani këtu në mënyrën më të paimagjinueshme njeriun e ndëshkuar nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias”- tha Berisha.
Ndër të tjera, ish-kryeministri akuzoi qeverinë se po bllokonte vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe opinionin e Komisionit të Venecias. Sipas tij, Xhaçka mbrohet personalisht nga kryeministri Edi Rama për abuzimet me pronat në bregdet ku bashkëshorti i saj është shpallur investitor strategjik.
“Pse ndodh kjo? Ky është një qëndrim ekstrem për të mbrojtur me çdo kusht vjedhjet, plaçkitjet që kanë bërë. Fijet e Olta Xhaçkës, që bëhet këtu personazh unik, janë të lidhura direkt me Edi Ramën. Janë të lidhura direkt me Edi Ramën sepse Edi Rama, siç është bërë tashmë e njohur, është 30 përqindëshi i investitorëve strategjikë.
Por në qoftë se ju, pasi keni futur në xhep Skapin e partisë, pasi përpiqeni të injoroni tërësisht aktet e kontrollit të shtetit, bllokoni dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, bllokoni edhe vendimet e Komisionit të Venecias. Flamuri juaj i zi i hajdutit meriton të digjet në sheshin Skënderbej.Është bërë shumë evidente se të gjitha aferat që çojnë tek kryehajduti Edi Rama nuk mund të diskutohen”- tha Berisha.
Pasi mbajti fjalën në foltore, Berisha u largua nga salla e Kuvendit dhe foli për mediat në dalje të institucionit duke u shprehur se kishte informacione për një luftë të brendshme në Partinë Socialiste. Versus.al
Arbitrazhi 110 mln euro për Becchettin, Bardhi: Ndërprisni seancën! Rama të mos fshihet, por të japë llogari

Seanca plenare e ditës së sotme ka nisur me kërkesën e kreut të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi i cili kërkoi që të zhvillohet interpelanca me kryeministrin Edi Rama lidhur me arbitrazhin e Becchettit, duke pretenduar se shteti shqiptar ka paguar 110 mln euro ndaj italianit.
Bardhi tha se kryeministri duhet të paraqitet në Kuvend për të dhënë llogari dhe të mos fshihet.
“Kemi kërkuar interpelancë me kryeministrin për arbitrazhin 110 milione eurosh ndaj Becchettit. Nuk bëhet fjalë këtu për letra të shtetit shqiptar, por për vendim të gjykatës belge. Ndërprisni seancën detyrojeni të mos fshihet dhe të vijë të japë llogari”- tha Bardhi.
Fjalën e mori edhe ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin Taulant Balla i cili e konsideroi deklaratën e Bardhit si “shpifje dhe propagandë”. Balla tha se në rregullore nuk thuhet se kryeministri ka për detyrë të paraqitet në interpelancë kur pretendimet nuk janë të bazuara në fakte.
“Kryeministri e ka të pamundur të lërë angazhimet e veta për t’ju përgjigjur kësaj kërkese për interpelancë për një shpifje të propaganduar publikisht. E them shpifje sepse bëhet fjalë për një lajm të rremë se shteti shqiptar i paska paguar 130 mln euro një elementi kriminal me të cilin shteti shqiptar po vazhdon të përplaset në gjyqe apo procese penale, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shtete të tjera të Europës. Këtu na thuhet që kërkohet të vijë kryeministri për të sqaruar një shpifje. Ma gjeni në rregullore se kush është detyrimi i kryeministrit apo ministrave të tjerë që të paraqitet për të sqaruar një shpifje”- tha Balla.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali e cila tha se duhet që për interpelancë të paraqiten fakte konkrete. Versus.al
Seanca e kaluar dështoi, Kuvendi mblidhet sërish sot për interpelancën e demokratëve me Manastirliun
Kuvendi mblidhet sot në orën 10:00 për të zhvilluar seancën plenare në qendër të së cilës pritet të jetë interpelanca e kërkuar nga grupi parlamentar i PD me ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu.
Interpelanca për sigurinë në shkolla pas tragjedisë të ndodhur pranë shkollës “Fan Noli”, ishte planifikuar të mbahej të enjten e kaluar, por dështoi për shkak të përplasjeve mes deputetes Ina Zhupa dhe Erion Braçe.
Ky i fundit e krahasoi Zhupën me femrat ruse, ndërsa demokratja nuk u kursye në përgjigjen e saj të ashpër duke sjellë boshatisjen e sallës nga ana e ministrave dhe deputetëve socialistë.
Ndërkohë, seanca e kaluar solli edhe përplasje mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të grupit parlamentar Gazment Bardhi i cili i kërkoi llogari Spiropalit për mos-zhvillimin e interpelancës me kreun e qeverisë sa i takon çështjes “Bechetti”.
Rama nëpërmjet një reagimi të gjatë në rrjetet sociale tha se nuk do të jetë i pranishëm në asnjë interpelancë të kërkuar nga Bardhi derisa SPAK të përfundojë hetimet lidhur me denoncimet publike të kreut të grupit të PD, i cili akuzoi Olsi Ramën për përfshirje në laboratorin e drogës në Xibrakë. Versus.al








