MAGAZINË /

Kënga ‘Mora fjala’ u ndalua në stadium? Këngëtarja: Vendimi i pakuptimtë! Flet edhe Lorik Cana

Këngëtarja e cilësoi si vendim të pakuptimtë ndalimin e këngës së famshme, ndërsa për ish-kapitenin Lorik Cana, nuk ekziston një polemikë e tillë.

Shkruar nga Versus
Kënga ‘Mora fjala’ u ndalua në stadium?
Këngëtarja Shkurte Fejza dhe ish-kapiteni Lorik Cana

Kënga “Mora Fjalë” e cila u përhap në masë sa herë që Kombëtarja Shqiptare kishte ndeshje, kësaj here nuk u këndua më në “Air Albania” në sfidat përballë Ukrainës dhe Republikës Çeke, të cilat skuadra kuqezi i humbi.

Për këtë pjesë, Tifozët Kuq e Zi u shprehën se u ishte komunikuar se nuk duhet ta këndonin në stadium. Ndërsa vetë këngëtarja Shkurte Fejza në një lidhje direkte për “Shqipëria Live” e konsideroi vendimin si “të pakuptimtë”.

“Unë jam ndjerë shumë e nderuar që më kanë ftuar të këndoj në stadium dhe ka qenë një përjetim i jashtëzakonshëm. Por kënga që është e ndaluar ose e mohuar, për mua është diçka e pakuptimtë. Më dhemb sepse kjo këngë është për një figurë të shenjët që ka Kosova dhe konsiderohet një figurë e shenjtë dhe për Shqipërinë. Kjo këngë mori përmasa nga stadiumi”, tha artistja.

Ndërkohë, për situatën e krijuar me mungesën e këngës “Mora Fjalë” në stadium, foli edhe ish-kapiteni i kuqezinjve, Lorik Cana sipas të cilit një gjë e tillë nuk duhet marrë në aspekt negativ. Ai e cilësoi këngën si një ‘këngë të popullit’ të cilën askush nuk mundet ta ndalojë për ta kënduar.

“E lexova pak në rrjete. Nuk është se kam pasur një vëmendje të madhe, por është një fat që e kemi një Shkurte Fejzaj që për ne në Kosovë është një figurë e veçantë. Sa i përket pjesës së këngës, të them të drejtën nuk jam shumë brenda ngjarjes, por një gjë është e sigurt, mos t’i japim aspekt negativ. Kënga do këndohet nëpër shkolla, nëpër stadiume dhe kur këndojnë tifozët, nuk është askush që mund t’i ndalë. Nuk e shoh që të mbahet si polemikë. Sa i përket këngës “Mora fjalë”, është këngë e popullit tonë, e sakrificave dhe kur këndohet në stadium, nuk ka asgjë që e ndalon, me muzikë apo pa muzikë në sfond”, tha Cana. Versus.al

Poll