Të dielën, më 6 korrik, vendi ynë do të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të qëndrueshme, duke sjellë një ditë kryesisht të kthjellët në shumicën e territorit. Të pakten në 4 qarqe, Shkodër, Tiranë, Elbasan e Gjirokastës, temperatura pritet të shënojë 40 gradë Celsius.
Orët e paradites do të karakterizohen nga mot i pastër dhe diell, ndërsa në mesditë dhe pasdite do të ketë kalime të herëpashershme vranësirash, kryesisht në zonat malore lindore.
Në juglindje priten reshje shiu të dobëta dhe afatshkurtra, ndërsa në lartësitë malore të kësaj zone reshjet mund të shfaqen në formë shtrëngatash të izoluara. Era do të fryjë nga jugperëndimi në veriperëndim me një shpejtësi mesatare prej 5 m/s, ndërsa në lugina dhe përgjatë vijës bregdetare priten rritje të përkohshme të intensitetit deri në 6-8 m/s. Deti paraqitet i qetë me valëzim të ulët, 1 deri në 2 ballë.
Një ditë ideale për aktivitete në natyrë, me përjashtim të zonave juglindore ku rekomandohet kujdes në orët e pasdites për shkak të mundësisë së reshjeve lokale.







