Çfarë do të gjeni në brendësi
*Në dosjen e prokurorisë së Tranit në Itali të zbardhur nga Versus.al flitet për një rrjet kriminal diplomash false që varionin nga 7000-10.000 euro. *Dosja voluminoze prej 300 faqesh hedh dritë mbi emrat e përfshirë në këtë skandal, që ka çuar në arrestimin e disa prej të hetuarve nga Prokuroria e Trapanit, Itali. *Në faqen nr80 të fashikullit përshkruhet se si zyrtarja e ministrisë së Arsimit, Shqiponja Telhaj ka marrë një çantë Luis Vuitton me vlerë 1200 euro në këmbim të akreditimit të Univeristetit Wisdom. *Në dosje përmendet edhe “Evlis Cushi” e cila sipas deklarimeve të të proceduarve, është ish-ministrja Evis Kushi si dhe disa zyrtare të ministrisë si Albana Tole dhe Eva Biz... * Zonja Kushi sqaroi për Versus.al se në asnjë moment emri i saj nuk përmendet në dosjen e prokurorisë italiane si person të cilit do t’i jepeshin dhurata në këmbim të ndonjë ndikimi prej saj në procedurën e akreditimit. *Pas publikimit të skandalit nga Versus.al ka reaguar dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit. Në reagimin e saj Ministria shprehet se nuk ka certifikuar kuoata pranimi për kolegjin Wisdom dhe se po ndiqen procedura ligjore për mbylljen e veprimtarisë pasi janë gjetur shkelje ligjore. *I përmendet dy herë emri në dosjen 300 faqe të Prokurorisë së Tranit, Prof.Dr Shqiponja Telhaj reagon në rrjete sociale. " Pres qe autoritetet zyrtare dhe mediat qe kane permendur emrin tim pa asnje fakt ne lidhje me dosjen e universitetit Wisdom (perfaqesuesit e te cilit nuk ia kam njohur ndonjehere) te kerkojne falje per shpifjet.”- shkruan pedagogia Telhaj
Denoncimi, Brahaj: "Wisdom" zgjodhi anëtarët e KLGJ-së e KLP-së
Kolegji universitar “Wisdom” prej dy ditësh është në syrin e ciklonit, jo për shkak të një hetimi të brendshëm të diplomave të dhena prej tij, por për shkak të një hetimi të nisur e mbaruar nga prokuroria e Tranit në Itali, vend I cili duket se është përmbytur me diploma false të nxjerra për 7000-10000 euro copa. Ndërsa Versus.al ka zbardhur skemën së bashku me emrat e personave të përmendur në 300 faqe hetim, gazetarja Aranita Brahaj ka vënë në dukje një detaj mjaft interesant. Ajo ka gjetur në arkiv një njoftim të shtatorit të vitit të kaluar, saktësisht të datës 21 shtator, ku klinika Ligjore Wisdom, një organizatë jo-fitimprurëse shqiptare, me selinë në Tiranë, e themeluar në vitin 2016 nga Kolegji Universitar “Wisdom” ka qenë pjesë e pesë organizatave të Shoqërisë Civile të cilat kryen verifikimin paraprak të kandidaturave për anëtarin që përfaqëson Shoqërinë Civile në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Postimi i Aranita Brahaj:
"WISDOM" zgjedh antarët e Institucioneve të Drejtësisë !!
Ndodh edhe kjo në Tiranë ...
Ndërsa autoritetet italiane po na tregojnë "lajkat luksoze" të WISDOM për të mbajt licensa duke korruptuar gratë e Qeverise me canta brendi e dhurata, skandali paska qenë më i thellë.
Përfaqesuesi institucionit Kerkimor paska votuar edhe mbi kandidatet potencial për Institucione të Larta të Drejtësisë KLGJ dhe KLP” - shkruan Aranita Brahaj në postimin e saj.
Dhe në fakt Klinika Ligjore “Wisdom”, së bashku me Qendren “Qëndresa Qytetare”, Shoqaten “Drejtësia Sociale”, fondacionin “Kontribut për Edukim” dhe Qendren Shqiptare për një Zhvillim të Qëndrueshëm, duke qenë organizatat e përzgjedhura si anëtare të komisionit të shoqërisë civile zgjodhën shtatorin e kaluar si kryetar të këtij komisioni z. Gentian Serjani, përfaqësues i shoqatës “Drejtësia Sociale”.
Mori dhuratë nga çifti i falsifikatorëve 1200 euro çantë, reagon Telhaj: "Nuk kam pirë një kafe me ta, media të më kërkojë falje"
Profesoreshë doktoreshë Shqiponja Telhaj ka reaguar pas lajmeve të publikuara në lidhje me përmendjen e emrit ë saj në media lidhur me dosjen e Kolegjit Arsimor Wisdom. Emri i Telhaj, përmendej në dosjen e Prokurorisë së Tranit, si zyrtarja që i ishte dhënë dhuratë një çantë e markës Luis Vuitton në vlerë 1200 euro, në këmbim të nxitjes dhe përfundimit të akredimit si institucion i arsimit të lartë të Kolegjit Arsimor Wisdom.
Telhaj ka zgjedhur që reagimin e saj ta bëj publik në rrjetin social Facebook, ku shkruan;
“Shqiponja (Aquila) Telhaj nuk ka pire kurre as edhe nje kafe e nuk ka pranuar kurre asnje dhurate nga asnje perfaqesues i universiteteve te huaj apo shqiptare. Pres qe autoritetet zyrtare dhe mediat qe kane permendur emrin tim pa asnje fakt ne lidhje me dosjen e universitetit Wisdom (perfaqesuesit e te cilit nuk ia kam njohur ndonjehere) te kerkojne falje per shpifjet.”
Znj. Telhaj, Versus.al që zbardhi dosjen ju kërkon shumë ndjesë nëse ju ka shqetësuar. Por, asnjë nga ne nuk e heq dot emrin tuaj nga dosja hetimore. Episodi të cilin ju e përgënjeshtroni përmendet dy herë në dosjen hetimore.
Herën e parë në faqen 80 “shkarazi” si episod i adresuar në emrin Aquila Telhaj, zyrtares që mori një çantë 1200 euro dhuratë, ndërsa më tej në faqen 217 mësohet se çanta ishte model Bauleto Speedy 35, mësohet vlera e blerjes e mënyra e pagesës.
Nuk i ka dhënë media shqiptare deklarimet (qofshin dhe të rremë) pranë autoriteteve hetimore të Tranit, i kanë dhënë dy bashkëpunëtorët që kishin blerë dhe kishin akredituar Kolegjin Arsimor, i cili në vendin tonë tani po kontrollohet e verifikim për aktivitetin e tij mbi faktin se jepte diploma false që “nuk pinin ujë”.
Mediat ishin lajmësi i kësaj “çorbe” që natyrisht nuk u “gatua’ nëpër redaksitë tona. E në këtë “çorbë”, në urojmë që vërtetë mos ta keni “gëlltitur atë lugën e prishur që e vjell gjithë jetën”… Falje të pranuara?
Skandali me diplomat false, MAS pranon shkeljet pas raportimeve në VERSUS: Po ndiqen procedurat për mbylljen e veprimtarisë
Ministria e Arsimit ka reaguar pas disa raportimeve në Versus.al në lidhje me skandalin e diplomave false të kolegjit Wisdom.
Në reagimin e saj Ministria shprehet se nuk ka certifikuar kuota pranimi për kolegjin Wisdom si dhe po ndiqen procedura ligjore për mbylljen e veprimtarisë pasi gjatë kontrollit janë gjetur shkelje ligjore gjatë ushtrimit të veprimtarisë akademike, administrative dhe financiare të Kolegjit Universitar WISDOM.
Në dosjen me përgjime të prokurorisë së Tranit të zbardhur nga Versus.al tregohet me detaje se si pronari Wisdon blente dhurata për drejtoreshën e ASCAR, Shqiponja Telhaj, saktësisht një çantë 1200 euro si dhe dhurata për Krishtlindje për Ministren dhe vartësit e saj.
Reagimi i MAS:
Ministria e Arsimit dhe Sportit, bazuar në aktet nënligjore në fuqi, të ligjit nr 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë” ka nisur prej vitit 2022 dhe në vijim, procesin periodik të verifikimit të kontrollit të pajtueshmërisë së veprimtarisë të gjithë institucioneve të arsimit të lartë.
Në vijim të këtij procesi, për periudhën 2023-2024, MAS, bazuar në dispozitat ligjore në fuqi, përmes grupit të punës të ngritur për këtë qëllim, me përfaqësues të strukturave përgjegjëse të ministrisë, Agjensisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë dhe Qendrës së Shërbimeve Arsimore, ka nisur verifikimin e pajtueshmërisë me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi të Kolegjit Universitar WISDOM.
Pas procedurave të ndjekura në kuadër të këtij procesi, dhe verifikimeve të kryera përgjatë periudhës së kontrollit në këtë institucion, në përfundim të tij, grupi i punës, në korrik të këtij viti, ka përfunduar raportin final të kontrollit, duke konstatuar shkelje ligjore, gjatë ushtrimit të veprimtarisë akademike, administrative dhe financiare të Kolegjit Universitar WISDOM për periudhën e ushtrimit të kontrollit, referuar dispozitave të ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.
Bazuar në rekomandimet e grupit të kontrollit, po ndiqet procedura ligjore në lidhje me mbylljen e veprimtarisë akademike të institucionit jopublik të arsimit të lartë Kolegji Universitar WISDOM.
Nënvizojmë se ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, për vitin e ri akademik 2024-2025, nuk ka çertifikuar kuota pranimi për Kolegjin Universitar WISDOM.
Pra Ministria e Arsimit dhe Sportit ka ndjekur jo vetëm me vëmendje, po edhe me hapa konkretë masash ligjore anomalitë e nxjerra nga inspektimet, duke siguruar mbrojtjen e studentëve bazuar në dispozitat ligjore në fuqi.
MAS mbetet e përkushtuar për të garantuar cilësi dhe transparencë në të gjitha aspektet e sistemit arsimor, duke garantuar se të gjitha diplomat dhe certifikatat e lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë në vend janë në përputhje me standardet më të mira.
Por në reagimin e saj Ministria e Arsimit nuk ka sqaruar se si janë ndjekur procedurat e akredimit të lëshimit të diplpmave për të verifikuar nëse ka shkelje nga autoritetet shqiptare.
Gjithashtu në Shqipëri nuk ka asnjë të ndaluar për këtë skandal që ka çuar pas prangave nëntë persona në Itali dhe 40 të marrë nën hetim./Versus.al
PËRGJIMET/ “Me Shqipërinë jemi në rregull”, pronari i Wisdom blinte dhurata për ministren dhe vartësit? Evis Kushi flet ekskluzivisht për Versus.al

Versus.al vijon të zbardhë dosjen e prokurorisë së Tranit në Itali, që ka zbuluar një rrjet kriminal diplomash false që varionin nga 7.000-10.000 euro. Në përgjime sipërmarrësit flasin për ish-ministren Kushi dhe 2 vartëse të saj si dhe tregojnë me detaje sesi i blenë çanten Luis Vuitton prof. Aquila (Shqiponja) Telhaj, Kryetare e Bordit të Akreditimit pranë Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë
Kanë folur lirshëm nëpër zyra, makina pa e ditur se kishin çimkat e prokurorisë kudo. Përgjimet ambientale të kryera me urdhër të Prokurorisë së Tranit, ku në fokus kanë disa biznesmenë italianë të cilët kanë ngritur një sistem mes Shqipërisë, Spanjës, Qipros e Britanisë për të dhënë diploma të rreme kanë zbuluar biseda shumë interesante. “Aktorët” kryesorë të kësaj skeme, Lucia Catalano dhe Savino Cianci shprehen pasi blejnë disa dhurata Krishtlindjesh “se me Shqipërinë janë në rregull…”
Në listën e tyre për dhurata figurojnë emra shumë të njohur, mes të cilëve titullarët më të lartë të Ministrisë së Arsimit apo dhe ambasadës italiane. Në dosjen hetimore te siguruar nga Versus.al, tregohet sesi dhe ku u ble çanta prej 1150 euro e prof. Dr Shpiponja Telhaj, emri i të cilës në dosje figuron Aquila Telhaj si dhe një dhuratë rreth 1000 euro për avokatin shqiptar që dy sipërmarrësit italianë kanë në Shqipëri, të blera në dyqanin luksoz të “Luis Vuitton”.
DOSJA
Në faqen 216 të dosjes hetimore shkruhet: “Duke konsideruar vështirësitë e hasura për të marrë akreditimin e Wisdom në Shqipëri, Catalano dhe Cianci përfitojnë nga periudha e Krishtlindjeve për të “kërkuar mënyra për të falenderuar subjekte të përfshirë në procesin e autorizimit.” Ata blejnë në një dyqan me artikuj lëkure të markës Luis Vuitton dhuratën për avokatin Egli Haxhiraj që i ka ndihmuar të hapin një ndër 7 bizneset e tyre në Shqipëri; blerjen e kuotave të Wisdom-it. Dhuratën për avokatin ata e kanë personalizuar me emrin e tij si dhe po tek Luis Vuitton ata kanë blerë dhe një çantë grash model bauletto speedy 35 me vlerë 1150 euro për prof. Aquila (Shqiponja) Telhaj, Kryetare i Bordit të Akreditimit pranë Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë. Blerja është bërë në datë 3 mars, shkruhet në dosje në pikën e shitjes së Luis Vuitton në Bari dhe pagesa është bërë me kartë bankare.
Në hetim rezulton se dhurata i është dhënë zyrtares së lartë në 8 mars 2022 gjatë një darke. Kjo dhuratë është bërë edhe pjesë e një bisede që kanë patur më vonë me persona të tjerë Cianci, bisedë e cila rezulton e përgjuar dhe e zbardhur në hetim. Mes të tjerave, duke folur për Wisdom ai shprehet se nuk do ta rrezikonte për asgjë, as për djalin e veten këtë projekt.
“Pse të nxitojmë sot dhe më pas e gjejmë veten duke u endur, sepse nuk do të hiqja dorë kurrë, dhe do të thotë kurrë, as për djalin tim dhe për veten time. S’e rrezikoj Wisdom, sepse është e ardhmja e të gjithëve! ...por ka shumë gjëra për të bërë dhe prandaj doja të siguroja se ne kemi gjetur të gjithë sistemin, se ndoshta, se ndoshta, nuk e fus dorën në zjarr, ndoshta tashmë në fund të kësaj, ne mundemi...·" – lexohet në përgjim.
Ndërsa në një përgjim tjetër të bërë në makinën Maserati të Ciancit dalin dhe emra të tjerë. Lucia Catalano dhe Savino Cianci bëhen gati për të përgatitur dhuratat që do të dorëzojnë për festat e fundvitit. Në listën e tyre, sipas dosjes hetimore janë ambasadori Pietrangeli dhe dy punonjëse të ambasadës Lucia Cuçiarelli dhe Carlo Intaschini. Gjithashtu mediat italiane shkruajnë se përmendet edhe “Evlis Cushi” e cila sipas deklarimeve të të proceduarve, është ish-ministrja Evis Kushi si dhe disa zyrtare të ministrisë si Albana Tole dhe Eva Biz...
Në përgjimin e datës 17 mars 2022 thuhet: “E kështu janë 7, katër në ambasadë, si ministrja, zvministrja dhe zyra e akreditimit. Cianci e mbyll duke thënë “Me Shqipërinë jemi në rregull”. Në rregull ishin në fakt, derisa organet ligjzbatuese italiane i bënë gati dosjen 300 faqe dhe fletë-arrestet për 9 prej 40 personave në hetim.
Lidhur me këtë çështje Versus.al kontaktoi me deputeten socialiste Evis Kushi e cila asokohe drejtonte dikasterin e Arsimit. Zonja Kushi sqaroi se në asnjë moment emri i saj nuk përmendet në dosjen e prokurorisë italiane si person të cilit do t’i jepeshin dhurata në këmbim të ndonjë ndikimi prej saj në procedurën e akreditimit.
“Personi në hetim thoshte aty përpiqej që të blinte dhurata për Krishtlindje, dhurata të vogla dhe thotë emrin e shportave. Kjo është e vetmja herë ku përmendet emri im.
Në paragraf thuhet thotë shporta për Krishtlindje, jo dhurata sepse dhurata për krishtlindje mund të jenë edhe çanta. Këtu është fjala për shporta të cilat u dhurohen institucioneve për Krishtlindje. Por unë nuk e mbaj mend dhe nuk di të them nëse kanë ardhur shporta të tilla në ministri asokohe”- theksoi Kushi.
Sa i takon akreditimit të kolegjit universitar WISDOM të përfshirë në skandalin e zbuluar nga prokuroria italiane, ish-ministrja nënvizoi se institucioni i ASCAL që merret me akreditimin, vepronte i pavarur nga ministria e Arsimit dhe anëtarë të bordit ishin në shumicë të huaj me qëllim që të mos kishte asnjë lloj premise për përfshirjen e tyre në korrupsion.
“ASCAL, agjencia që akrediton universitetet, vepron totalisht e pavarur nga ministria. Pra ata përcaktojnë vetë ekspertët, komisionet. Ne kemi ngritur një bordi ku të gjithë pedagogët ishin të huaj, gjysma ishin me kombësi të huaj, pjesa tjetër shqiptarë të punësuar në universitetet prestigjoze.
Kryetarja e ASCAL-it punonte në London School of Economics që është një prej shkollave më prestigjoze në botë dhe për këtë arsye bordi ishte pothuajse i gjithi me të huaj që të ishte i pakompromentueshëm dhe të mos kishte asnjë hije dyshimi që mund të kompromentoheshin”- vijoi ish-ministrja në sqarimin e saj.
Përsa i takon dijenisë mbi përfshirjen e Shqiponja Telhajt në këtë skandal, Kushi tha se kjo e fundit zotëronte një CV të pasur sa i takon eksperiencës dhe përgatitjes profesionale, por theksoi se nuk ka asnjë dijeni për rastin dhe çfarë mund të ketë ndodhur.
“Drejtoresha mesa di unë është bërë konkurs ndërkombëtar ku kanë aplikuar profesorë nga të gjithë universitetet e botës dhe të shikojë CV-në e saj ishte shumë e përgatitur, personalitet dhe nuk kam dyshim në integritetin e saj. Por nuk di të them se çfarë mund të ketë ndodhur. E vetmja gjë që përmendet edhe ambasadori është që ky personi që ishte i dyshuar kërkonte që të bënte dhurata për Krishtlindje, festive pra shporta krishtlindjesh dhe i përmend të gjithë me radhë aty”- shtoi ndër të tjera.
Kushi u shpreh më tej se për rastin ishte informuar nga artikulli që Versus.al publikoi ditën e djeshme the mohoi që të ishte ftuar nga prokuroria italiane për t’u pyetur lidhur me një çështje të tillë duke argumentuar se nuk ekziston asnjë rrethanë që e implikon atë në një rast të tillë.
Pyetje: Keni pasur ftesë për t’u pyetur nga prokuroria italiane?
“Jo, madje dje unë e kam lexuar nga ju (Versus.al) por nuk ka asnjë ftesë të tillë. Nuk ka sesi të ketë sepse shporta Krishtlindjesh u dërgohen institucioneve pa fund. Sërish aty nuk thuhet që janë dërguar por thuhet se ky personi kërkonte të dërgonte dhurata krishtlindjesh në kllapa shporta dhe rreshton aty 7 veta nga ambasada, 7 veta nga ministria. Është traditë e institucioneve, por nuk ka asnjë lidhje me një skemë të tillë sepse edhe nëse do donim, nuk kishim asgjë në dorë për të ndikuar”- përfundoi ish ministrja Evis Kushi.
Duhet theksuar se në Shqipëri nuk ka asnjë të ndaluar për këtë skandal me diploma false të lëshuara nga një kolegj shqiptar/ Versus.al
EKSKLUZIVE / Skandali me diplomat shqiptare në Itali, kush është zyrtarja shqiptare që mori çantë 1200 euro për të akredituar Wisdom

Mijëra diploma false të lëshuara nga universitete privat në Shqipëri, në Qipro e Angli dyshohet se kanë "përmbytur" tregun italian të punësimit, nëpërmjet një skeme ku kanë qenë pjesë rreth 40 shtetatas italianë si dhe zyrtarë shqiptarë të strukturave arsimore. Një dosje voluminoze mbi 300 faqe, të cilën Versus.al e disponon, hedh dritë mbi emrat e përfshirë në këtë skandal, që ka çuar në arrestimin e disa prej të hetuarve nga Prokuroria e Trapanit.

Guardia Di Finanza Italiane ka zbuluar se nga Tirana, Qipro e Britania me mijëra diploma false janë shitur për shtetas italianë në vlerat nga 7000-10.000 euro për diplomë. Sipas mediave atje, pjesë e skemës është edhe një zyrtare e qeverisë shqiptare që ka favorizuar italianët nëpërmjet akrditimit të Kolegjit Universitar WISDOM të blerë nga shtetasit italianë Savino Cianci dhe Lucia Catalano.
Çanta 1200 euro dhuratë për zyrtaren e ASCAL
Versus.al disponon dosjen e hetimore të Prokurorisë së Tranit. Në faqen nr 80 të fashikullit me rreth 300 faqe përshkruhet sesi zyrtarja e ministrisë së Arsimit Shqiponja Telhaj ka marrë një çantë Luis Vuitton me vlerë 1200 euro në këmbim të akreditimit të Univeristetit Wisdom. Dhurata e shtrenjtë sipas organit të akuzës është bërë gjatë një darke më 03.08.2022 në Shqipëri. Në dosje thuhet se:
"Kapitulli 101
KATALANO Lucia-CIANCI Savino
për krimin p. dhe fq. jepini a1tt. 110- 318 - 322-bis c.p. sepse për ushtrimin e funksioneve të saj si Presidente e Këshillit të Akreditimit i ASCA'L (Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë), organ qeveritar i Qeverisë Shqiptare i drejtuar nga Presidenti i Këshillit të Shqipërisë, që korrespondon me aktivizimin dhe përfundimin e favorshëm të procesit të akreditimit të Universitetit Wisdom, gjatë një darke, i dha Aquila-Shqiponja Telhaj, një zyrtare publike e investuar me funksione të ngjashme me ato të zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit, një çantë femrash të markës Louis Vuitton me vlerë 1200.00 euro. Në Shqipëri më 03.08.2022
Prof. Dr. Shqiponja Telhaj në 2022 rezulton Kryetare e Bordit të Akreditimit pranë Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë.
"Bordi i Akreditimit është një organ kolegjial vendimmarrës dhe i pavarur në veprimtarinë e tij, i cili funksionon prane ASCAL. Veprimtaria dhe funksionimi i BA është e përcaktuar në ligjin e arsimit të lartë nr 80/2015, ligjit nr. 8480, datë 27.05.1999, për funksionimin e organeve kolegjiale, në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 109, datë 15.02.2017 si dhe rregulloren e funksionimit të tij. BA është i përbërë nga 11 anëtarë nga të cilët minimalisht 3 dhe maksimalisht 5 duhet të jenë të huaj. Të gjithë anëtarët janë personalitete të botës akademike me nje eksperiencë të gjatë në mësimdhënie dhe kërkim shkencor brenda dhe jashtë territorit të RSh. Anëtarët dhe kryetari i Bordit emërohen dhe shkarkohen nga kryeministri me propozimin e ministrit përgjegjës për arsimin. Mandati i anëtarëve të BA është 4 vjet. Bordi i Akredimit u emërua me urdhër të Kryeministrit nr. 63, datë 27.07.2021." - thuhet në faqen zyrtare të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë.
Pronaret dhe arrestimet
Savino Cianci, Lucia Catalano dhe Leonardo Catalano, pronarët dhe administratori i Kolegjit Universitar "WISDOM" në Tiranë, janë arrestuar nga autoritetet në Itali, pasi dyshohet se janë përfshirë në një skemë mashtrimi me lëshimin e diplomave dhe certifikatave false.
Dy nga të dyshuarit dyshohet se i kanë dhënë ryshfet një zyrtari të qeverisë shqiptare për të "garantuar aktivizimin dhe përfundimin e favorshëm të procedurës së akreditimit të institucionit". Ky është një tjetër aspekt që doli nga hetimi i koordinuar nga Prokuroria e Tranit, i cili rezultoi sot me ekzekutimin e 9 masave të sigurimit nga Guardia di Finanza.
"Veprimtaria hetimore e koordinuar nga Trani na lejoi të përgjojmë dhe luftojmë sjelljen kriminale, e cila në radhë të parë cenonte performancën e mirë të administratës publike: këto shoqata kriminale kishin si objektiv që të lejonin qytetarët të mashtroheshin, për hyrjen në botën e punës në administratën publike”, shpjegoi komandanti provincial i policisë financiare të Bari, Pasquale Russo gjatë një konference për shtyp.
Maria Saveria e Fortunata Giada Modaffari, respektivisht 38 e 35 vjeç, Maria Ornella Attisano, 57 vjeç, Lucia Catalano, alias Lucy, 44 vjeç, Savino Cianci, i ashtuquajtur Nino, 60 vjeç, Leonardo Catalano, 42 vjeç, Marco Lombardi, 52 vjeç, Antonio Caporale, 33 vjeç, e Maria M’Daraa, 36 vjeç janë personat e vënë në pranga. / VERSUS







