MAGAZINË /

Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin mendor: Psikiatrja paralajmëron shtim të rasteve

Konsumi i substancave narkotike në ambiente festive, veçanërisht në plazhe apo evente verore, ka çuar në rritje të ndjeshme të rasteve me çrregullime psikotike.

Shkruar nga Versus

Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin mendor:

Valët e të nxehtit nuk janë vetëm shqetësim fizik. Sipas mjekes psikiatre Irena Thoma, temperaturat e larta ndikojnë drejtpërdrejt në gjendjen emocionale dhe psikike të individëve, veçanërisht atyre që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor.

“I nxehti rrit ndjeshmërinë, zemërimin, predispozitën për konflikte dhe ndikon në funksionimin e neuroneve,” shpjegon ajo. “Ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes çrregullimeve psikotike dhe temperaturave ekstreme.”

Por më të rrezikuarit, sipas saj, janë të rinjtë. Konsumi i substancave narkotike në ambiente festive, veçanërisht në plazhe apo evente verore, ka çuar në rritje të ndjeshme të rasteve me çrregullime psikotike.

“Nëse ekziston një prirje gjenetike për probleme mendore dhe shtohet edhe përdorimi i drogës, rreziku për shpërthime psikotike rritet ndjeshëm,” thotë Thoma. “Kemi gjithnjë e më shumë të rinj që paraqesin probleme serioze mendore pas ekspozimit ndaj substancave dhe kushteve ekstreme.”

Për familjet që kanë anëtarë me probleme të shëndetit mendor, mjekja jep disa këshilla të thjeshta por jetike:

•Qëndrim në ambiente të freskëta

•Hidratim i vazhdueshëm

•Rishikim i skemës së mjekimit në konsultim me mjekun specialist

Moti ekstrem nuk është vetëm një sfidë fizike, është edhe një kërcënim për stabilitetin mendor, ndaj kujdesi duhet të jetë i shumëfishtë gjatë muajve të verës.

Poll