Live Updates /

Shqipëria “nën pushtetin e flakëve”, 19 vatra zjarri në të gjithë vendin! Problematikë terreni i thyer

*Nga veriu në jug, vendi ndodhet në një situatë të vështirë të krijuar nga zjarret e mëdha, në zona të ndryshme të vendit. *Në Malin e Tërnovës në Bulqizë, gjendja paraqitet e rëndë pasi zjarri vijon prej ditësh dhe qindra hektarë pyje janë shkrumbuar. Zjarrfikësit nga ana tjetër e kanë të vështirë ndërhyrjen për shkak të terrenit tepër të thyer malor. *Një zjarr i madh përfshiu sot edhe dy anët e Rrugës së Kombit duke vënë nën alarm drejtuesit e automjeteve të cilët për shkak të tymit të dendur nuk arrinin të shquanin dot asgjë. Por fatmirësisht nuk u raportua për aksidente. *Në Delvinë, 110 zjarrfikës janë në terren për shuarjen e flakëve në dy prej fshatrave ku janë shkrumbuar qindra hektarë tokë. Shefi i zjarrfikësve Artur Kseno tha se zjarret ishin ndezur qëllimisht dhe u bëri thirrje qytetarëve që të jenë më të përgjegjshëm. *Fshati Mërkuraj në Vlorë, prej orësh është nën pushtetin e flakëve të cilat kanë shkrumbuar qindra hektarë kullota. *Ministria e Mbrojtjes, në të dhënat e publikuara bëri me dije se në të gjithë vendin janë ende 19 vatra aktive zjarri.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Nga veriu në jug, vendi ndodhet në një situatë të vështirë të krijuar nga zjarret e mëdha, në zona të ndryshme të vendit. *Në Malin e Tërnovës në Bulqizë, gjendja paraqitet e rëndë pasi zjarri vijon prej ditësh dhe qindra hektarë pyje janë shkrumbuar. Zjarrfikësit nga ana tjetër e kanë të vështirë ndërhyrjen për shkak të terrenit tepër të thyer malor. *Një zjarr i madh përfshiu sot edhe dy anët e Rrugës së Kombit duke vënë nën alarm drejtuesit e automjeteve të cilët për shkak të tymit të dendur nuk arrinin të shquanin dot asgjë. Por fatmirësisht nuk u raportua për aksidente. *Në Delvinë, 110 zjarrfikës janë në terren për shuarjen e flakëve në dy prej fshatrave ku janë shkrumbuar qindra hektarë tokë. Shefi i zjarrfikësve Artur Kseno tha se zjarret ishin ndezur qëllimisht dhe u bëri thirrje qytetarëve që të jenë më të përgjegjshëm. *Fshati Mërkuraj në Vlorë, prej orësh është nën pushtetin e flakëve të cilat kanë shkrumbuar qindra hektarë kullota. *Ministria e Mbrojtjes, në të dhënat e publikuara bëri me dije se në të gjithë vendin janë ende 19 vatra aktive zjarri.

5 Postime
7 MUAJ ME PARE

Zjarr i madh në Vlorë, digjen qindra hektarë tokë në fshatin Mërkuraj

Shqipëria “nën pushtetin e flakëve”, 19 vatra zjarri
Foto nga zjarri në fshatin Mërtiraj

Situata me zjarret në vend paraqitet e rrezikshme dhe jashtë kontrollit. Së fundmi, një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë zonën e fshatit Mërtiraj në njësinë administrative Vllahinë.

Zjarri është përhapur me shpejtësi, i favorizuar nga era duke shkrumbuar sipërfaqe të mëdha me kullota. Zjarrfikësit e Selenicës e kanë të vështirë ndërhyrjen për shkak të terrenit të thyer.

Deri në mbrëmje raportohet për 2 vatra zjarri me përmasa të mëdha ndërsa 6 automjete zjarrfikëse erdhën nga Vlora dhe Fieri. Versus.al

7 MUAJ ME PARE

Zjarret në Delvinë, 110 zjarrfikës në terren! Kseno: Shkaktohen nga dora e njeriut, jo nga pakujdesia

Shqipëria “nën pushtetin e flakëve”, 19 vatra zjarri

Artur Kseno përgjegjës i zjarrfikësve në Delvinë foli për situatën e zjarreve në fshatrat Vllahat dhe Kostar ku prej orësh po shkrumbohen qindra hektarë tokë.

Kseno tha se era ka favorizuar përhapjen e flakëve duke u vështirësuar punën zjarrfikësve, ndërsa tha se zjarret kanë qenë të qëllimshme.

“Për momentin kemi një vatër shumë të nxehtë në Vllahat, në krahun e majtë tonin siç e shikoni. Në të cilën po ndërhyhet nga ajri me helikopterë, dhe gati gati po vendoset në kontroll gjithë zona e Delvinës. Situata ka shkarë deri në fshatin Kostar, atje ku ka edhe dëme. Era e komplikoi përsëri. E kemi vendosur të gjithën nën kontroll. Për momentin nuk na rrezikohen banesa dhe jetë njerëzish, që është kryesorja për ne. Po vazhdohet me 8 mjete zjarrfikëse, rreth 110 forca zjarrfikëse, operacioni drejtohet direkt nga kryetari i bashkisë Delvinë, sikurse dhe nga Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.  Kemi vetëm 1 apel, pasi kemi rreth 33 ditë sot që po luftojmë vërtet me zjarret dhe janë zjarre nga dora e njeriut, nuk janë nga pakujdesia. thjesht bëjmë vetëm një thirrje, na ndihmoni dhe ne të bëjmë punën tonë dhe ju të ruani pronën tuaj”- tha Kseno për Report Tv.

Ndërkohë në vendngjarje ndodhen 110 zjarrfikës që po punojnë për shuarjen e flakëve. Versus.al

7 MUAJ ME PARE

Nga Tropoja në Dropull, Shqipëria nën ‘kthetrat e flakëve’, si paraqitet situata me zjarret në vend

Shqipëria “nën pushtetin e flakëve”, 19 vatra zjarri

Ministria e Mbrojtjes ka bërë një përditësim sa i përket situatës së flakëve në vend, të cilat janë shpërndarë nga veriu deri në jug duke prekur disa bashki.

Në të gjithë territorin e vendit janë identifikuar 28 vatra zjarri dhe pas punës së forcave operacionale në terren, u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e 9 vatrave, ndërsa 19 mbeten ende aktive.

Po ashtu në fshatin Tërnovë të bashkisë Bulqizë, zjarri është aktiv në sipërfaqe livadhore dhe po përhapet drejt një sipërfaqe pyjore. Situata paraqitet problematike.

Njoftimi i ministrisë:

Gjatë ditës së sotme, sipas Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në #AKMC, në të gjithë territorin e vendit janë identifikuar 28 vatra zjarri. Pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren, u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e 9 vatrave, ndërsa 19 mbeten ende aktive.

Situata paraqitet problematike në fshatin Kostar të bashkisë Finiq, ku forcat operacionale me angazhimin edhe të helikopterit #Cougar po punojnë për shuarjen e vatrave të zjarrit, për të mos lejuar kalimin drejt fshatit Vllahat të bashkisë Delvinë. Në ndihmë për shuarjen e zjarrit janë forca të shumta nga strukturat e pushtetit vendor të bashkive Sarandë, Himarë, Gjirokastër, Dropull dhe Konispol, të mbështetura nga efektivët e FA.

Në fshatin Mërtiraj të bashkisë Selenicë situata është nën kontroll. Ndërsa në fshatin Bashaj, po në këtë bashki është riaktivizuar zjarri i rënë një ditë më parë në sipërfaqe me shkurre. Era e fortë që po fryn në drejtim të fshatit Mesaplik e bën të vështirë ndërhyrjen.

Në Parkun Kombëtar të Prespës, Mali i Thatë zjarri vijon të jetë aktiv, pasi terreni vështirëson shuarjen e plotë të tij. Forcat vendore të bashkisë Pustec ndihmuar edhe nga 27 efektivë të FA po punojnë për ta mbajtur nën kontroll.

Në zonat pyjore të fshatit Rajë dhe Geghysen të bashkisë Tropojë ka një vatër zjarri aktive në drejtim të Qafës së Kolçit, e cila është duke u monitoruar nga punonjës të pyjeve të bashkisë Tropojë.

Në fshatin Kus është izoluar vatra e zjarrit në Malin Lugë, në njësinë administrative Bërzhitë. Vijon të ketë djegie në humus, por nuk paraqet rrezik për përhapje në sipërfaqe më të gjerë.

Në fshatin Tërnovë të bashkisë Bulqizë, zjarri është aktiv në sipërfaqe livadhore dhe po përhapet drejt një sipërfaqe pyjore. Situata paraqitet problematike. Forcat në terren po punojnë për kufizimin e përhapjes së flakëve.

Në fshatin Selixë të bashkisë së Matit zjarri zhvillohet në tre vatra dhe po punojnë rreth 80 forca të bashkisë dhe Forcave të Armatosura. Temperaturat e larta dhe era kanë rritur intensitetin e vatrave. Po punohet edhe në një vatër në fshatin Maqellarë të bashkisë së Dibrës.

Në vendin e quajtur “Bjeshkët e Xhurajve”, në bashkinë e Shkodrës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore në terren të thepisur dhe të vështirë për të operuar. Zjarri po monitorohet nga strukturat vendore të kësaj bashkie dhe nuk paraqet rrezik për banesa.

Në fshatin Halil të bashkisë së Krujës është riaktivizuar një vatër zjarri. Terreni i vështirë si dhe prania e erës vështirëson ndërhyrjen e forcave.

Zjarri i rënë në fshatin Skuraj të bashkisë së Kurbinit po zhvillohet me intensitet të ulët.

Në afërsi të stacionit të trenit në Milot, në bashkinë e Kurbinit, zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra është vënë nën kontroll nga forcat zjarrfikëse të bashkive Kurbin e Lezhë, duke bërë të mundur largimin e rrezikut nga objektet e banimit.

Mbi fshatin Sotirë në bashkinë e Dropullit zjarri ka kaluar në kurorën e pishave. Helikopteri Cougar i FA është angazhuar në këtë operacion veç zjarrfikësve të bashkisë Dropull, forcave vullnetare dhe 30 forcave të FA.

Në fshatin Luzat të bashkisë Tepelenë, në fshatin Karat të bashkisë Këlcyrë si dhe midis fshatrave Bogovë dhe Dobrushë të bashkisë Skrapar janë raportuar vatra zjarri, në të cilat po punohet nga efektivët zjarrfikës për shuarjen e tyre.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 665 forca operacionale dhe 43 automjete, 99 trupa ushtarake, 14 mjete dhe helikopteri i Forcës Ajrore.

7 MUAJ ME PARE

Prej 10 ditësh aktiv, situatë kritike me zjarrin në Malin e Tërnovës! Qindra hektarë pyje të shkrumbuar

Shqipëria “nën pushtetin e flakëve”, 19 vatra zjarri

Bulqizë- Zjarri në malin e Tërnovës i cili ka qenë aktiv prej 10 ditësh, tashmë ka marrë përmasa të mëdha.

Deri më sot, janë djegur qindra hektarë me pyje ndërsa dyshohet se flakët kanë qenë të qëllimshme dhe policia po punon për identifikimin e autorit. Flakët favorizohen nga era, ndërsa zjarrfikësit e kanë shumë të vështirë ndërhyrjen për shkak të temperaturave të larta dhe terrenit të thepisur malor.

Për shuarjen e flakëve është kërkuar ndërhyrje nga ajri. Versus.al

7 MUAJ ME PARE

Zjarr masiv në të dy anët e Rrugës së Kombit, tymi pamundëson qarkullimin

Shqipëria “nën pushtetin e flakëve”, 19 vatra zjarri
Foto nga vendngjarja

Një zjarr i përmasave të mëdha është regjistruar pasditen e sotme në të dyja anët e Rrugës së Kombit në Fushë Milot. Në vendngjarje kanë mbërritur tre zjarrfikëse të cilat po punojnë për të izoluar vatrat e zjarrit.

Ende nuk dihet nëse zjarri ka qenë i qëllimshëm, por flakët po u afrohen gradualisht disa banesave në afërsi të rrugës.

Si pasojë e tymit që ka mbuluar totalisht rrugën, shoferët e kanë pothuajse të pamundur të qarkullojnë me automjetet e tyre. Versus.al

Poll