Çfarë do të gjeni në brendësi
*Ish-presidenti i SHBA-ve, Donald Trump mbeti i plagosur pas një atentati me armë zjarri teksa mbante fjalim në Pensilvani. Gjendja e ish-kreut të Shtëpisë së Bardhë paraqitet e mirë, teksa u plagos vetëm në pjesën e sipërme të veshit të djathtë. *Pamjet e gjakosura të tij bënë xhiron e rrjetit, ndërsa pas atentatit Trump reagoi duke thënë se një gjë e tillë nuk duhet kurrsesi të ndodhë në SHBA. *Për rastin reagoi edhe presidenti amerikan Joe Biden i cili u kthye në Shtëpinë e Bardhë menjëherë pas ngjarjes duke dënuar rëndë aktin e ndodhur. *Autori mësohet të jetë një 20 vjeçar i identifikuar si Matheu Crooks i cili u ekzekutua pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë. Në videot e publikuara në rrjetet sociale ai deklaronte se “urrente Trumpin dhe republikanët”. *Një person i pranishëm në miting u vra dhe 2 të tjerë u plagosën si pasojë e të shtënave. *Për ngjarjen reaguan liderët botërorë duke e konsideruar si “tronditje për demokracinë”. Rusia nga ana tjetër akuzoi SHBA-të për nxitje të urrejtjes hde këshilloi që të merreshin hapa në këtë drejtim në vend që të ndërhyhej në punët e brendshme të shteteve të tjera në botë. *Reagime pati edhe nga politika shqiptare, ku kreu i shtetit, Bajram Begaj, kryeparlamentarja Lindita Nikolla, kryeministri Edi Rama dhe kryetarët e partive politike e konsideruan aktin si “tragjedi për botën demokratike”.
“Një oficer e zbuloi agresorin, por u tremb…”/ WP: Hije dyshimi rreth atentatit ndaj Trump
Një oficer i policisë lokale në Butler të Pensilvanisë e pa atentatorin, Thomas Mathew Cooks, 20 vjeç, pak para se të qëllonte ish-presidentin e SHBA, Donald Trumpin të shtunën gjatë mitingut elektoral të këtij të fundit, por nuk ishte në gjendje ta ndalonte atë, tha sherifi i kontesë së Butler, Michael T. Slupe në një inter vvistë me The Washington Post.
Slupe tha se oficeri po ekzaminonte zonën pasi kishte kërkesa nga forcat e rendit për të identifikuar një person të dyshimtë i cili mund të përbënte rrezikshmëri për sigurinë e eventit.
“Kështu që polici iu përgjigj kësaj kërkese dhe po punonte për të gjetur personin në fjalë, kontrolloi zonën, por nuk mundi ta gjente atë, kështu që tha: “Epo, le të kontrollojmë çatinë,” tregoi Slupe.
Sherifi tha se oficeri u ngrit për të parë në çati, ku gjeti atentatorin Thomas Matheë Cooks, të armatosur, i cili gjithashtu pa oficerin dhe i drejtoi armën këtij të fundit.
“Ai nuk ndërhyri sepse nuk dëshironte të vritej,” zbuloi Slupe.
Më pas, personi i armatosur filloi të qëllonte në drejtim të Trump. Plumbi e preku kandidatin republikan te veshi i djathtë. Trump u gjakos në fytyrë dhe u rrëzua pranë podiumit.
CNN raportoi më herët se vrasësi u vu re jashtë zonës ku ndodhi ngjarja nga forcat lokale të zbatimit të ligjit, të cilët dyshuan se ai mund të kishte vepruar në mënyrë të dyshimtë pranë detektorëve të metalit duke kaluar në brendësi të zonës së sigurisë, tha një zyrtar i lartë i zbatimit të ligjit.
Ata bënë një njoftim në radio për ta mbajtur nën vëzhgim dhe ai informacion iu transmetua Shërbimit Sekret, tha burimi.
Rrëfimi i shqiptarit në vendin e atentatit ndaj Trump: Ju tregoj çfarë pashë
Një prej dëshmitarëve në vendngjarjen e atentatit ndaj Trump ishte shqiptaro-amerikani Vatan Cana. Ai ka regjistruar disa pamje gjate kohës së sulmit. Zëri i Amerikës u lidh me të para disa orësh për të treguar atë që ka pare.
Ai i tregoi gazetares Garentina Kraja për skenat kaotike pas të shtenave, përfshirë pamjet e zotit Trump të plagosur ndërsa po largohej nga vendi i ngjarjes.
Përshkrimi i asaj që ka parë
“Kemi qenë disa shokë, kemi shkuar nga Nju Yorku deri në Butler. Kur shkuam aty, ka patur goxha njerëz, komunikacion rrugës, ka pasur sigurim shumë, shumë të madh. Derisa kemi hyrë në tubim brenda kemi kaluar nëpër sigurim. Na i kanë kontrolluar të gjitha, edhe trupin edhe çfarë kemi patur me vete. Kur hymë brenda, shkuam më përpara, të them të drejtën ndoshta kemi qenë rreth 100 feet (rreth 30 metra).
Duke incizuar, për një moment kemi dëgjuar 2-3 plumba që erdhën nga ana e djathtë e Trumpit, por nga ana e majtë e jona. Ka qenë një fakt shumë interesant se kur kanë shku plumbat, një nga hidraulikët (“fork-lifts”) që i kanë ngritur lart altoparlantët, i ka mëshuar hidraulikut dhe kur plumbi i ka mëshuar aty, ne kemi menduar që “fire department” (zjarrfikësit) e kanë gjuajtur me ujë “shooter” (sulmuesin), por fluidi (lëngu) ka rënë gjithkund, nëpër publik. Pas asaj kemi dëgjuar edhe 2-3 shots (të shtëna) tjera. Kur ka ndodhur kjo, i gjithë tubimi ka rënë poshtë në tokë. Gjithë populli ka rënë poshtë në tokë.
Secret Service (shërbimet sekrete) na thonin “uluni poshtë, uluni poshtë”. Me një moment jemi ngritur të gjithë, por sa jemi ngritur, një tjetër nga secret service (shërbimet sekrete) na thoshte rrini poshtë se mund të ketë një gjuajtje tjetër. Kur populli e ka dëgjuar atë fjalë, të gjithë kanë filluar të vrapojnë, filluan të qajnë. Kishte fëmijë, njerëz. Ka qenë një skenë shumë e frikshme se nuk dihej se çfarë do të ndodhte tjetër”.
Regjistrimi me video i sulmit
“Duke qenë i Kosovës, në luftë do të thotë, e kam vërjetur që kanë qenë plumba. Një shoku im, Steve nuk besonte. I thosha, Steven ulu poshtë. U çova dhe thashë, ta incizoj, ta shoh ç’ka po ndodh. E nxora telefonin, vetë e pashë Trumpin. Edhe kur u ngrit (Trumpi) e pashë që kishte gjak. U thashë shokut tim, “They got him”, do të thotë e kanë kapur (e kanë qëlluar), por nuk dinim sa keq ishte situata. U mundova ta mbaj telefonin sa ma drejt që është e mundur. Pastaj ka ardhur një helikopter, më duket që e ka dërgu Trumpin në një spital aty të afërm.
Por do të thotë ai momenti ka qenë diçka shumë interesant, se Trumpi kur u (ngrit), u thoshte atyre “prisni, prisni” në anglisht. U ngrit dhe e bënte “fist bump” (grushtin). Nuk e di si e ka patur atë kurajo, si e ka bërë atë punë dhe kur e çoi grushtin lart krejt populli u gjallë dhe krejt bërtisnin “Trump, Trump”, “USA, USA”. Por në atë moment, secret service (Shërbimet Sekrete) tha ka mundësi të jetë edhe një gjuajtës i dytë. Aty pastaj filloi paniku, filluam të vrapojmë. Të gjitha barridakat përtoke.
Filluam të vrapojmë. Njerëz duke qarë, gra me fëmijë të vegjël, filluan të gjithë të qajnë, filluam të vrapojmë… Duke ikur nga vendi, shkuam aty ku ka qenë sulmuesi. E kam edhe nje video nga aty, ku ka qenë ushtria, secret service (shërbimi sekrete) duke u përpjekur të ngjitej në çati. U bllokuan rrugët dhe nuk lanë asnjë gjë te shkoje prapa dhe filluam të ecim drejt aeroportit, rreth 12 kilometra, sepse nuk kishte as taksi, asgjë.
Ndikimi i ngjarjes
“Duke patur parasysh gjuajtjet në masë qe ndodhin në Shtetet Bashkuara, e ndjen një ndjenjë çfarë do të ndodhë tani. E para mori fund, por ne frikesoheshim mos kishte ndonje sulmues tjeter. Ështe një ndjenje shume interesante, si e luftës që e kemi perjetuar në Kosovë… Nuk mund ta besonim që kjo po ndodh. Por ndërkohë e kuptonim që kjo ka ndodhur. Kam pasur edhe ndoshta për 20 minuta sepse nuk arrita ta besoja që isha edhe unë aty”.
Atentati nuk i’a ndal planet Donald Trumpit: Nuk do të lejojë një vrasës të mundshëm të…
Sulmi me armë gjatë të ciilit mbeti i plagosur, nuk e ka ndaluar kandidatin e Partisë Repulikane Donald Trump të vazhdojë agjendën e tij.
Trump njoftoi se ai po planifikon të udhëtojë në Wisconsin për konventën e Partisë Republikane sipas planeve të tij fillestare, pavarësisht nga ngjarjet tronditëse të së shtunës.
Në një postim në platformën “Truth Social”, Trump pranoi se kishte planifikuar të vononte udhëtimin e tij konventë për shkak të “ngjarjeve të tmerrshme të djeshme”.
“Bazuar në ngjarjet e tmerrshme të djeshme, unë do ta shtyja udhëtimin tim në Ëisconsin dhe Konventën Kombëtare Republikane me dy ditë, por sapo vendosa që nuk mund të lejoj që një “qitës” ose vrasës të mundshëm, të detyrojë ndryshimin e orarit, apo çdo gjë tjetër”, ka shkruar kandidati për president i SHB-së, Donald Trump.
Tentativa për të vrarë Trump, Biden konferencë për shtyp: Hetimi i përket FBI-së, mos bëni supozime për motivin
Presidenti Joe Biden ka folur nga Shtëpia e Bardhë të dielën pas tentativës për vrasjen e ish-presidentit Donald Trump në Pensilvani dje.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Biden konfirmoi se kishte një bisedë të shkurtër me Trump pas atentatit. “Unë jam sinqerisht mirënjohës që ai është mirë dhe po shërohet”, tha Biden.
Presidenti shtoi se kishte një bisedë “të shkurtër, por të mirë” me Trump.
“Nuk ka vend në Amerikë për këtë lloj dhune, apo ndonjë dhunë për këtë çështje. Një tentativë për vrasje është në kundërshtim me gjithçka që ne mbështesim si komb. Gjithçka. Dhe ne nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë. Uniteti është qëllimi më i pakapshëm nga të gjithë, por asgjë nuk është aq e rëndësishme sa ajo tani: Uniteti”, tha Biden.
Po ashtu Biden tha se ai ka urdhëruar një rishikim të elementëve të sigurisë në tubimin e së shtunës ku ndodhi tentativa për vrasjen e ish-presidentit Donald Trump.
“Kam drejtuar një rishikim të pavarur të sigurisë kombëtare në tubimin e djeshëm për të vlerësuar saktësisht se çfarë ndodhi,” tha Biden. “Ne do të ndajmë rezultatet e atij rishikimi të pavarur me popullin amerikan gjithashtu.
Biden shtoi se udhëzoi kreun e Shërbimit Sekret të SHBA-së për të rishikuar masat e sigurisë përpara Konventës Kombëtare Republikane të kësaj jave në Milëaukee. Biden shtoi se ai ka kërkuar t’i sigurojë Trumpit çdo burim të Shërbimit Sekret që ish-presidenti dhe ekipi i tij kishin kërkuar.
“Kam qenë konsistent në drejtimin tim me Shërbimin Sekret për t’i ofruar atij çdo burim, aftësi dhe masë mbrojtëse të nevojshme për të garantuar sigurinë e tij të vazhdueshme,” tha Biden.
Biden, i cili foli nga Shtëpia e Bardhë të dielën, qëndroi me zëvendëspresidenten Kamala Harris, Prokurorin e Përgjithshëm Merrick Garland dhe Drejtorin e Sigurisë Kombëtare Alejandro Mayorkas.
Ai theksoi se “nuk kemi ende asnjë informacion për motivin e sulmuesit”, por se “e dimë se kush është ai”.
“I bëj thirrje të gjithëve… ju lutemi mos bëni supozime për motivet apo lidhjet e tij”, tha Biden. “Lëreni FBI-në të bëjë punën e tyre dhe agjencitë e tyre partnere të bëjnë punën e tyre.”
Ai tha se kishte udhëzuar hetimin, për të cilin tha se është në fazat e tij të hershme, të jetë “i plotë dhe i shpejtë” dhe tha se “hetuesit do të kenë çdo burim që u nevojitet për ta realizuar këtë”.
VIDEO/ Kush ishte dhe çfarë dihet për njeriun që tentoi të vriste Donald Trumpin, armën që përdori
Vdiq si hero duke mbrojtur familjen e tij nga plumbat, ky është zjarrfikësi që u vra në atentatin ku u plagos Donald Trump
Corey Comperatore një ish-zjarrfikës nga Buffalo Township, Pennsylvania, u identifikua si personi që humbi jetën gjatë të shtënave në një tubim të Donald Trump në Butler.
Comperatore, 50 vjeç, humbi jetën duke mbrojtur gruan dhe vajzën e tij nga plumbat gjatë incidentit.
Të shtënat, lanë të plagosur ish-presidentin, dy spektatorë dhe Comperatore të vrarë. Dy pjesëmarrësit e tjerë të tubimit nuk janë identifikuar.
Komuniteti i tij e kanë cilësuar si një hero 50-vjeçarin dhe një person të dedikuar ndaj shërbimit publik. Vdekja e tij ka sjellë tronditje dhe pikëllim të madh në zonën e tij dhe në radhët e të afërmve.
Guvernatori i Josh Shapiro tha se, Comperatore "vdiq si hero".
"Gruaja e tij ndau me mua detaje, duke u treguar se ai mbuloi me trup familjen e tij për t'i mbrojtur ata," thotë Shapiro përpara se të largohej.
Çfarë dimë për armën me të cilën u qëllua Donald Trump
Fotoja është e jashtëzakonshme.
E marrë nga një fotograf i New York Times, ajo tregon atë që duket të jetë një plumb në mes të fluturimit, duke kaluar pikërisht nga koka e ish-presidentit Donald Trump.
Pra, çfarë dimë ne për armën e përdorur në sulm, dëmin që mund të shkaktojë dhe sa afër vdekjes iu afrua Donald Trump?
Shërbimet e sigurisë thonë se një AR-15 u gjet nga vendi i ngjarjes. Është cilësuar edhe si "Pushka e Amerikës", ajo është përfshirë në të shtëna masive në shumë raste.
Zakonisht lëshon një plumb 0,556 mm, standardi i NATO-s, megjithëse mund të konvertohet në kalibra të tjerë. Me një pushkë AR-15 është e lehtë të qëllosh dhe të vrasësh në atë rreze, siç dëshmohet nga një vdekje (të paktën) në turmë.
Sipas Justin Crump analisti i sigurisë Sibylline, plumbi i pushkëve të sulmit shkaktojnë dëme maksimale.
Është transferimi i energjisë, dhe jo vetëm zhvendosja fizike e shkaktuar nga plumbi, që i bën pushkët sulmuese kaq shkatërruese.
Fakti që plumbi e ciflosi veshin e Trump do të thoshte se energjia shkatërruese e përfshirë në këtë rast, nuk u transferua.
Megjithatë, sipas Crump, nuk do të ketë qenë pa pasoja. "Valga goditëse që kalon afër daullen e veshit nuk do të ketë qenë argëtuese dhe mund të lërë një dëmtim," thotë ai.
Sikur plumbi të ishte vetëm një centimetër djathtas, ose koka e ish-presidentit në një kënd pak më të ndryshëm, e gjithë ajo energji kinetike do të ishte transferuar tek ai, me pasoja shkatërruese.
Me pak fjalë, Trump ishte pak centimetra larg vdekjes. /BBC-Versus.al
Makina dhe shtëpia plot me eksplozivë, detaje shokuese për autorin e atentatit ndaj Trump
Atentatori i ish-presidentit Donald Trump kishte material shpërthyes brenda makinës dhe banesës së tij, sipas CNN.
FBI e ka identifikuar publikisht personin e armatosur si Thomas Matthew Crooks, 20 vjeç, nga Bethel Park, Pensilvani.
Autoritetet thonë se ai qëlloi të disa herë nga çatia e një ndërtese jashtë vendit të tubimit përpara se të vritej nga agjentët e Shërbimit Sekret.
VIDEO/ Kush ishte dhe çfarë dihet për njeriu që tentoi të vriste Donald Trumpin
FBI e ka emëruar Thomas Matthew Crooks, 20 vjeç, nga Bethel Park, Pensilvani, si njeriun që besojnë se ka qëlluar ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për njeriun që vjen nga qyteti është rreth një orë me makinë larg vendit ku po mbahej tubimi i Trump.
Agjentët e Shërbimit Sekret qëlluan për vdekje Crooks ndërsa ai ishte shtrirë në çatinë e një ndërtese jashtë vendit të tubimit në Butler, Pensilvani, tha agjencia.
Një pjesëmarrës u vra gjithashtu dhe dy spektatorë u plagosën rëndë, thanë autoritetet. Të gjithë u identifikuan si meshkuj.
Raportet e mediave në SHBA thonë se Crooks ishte regjistruar si republikan në Allegheny, Pensilvani, sipas të dhënave të votuesve të qarkut.
Por të dhënat e financimit të fushatës federale të SHBA tregojnë gjithashtu se Crooks dhuroi një sasi simbolike parash Projektin Progresiv të Pjesëmarrjes, një grup liberal që inkurajon amerikanët të votojnë.
Sipas gazetës USA Today, ai nuk ka precedentë penalë në Pensilvani.
Ndërkohë disa pamje të postuara në mediat sociale tregojnë trupin e një personi të veshur me kamuflazh gri, i shtrirë pa lëvizur në çatinë e një ndërtese, një fabrikë prodhimi në veri të terrenit të Butler Farm Show ku u mbajt mitingu i Trump.
Zyrtarët thanë se anëtarët e ekipit të kundërsulmit të Shërbimit Sekret të SHBA vranë sulmuesin.
Ekipi taktik i armatosur rëndë udhëton kudo me presidentin dhe të emëruarit e partive kryesore dhe ka për qëllim të përballet me çdo kërcënim aktiv, ndërsa agjentët e tjerë fokusohen në mbrojtjen dhe evakuimin e personit në qendër të mbrojtjes.
Forcat e rendit gjetën një pushkë në vendngjarje, sipas një personi të tretë të njohur me çështjen, i cili foli në kushte anonimiteti për të diskutuar hetimin në vazhdim.
Ndërsa një analizë e AP e më shumë se një duzinë imazhesh nga skena e tubimit të Trump, si dhe imazhet satelitore të vendit, tregojnë se sulmuesi ishte në gjendje t’i afrohej çuditërisht skenës ku ish-presidenti po fliste.
Atentati ndaj Trump, Melani Trump thyen heshtjen pas shumë kohësh
Melania Trump “theu” heshtjen e saj pas atentatit ndaj bashkëshortit të saj, Donald Trump, në një tubim të fushatës në Pensilvani të shtunën.
Ish-zonja e parë e SHBA-së e përshkroi autorin si një “përbindësh” dhe e përshkroi momentin kur pa plumbin që goditi veshin e burrit të saj.
“Një përbindësh që e trajtoi burrin tim si një makinë politike çnjerëzore, u përpoq t’i rrëmbejë shpirtin Donaldit – buzëqeshjen, autenticitetin, dashurinë për muzikën dhe frymëzimin e tij”, vuri në dukje Melania në një postim në X.
“Kur pashë atë plumb të dhunshëm që goditi burrin tim, kuptova se jeta ime dhe e Baronit ishin gati të merrnin një kthesë tronditëse. Ndjehem mirënjohëse për njerëzit e Shërbimit Sekret që rrezikuan jetën e tyre për ta mbrojtur atë”, tha ajo.
“Të gjithë ju që derdhët lot në mbështetjen tonë, ju falënderoj. Gjithashtu përgëzoj të gjithë ata që shohin ndarjet politike. Faleminderit që kujtoni se çdo politikan është një burrë apo grua me një familje pas tij”, u shpreh Melania.
“Kisha shumë gjakderdhje, atëherë kuptova…” Trump përshkruan momentin kur u qëllua
Ish-Presidenti Donald Trump ka përshkruar në rrjete sociale momentin kur e qëlluan me plumb në pjesën e sipërme të veshit.
Pas disa minutave fjalim në Pensilvani, ai thotë “se dëgjoi të shtënat, ndjeu një zhurmë dhe diçka që po i çante lëkurën.”
Forcat e Shërbimit Sekret ekzekutuan në vend atentatorin dhe arritën ta nxirrnin prej aty, teksa veshi i djathtë i Trump kullonte gjak.
“Kisha shumë gjakderdhje, atëherë e kuptova se çfarë po ndodhte. Dua të falënderoj Shërbimin Sekret të Shteteve të Bashkuara dhe të gjitha forcat e zbatimit të ligjit për reagimin e tyre të shpejtë pas asaj që ndodhi në Butler të Pensilvanisë”, është shprehur Trump.
Në postimin e tij, ai shprehu ngushëllimet për familjen e personit që ndërroi jetë prej të shtënave si dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurin tjetër.







