Çfarë do të gjeni në brendësi
*Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj i arrestuar të enjten nën akuzën e abuzimit me fondet e BE-së gjatë kohës që drejtonte “SASPAC” (agjencinë e koordinimit të ndihmave), u la sot në burg në një seancë gjyqësore maratonë që zgjati për rreth 6 orë. *Në burg u la edhe bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, Ermal Kurtulaj ndërsa u ndryshua masa e sigurisë për Alfred Nikollajn i cili u arrestua të enjten gjatë operacionit ku iu vunë prangat ish-ministrit të Shëndetësisë. *Gjykata nuk pranoi ofertën e Beqajt dhe Kurtulajt për të lënë garanci pasurore në këmbim të ndryshimit të masës së sigurisë. *Në dalje nga GJKKO, avokati i Beqajt, Ermal Yzeiraj u shpreh se klienti i tij ka sqaruar se akuzat ndaj tij nuk qëndrojnë. Ndërsa shtoi se beson që SPAK e ka personale me ish-ministrin dhe kërkon të denigrojë figurën e tij për shkak të dështimit në çështje të tjera hetimore të ngritura.
U la në burg nga GJKKO, zbardhen 4 akuzat zyrtare ndaj ish-ministrit Ilir Beqaj

Gjykata e Posaçme ka dalë me një njoftim zyrtar për lënien në fuqi të masës së sigurisë “arrest me burg” për ish-ministrin Ilir Beqaj dhe bashkëpunëtorin më të ngushtë të tij Ermal Kurtulajn.
Beqaj, akuzohet për 4 vepra të ndryshme penale, konkretisht si 'Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore', 'Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” “Mashtrim” si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Gjatë seancës që zgjati për 6 orë në GJKKO, u ndryshua vetëm masa për Alfred Nikollën, të cilit nga “arrest me burg”, gjykata i caktoi arrest shtëpie.
Njoftimi zyrtar i GJKKO:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 04.07.2024, Nr. Regj.Them. 73, ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën penale me objekt: “1.Verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit dhe nevojat e sigurimit personal të vendosura për personat nën hetim; 2. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale për personat nën hetim Ilir Beqaj, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla, të dyshuar për veprat respektive; 3. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, të parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale për personat nën hetim Bledar Leka dhe Bjona Ziaj, të dyshuar për veprat respektive; 4. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi” të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale për personin nën hetim Elton Marini, të dyshuar për veprën penale respektive”.
2. Në përfundim të gjykimit Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenin 112, 228, 229, 230, 234, 237, 238, 248, 249, 260 të K.Pr.Penale dhe Vendimin Unifikues të Gjykatës së Lartë nr. 7, datë 14.10.2011, me Vendimin Nr. 73, datë 06.07.2024.
1. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Ilir Hamid Beqaj, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal; “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal, “Mashtrim” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/ 3 i Kodit Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
2. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Ermal Xhemal Kurtulaj, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë publikë”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal, “Mashtrim” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/3 i Kodit Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
3. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Alfred Nikollaq Nikolla, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë publike”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe “Mashtrim” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/ 3 i Kodit Penal.
4. Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim Alfred Nikollaq Nikolla.
5. Në referim të nenit 237, pika 1 të K.Pr.Penale urdhërohet personi nën hetim Alfred Nikollaq Nikolla, të qëndrojë në banesën e tij me adresë: Rruga “Tish Daija”, Kompleksi “Kika 2”, Nd. 32, H4, Ap. 54, Nj. Adm. Nr. 5, Tiranë.
6. Në referim të nenit 237, pika 2 dhe 3 të K.Pr.Penale, kontrolli dhe mbikëqyrja e kësaj mase të bëhet nga shërbimet e policisë gjyqësore që mbulojnë vendbanimin e personit nën hetim Alfred Nikollaq Nikolla.
7. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Elton Koli Marini, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”, me pasoja të rënda kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 143/ 3 i Kodit Penal.
8. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Bledar Shpend Leka, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim” kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 143/2 i Kodit Penal.
9. Në referim të nenit 234, pika 2 të K.Pr.Penale urdhërohet personi nën hetim Bledar Shpend Leka, të paraqitet para oficerit të policisë gjyqësore Samet Gurguri, pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 12.00.
10. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Bjona Bexhet Ziaj, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal.
11. Në referim të nenit 234, pika 2 të K.Pr.Penale urdhërohet personi nën hetim Bjona Ziaj, të paraqitet para oficerit të policisë gjyqësore Samet Gurguri, pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 12.00.
12. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
13. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit. Versus.al
Beqaj u la në burg për abuzimin me fondet e BE, avokati: SPAK e ka personale me të
Ermal Yzeiraj, avokati i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj pasi doli nga GJKKO ku u mbajt seanca maratonë 6 orë në të cilën u caktua masa e sigurisë “arrest me burg” për Beqajn, akuzoi SPAK-un se kishte çështje personale me klientin e tij.
Sipas tij, SPAK po përpiqet të justifikojhë dështimin për çështje të tjera hetimore. Ndërsa tha se pa pasur një shifër të saktë mbi sasinë e parave që SPAK pretendon se Beqaj ka përfituar nga kjo veprimtari, nuk mund të ketë akuzë ndaj tij.
“Beqaj sqaroi pse një event i përbashkët mbante dy fatura. Por salla u nda në disa mikrofona dhe panele në ditët në vazhdim. Beqaj sqaroi gjykatën se kjo është tentativë për të denigruar si figurë për ta akuzuar për vjedhje nga më të voglat që ta pengojnë që të vazhdojë të punojë për çështjen e sterilizimit në gjykatë.
Mendojmë se SPAK e ka personale çështjen e Beqajt duke qenë se me të e ka nisur veprimtarinë si organ dhe dështimin e çështjeve kryesore si Sterilizimi dhe Check Up-in është shumë e rëndë për ta.
SPAK nuk ka përgjigjie mbi sasinë e parave që dyshohet se Beqaj ka përfituar nga kjo veprimtari. Pa pasur një sasi, nuk mund të ngresh akuza ndaj tij”- u shpreh avokati. Versus.al
Abuzim me fondet e BE, GJKKO lë në burg ish-ministrin Beqaj dhe Kurtulajn! Lirohet një prej bashkëpunëtorëve
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe bashkëpunëtori i tij më i ngushtë në skemën korruptive të faturave fiktive për abuzimin me fondet e BE-së gjatë periudhës 2022-2023, kur drejtonte SASPAC, janë lënë në burg në përfundim të seancës maratonë në GJKKO.
Vet ëish-ministri mohoi akuzat duke thënë se nuk ka pasur arsye për fshehje të pasurisë siç pretendohet nga SPAK. Pas 6 orëve në seancë gjyqësore, nuk u pranua oferta e Beqajt dhe Kurtulajt për të lënë garanci pasurore në këmbim të ndryshimit të masës së sigurisë.
Ndërsa u ndryshua masa për një prej bashkëpunëtorëve të dyshuar në këtë skemë, Alfred Ballën, nga arrest me burg në “arrest shtëpie” Ndërkohë për të hetuarit e tjerë, Elton Marini (arrest shtëpie) dhe Bledar Lekën e Bjona Zijajn (detyrim paraqitje) u lanë në fuqi masat e ekzekutuara nga SPAK.
Avokati i Beqajt, Ermal Yzeiraj tha se kjo është një metodë e SPAK për të penguar Beqajn që të mbrohet për hetimin e çështjes së koncesionit të Sterilizimit dhe pretendoi se Prokuroria e Posaçme po kërkon të “sakrifikojë” Beqajn për dështimet e saj në çështje të tjera.
Ish-ministri akuzohet për 4 vepra penale, korrupsion, fshehje pasurie, mashtrim dhe shkelje barazie në tendera. Në bashkëpunim me dy punonjës të SASPAC, Ermal Kurtulajn dhe Alfred Nikollën gjithashtu të arrestuar në kuadër të kësaj çështje hetimore, Ilir Beqaj ngriti një skemë korruptive me fatura fiktive ndaj institucionit që drejtonte. Më pas këto para që paguheshin nga agjencia që duhej të menaxhonte fondet e BE, tërhiqeshin dorazi nga krahu i tij i djathtë Ermal Kurtulaj me të cilin Beqaj kishte në bashkëpronësi edhe restorant "Gzona" në Kalanë e Tiranës. Nuk ka një shifër konkrete nga SPAK lidhur me shumën e parave të përfituara nga Beqaj gjatë kësaj veprimtarie kriminale, por gjatë kontrolleve në kompaninë "Albanian Food and Hospitality” nën pronësinë e Beqajt, janë sekuestruar rreth 54 mijë euro cash. Versus.al
Beqaj dhe Kurtulaj ofrojnë mijëra euro garanci pasurore! Dëshmia e ish-ministrit: Me paratë që kam, mund të blej...
Ish-ministri Ilir Beqaj ka ofruar 50 mijë euro si garanci pasurore në këmbim të lirisë së tij nga qelia ku po mbahet në paraburgim pas arrestimit ditën e enjte nën akuzën e abuzimit me fondet e BE-së gjatë drejtimit të SASPAC në periudhën 2022-2023.
Gjatë seancës në GJKKO, Beqaj mohoi akuzat ndaj tij, ndërsa kërkoi masë më të butë sigurie. Ndërsa sa i takon automjetit me të cilin udhëtonte, që dyshohet se është pronë e fshehur e tij nën emrin e Ermal Kurtulajt, Beqaj u justifikua duke thënë se me të ardhurat e tij mund të blinte disa automjete të ngjashme, por rri pasagjer sepse nuk ka patentë. Lidhur me restorant "Gzona" që dyshohet se është pronë e fshehur e tij, Beqaj tha se ishte e gjitha çështje fati pasi një mik i kishte ofruar bashkëpunim.
"Unë gjithmonë hipi pasagjer se skam patentë. Një makinë të tillë mund ta përdor pa problem me të ardhurat që kam, mund të përballoj jo shpenzimet e kësaj makine por disa të tilla me të ardhurat që kam, s’kam arsye ta fsheh.
Kur është futur bashkëshortja te “Gzona”, ishte fat që një mik i përbashkët kishte interes për të bashkëpunuar në biznes. Kjo për faktin se shihej si mundësi për të ofruar për shkak të njohjes klientë të serës së lartë”- mësohet të jetë shprehur Beqaj.
Të njëjtën ofertë për garanci pasurore e ofroi edhe krahu i tij i djathtë Ermal Kurtulaj i cili tha se mund të linte paratë e fituara nga shitja e automjetit të tij tip "Audi Q7".
Seanca në GJKKO e nisur prej orës 12:30 u ndërpre për 30 minuta. Ndaj ish-ministrit rëndojnë akuzat për 4 vepra penale, korrupsion, fshehje pasurie, mashtrim dhe shkelje barazie në tendera. Në bashkëpunim me dy punonjës të SASPAC, Ermal Kurtulajn dhe Alfred Nikollën gjithashtu të arrestuar në kuadër të kësaj çështje hetimore, Ilir Beqaj ngriti një skemë korruptive me fatura fiktive ndaj institucionit që drejtonte. Më pas këto para që paguheshin nga agjencia që duhej të menaxhonte fondet e BE, tërhiqeshin dorazi nga krahu i tij i djathtë Ermal Kurtulaj me të cilin Beqaj kishte në bashkëpronësi edhe restorant "Gzona" në Kalanë e Tiranës. Versus.al
Çfarë po ndodh në seancë? Prej disa orësh në gjykatë, Beqaj mohon akuzat e SPAK
Ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka kundërshtuar fortë akuzat e SPAK ditën e sotme.
Beqaj dhe dy bashkëpunëtorët e tij të arrestuar për abuzime me fondet e Bashkimit Europian kanë dalë para gjykatës, që në orën 12:30.
Ish ministri dhe dy bashkëpunëtorët e tij Ermal Kurtulaj, krahu i tij i djathtë dhe Alfred Nikolla do të njihet me masën e sigurisë, pasi SPAK i akuzon si autorë të 8 tenderave fiktivë.
Ditën e djeshme Gjykata nuk i verifikoi dot 8 masat e sigurisë mes tyre edhe ndaj ish funksionari Ilir Beqaj, të identifikuar si shpërdorues të fondeve të Bashkimit Europian, përmes prokurimeve dhe shërbimeve fiktive që aprovoheshin nga SASPAK.
Avokatët e tyre kërkuan kohë shtesë për të studiuar fashikujt e prokurores së çështjes Elida Kackini, dhe për këtë shkak gjyqtarja e shtyu seancën për sot.
Sot ish-ministri Ilir Beqaj do të njihet me masën e arrestit ndaj tij
Ditën e sotme do të mbahet seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe personat e tjerë për të cilën SPAK dha masë sigurie.
Në këtë seancë, e cila ishte parashikuar që të mbahej dje, do të bëhet rivlerësimi i masave të sigurisë, 3 me arrest me burg dhe dy arrest shtëpie. Përveç Beqajt u arrestuan dhe Ermal Kurtulaj, krahu i tij i djathtë dhe Alfred Nikolla. Sakaq, pritet që sot në GJKKO të mbahet një seancë e gjatë maratonë.
Beqaj u arrestua lidhur me shpërdorimin e fondeve të BE-së, përmes agjencisë Saspak, të cilën ish-ministri i Shëndetësisë e drejtonte, edhe pse më parë ndaj tij, SPAK kishte nisur hetimet lidhur me koncesionet në shëndetësi.
Prokuroria e Posaçme përmes një deklarate sqaroi se nga hetimet rezultoi se kur drejtonte Agjencinë SASPAC, ka ngritur skemë përfitimi me fatura dhe procedura prokurimi fiktive, duke zhvatur fondet e BE (Programi IPA II).
SPAK thekson se fondet për aktivitetet e agjencisë SASPAC shkonin te fituesit e paracaktuar sipas urdhrave dhe direktivave që jepte Beqaj. Në funksion të kësaj skeme, thekson SPAK, Beqaj ka bashkëpunuar me Ermal Kurtulaj, financieri dhe bashkëpunëtori i ngushtë i tij. Sipas SPAK, restoranti “Gzona’ brenda në Kalanë e Tiranës ndonëse ka për administrator një person tjetër, është pronë e fshehur e Beqajt. SPAK thekson se Beqaj ka investuar te restorant “Gzona” prej vitit 2019 shumat 21 411 euro dhe 4 666 110 lekë të reja për blerjen e pajisjeve dhe 34 783 euro si shpenzime qiraje.
“Personi nën hetim I. B. dyshohet se ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në vazhdim, pasi ka fshehur interesat pasurore të tij mbi restorantin “G…..” me adresë pranë Kalasë Tiranë, që nga krijimi e deri në vazhdim. Pavarësisht se bashkëshortja e tij ka figuruar de jure ortake në masës 15% në këtë shoqëri deri në vitin 2020 duke i dhuruar më pas kuotat e saj ortakut tjetër, ortak ka qenë në fakt vetë personi nën hetim I. B., i cili ka vijuar si i tillë edhe përgjatë kohës që drejtonte SASPAC-un. Personi nën hetim I.B. dyshohet të ketë investuar në vitin 2019 në shoqëri të paktën shumën prej 21.411 euro dhe 4.666.110 lekë, në formën e blerjeve të pajisjeve (aseteve) dhe në shumën 34.783 Euro në formën e shpenzimeve si qira e të tjera, duke mos i deklaruar ato si hua ndaj shoqërisë. Interesat pasurore të tij mbi këtë restorant i ka ushtruar nëpërmjet personit nën hetim E. K., i cili ka administruar ato, duke qenë i punësuar në këtë restorant që nga krijimi i tij, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore”, deklaron SPAK.
Gjithashtu, sipas njoftimit të bërë publik nga Prokuroria e Posaçme, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka bërë deklarim të rremë pasurie. “Personi nën hetim I. B. dyshohet se ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në vazhdim, pasi ka fshehur interesat pasurore të tij mbi restorantin “G…..” me adresë pranë Kalasë Tiranë, që nga krijimi e deri në vazhdim. Pavarësisht se bashkëshortja e tij ka figuruar de jure ortake në masës 15% në këtë shoqëri deri në vitin 2020 duke i dhuruar më pas kuotat e saj ortakut tjetër, ortak ka qenë në fakt vetë personi nën hetim I. B., i cili ka vijuar si i tillë edhe përgjatë kohës që drejtonte SASPAC-un. Personi nën hetim I.B. dyshohet të ketë investuar në vitin 2019 në shoqëri të paktën shumën prej 21.411 euro dhe 4.666.110 lekë, në formën e blerjeve të pajisjeve (aseteve) dhe në shumën 34.783 Euro në formën e shpenzimeve si qira e të tjera, duke mos i deklaruar ato si hua ndaj shoqërisë. Interesat pasurore të tij mbi këtë restorant i ka ushtruar nëpërmjet personit nën hetim E. K., i cili ka administruar ato, duke qenë i punësuar në këtë restorant që nga krijimi i tij, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore. Personi nën hetim I.B. ka fshehur edhe pasurinë e luajtshme automjet me targë AB ….. DE blerë në vitin 06.09.2019, në emër të personit nën hetim E. K”, thuhet në reagimin e SPAK.







