Çfarë do të gjeni në brendësi
*Olsi Ibro, i akuzuar si një prej krerëve të skemës së mashtrimit të ngritur me mikrokreditë u gjet i vdekur mëngjesin e sotëm poshtë një pallati në ndërtim në rrugën “Ramazan Shijaku” në Tiranë. *Sipas njoftimit të policisë, Ibro është vetëhedhur nga pallati në ndërtim duke gjetur vdekjen në vend. *Detaje të reja bënë me dije se Ibro kishte konsumuar fostoksinë para se të vetëhidhej nga pallati. *Ndaj tij nuk kishte akuza zyrtare por ishte një prej të përfolurve për skemën e krijuar me skandalin e mikrokredive. Dje Prokuroria e Tiranës i sekuestroi shoqërinë “Micro Credit Albania”, ku ishte administratore bashkëshortja e tij Elda Ibro. Kjo e fundit mbahen në “arrest shtëpie” nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe vjedhjes së qytetarëve me anë të mashtrimit me mikrokreditë.
Njëjtë si një prej personave që mashtroi, “koka” e skandalit me mikrokreditë piu fostoksinë para se të hidhej nga pallati

I akuzuar si një prej organizatorëve në skemën e mashtrimit me mikrokreditë që shkaktuan dëme miliona euro mijëra qytetarë shqiptarë, Olsi Ibro i dha fund jetës së tij mëngjesin e sotëm duke u vetëhedhur nga një pallat në rrugën “Ramazan Shijaku”.
Por sipas detajeve të mësuara, Ibro para se të hidhej nga pallati, kishte konsumuar fostoksinë.
Kjo gjë sjell ndërmend mënyrën sesi u vetëvra një prej qytetarëve që kishte rënë pre e skemës së mashtrimit me mikrokreditë. Pal Trashaj konsumoi fostoksinë para ambienteve të SPAK-ut pasi shoqëritë e përfshira në skandalin me mikrokreditë i kishin marrë gjithçka për një borxh prej 80 mijë lekësh të cilin ai pretendonte se e kishte shlyer.
Olsi Ibro, raportohet të jetë pronari i shoqërisë “Micro Credit Albania” që u sekuestrua dje nga Prokuroria e Tiranës. Versus.al
Viktimë e skemës së vet, kush ishte Olsi Ibro, i akuzuari për mashtrimin me mikrokreditë që u vetëvra sot? Gruaja e tij në arrest shtëpie

Mëngjesin e sotëm, u vetëvra Olsi Ibro i akuzuar nga prokuroria e Tiranës si njëri prej krerëve të skemës korruptive të ngritur me mashtrimet e mikrokredive që zhvati nga qytetarët miliona euro.
Ibro ishte i shpallur në kërkim, ndërsa bashkëshortja e tij Elda Ibro është nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” për veprat penale shpërdorim detyre dhe vjedhje. Më 30 maj, prokuroria e Tiranës njoftoi sekuestrimin e 10 mln euro të llogarive bankare që i përkisnin Elda Ibros dhe përmbaruesve të përfshirë në këtë skemë korruptive që shkaktoi miliona euro dëm tek qytetarët dhe shkatërrimin e jetës së shumë prej tyre, duke përmendur këtu rastin e Pal Trashajt i cili u vetëvra ditë më parë duke pirë fostoksinë para SPAK pasi kishte rënë pre e mashtrimit të skemës me mikrokreditë.
Olsi Ibro dyshohet se ishte “arkitekti” i skemës mashtruese më të madhe në 20 vitet e fundit në Shqipëri, duke qëndruar në hije publikisht, por i denoncuar nga mijëra qytetarë në SPAK dhe prokuroritë e rretheve.
Vetëvrasja e Ibros vjen një ditë pasi Prokuroria e Tiranës sekuestroi “Micro credit Albania’, shoqërinë pa licensë banke, ku ishte administratore bashkëshortja e tij Elda Ibro. Ndërsa viktima, i shpallur në kërkim mendohej se ishte jashtë shtetit në arrati, por policia bëri me dije në njoftimin e dhënë se 45 vjeçari i kishte dhënë fund jetës duke u vetëhedhur nga një pallat në ndërtim në rrugën “Ramazan Shijaku”.
Skema e përdorur nga shoqëritë e sekuestruara:
Këto shoqëri përdornin të dhënat personale të qytetarëve që nuk kishin mundësi të shlyenin huatë, duke u marrë numrat e telefonit dhe të familjarëve të vetë si edhe të dhëna të gjendjes civile. Duke pasur në zotërim këto të dhëna, ato përdornin presionin psikologjik dhe përndjekjen e debitorëve apo familjarëve të tyre, duke i marrë në telefon në mënyrë të vazhdueshme me qëllim që të nënshkruanin marrëveshje të reja për kredi.
Më pas shoqëritë e sekuestruara mashtronin qytetarët duke u sekuestruar pasuritë e paluajtshme të cilat ua përllogaritnin në mënyrë të padrejtë nëpërmjet mbifryrjes së vlerës së borxhit.
“Kanë “shitur/kaluar” në pronësi të MCA, pasuritë e paluajtshme të debitorëve apo shtetasve të tjerë në ankande fiktive me vlera shumëfish më të ulëta se sa vlera reale e këtyre pronave, prona të cilat janë vlerësuar në mënyrë fiktive.
Të gjitha veprimet e sipërcituara janë kryer me qëllim për të shtrënguar dhe detyruar debitorët për të marrë kredi të reja me vlerë principial të fryrë dhe me interesa shumë të larta, duke gënjyer që po “ristrukturojnë të vjetrën” apo për të paguar detyrime në vlera të fryra që nuk mbështeteshin në vlerat fillestare të urdhrave ekzekutues të dala nga gjykatat”- njofton prokuroria.
Si rrjedhojë e këtyre mashtrimeve dëmi përllogaritet deri më dhjetëra miliona euro duke marrë parasysh të gjithë qytetarët të cilëve u janë sekuestruar pronat dhe rrogat duke mos u lënë të ardhura as për minimumin jetik. Versus.al
Vetëvritet Olsi Ibro, njëri prej të akuzuarve për mashtrimin me mikrokreditë! U hodh nga pallati në ndërtim

Olsi Ibro, njëri prej të akuzuarve për skandalin e mashtrimit të qytetarëve me mikrokreditë është vetëvrarë mëngjesin e sotëm.
Mësohet se Ibro është vetëhedhur nga lartësia e një pallati në ndërtim në rrugën "Ramazan Shijaku" duke humbur jetën në vend. Viktima është pronari i shoqërisë bankare “Microcredit Albania” e cila u sekuestrua dje me urdhër të Prokurorisë së Tiranës. Ai ishte shpallur në kërkim si një prej organizatorëve të skemës kriminale që mashtroi qindra mijëra qytetarë shqiptarë.
"Më datë 20.07.2024, në rrugën “Ramazan Shijaku”, dyshohet se është vetëhedhur nga lartësia e një pallati në ndërtim e sipër, shtetasi O. I., 45 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ka ndërruar jetë në vendngjarje"- njofton policia.
Gruaja e tij Elda Ibro ndaj së cilës gjykata ka caktuar masë sigurie “arrest shtëpie” për skandalin me mikrokreditë ku u zhvatën miliona euro nga qytetarët, rezulton të jetë administratore e shoqërisë “Microcredit Albania”. Bashkëshortja e Olsi Ibros, akuzohet për kryerjen e veprave penale "shpërdorim detyre" dhe "vjedhje". Ndaj Olsi Ibros nuk kishte akuza zyrtare, por emri i tij përflitej si një prej "kokave" të skemës së mashtrimit me mikrokreditë. Versus.al







