
Aktori Erand Sojli, një nga figurat më të përfolura të edicionit të dytë të “Ferma VIP”, ishte i ftuar së fundmi në emisionin “Ferma Club”, ku foli për eksperiencën e tij në reality show dhe marrëdhëniet me ish-konkurrentët. Megjithatë, ajo që tërhoqi më shumë vëmendje ishte një moment i papritur lidhur me jetën e tij personale.
Gjatë intervistës me moderatoren Ditea, Erandi la të nënkuptohej se ndjenjat e tij për Elinarën – një nga banoret më të spikatura të formatit – janë reale. I pyetur nëse është i dashuruar, ai nuk dha një përgjigje të qartë, por as nuk e mohoi. Përkundrazi, e shoqëroi momentin me një puthje të lehtë në faqe për Elinarën, e cila ndodhej pranë tij në studio.
Gjatë spektaklit, dyshja ishte komentuar shpesh për afrimitetin e tyre, por kurrë nuk kishin konfirmuar një lidhje. Tani, pas përfundimit të formatit, Erandi theksoi se për të, dashuria është një ndjenjë që duhet ruajtur përtej vëmendjes publike.
“Dashuria duhet të shijohet në intimitet. Nuk duhet kthyer në spektakël, sepse gjëja e parë që dëmtohet nga ekspozimi është vetë dashuria”, u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se mes tij dhe Elinarës mund të ketë diçka më shumë, por që do të mbetet larg syve të publikut./Versus.al







