POLITIKË /

Akuzat e PD se përfitoi 22.4 ha tokë në Vuno, Rama: E neveritshme, padi në gjyq për këta të paudhë

PD ka denoncuar një sërë veprimesh të Ramës duke pretenduar se i ka bërë për të përfituar tokën me vlerë 30 mln euro në Vuno. Kryeministri përveçse mohoi akuzat pralajmëroi edhe padi për shpifje.

Shkruar nga Versus

Akuzat e PD se përfitoi 22.4 ha tokë në Vuno, Rama: E

Partia Demokratike me anë të një deklarate për shtyp të sekretarit për çështje ligjore, Ivi Kaso denoncoi atë që e konsideroi si “aferë e tokave në Vuno” ku pretendohet se kryeministri Edi Rama ka miratuar disa projektvendime të cilat do ta ndihmojnë atë të marrë 22.4 hektarë tokë pa pasur dokumentacion.

Sipas PD bëhet fjalë për një tokë prej 22.4 hektarësh e cila përllogaritet të kapë vlerën e 30 milionë eurove. Në pretendimet e Kasos, thuhet përshkruhet sesi në vitin 2017 kryeministri Rama dhe trashëgimtarë të fisit Koleka, aplikuan të regjistronin pronën e tyre në Agjensinë e Trajtimit të Pronave. Po agjensia e refuzoi regjistrimin pasi gjeti mangësi në dokumentacion.

'Pas refuzimit të vendimit për ta regjistruar pronën, trashëgimtarët e familjes Koleka iu drejtuan gjykatës së Apelit të Vlorës e cila me anë të një vendimi në mars të 2019-ës njohu pronën dhe bëri pozicionimin e saj', deklaroi Ivi Kaso.

Po sipas tij, në këtë proces gjyqësor, nuk kanë qenë të përfaqësuara asnjë institucion shtetëror përveç avokaturës së shtetit, e cila sipas PD mori pjesë vetëm formalisht. Kështu, në pretendimin e opozitës thuhet se që prej vitit 2016 deri në 2020, Rama ndërtoi një kuadër ligjor me 2 ligje dhe 7 VKM me qëllim që të përfitojë pronën.

Konkretisht sipas Ivi Kasos, këto kanë qenë VKM-të e qeverisë me qëllim që Rama të arrijë të përfitojë 22.4 hektarë tokë:

•              Ligj nr. 133, 2015: “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompesimit të pronës”.

•              Ligj 20/2020 “Për Përfundimin e Proceseve Kalimtare të Pronësisë”, dt.05.03.2020;

•              VKM nr. 89, dt.03.02.2016;

•              VKM nr. 222, dt.23.03.2016;

•              VKM nr. 223, dt.23.03.2016;

•              VKM nr. 685, dt.28.09.2016;

•              VKM nr. 766 , dt.20.12.2017;

•              VKM nr. 1174, dt.24.12.2020

•              VKM nr. 1114, dt.24.12.2020;

Me anë të këtyre vendimeve, demokratët pretendojnë se familjes Rama i mundësohet trajtimi i kërkesës së tyre për njohjen e pronës duke e detyruar agjencinë e Trajtimit të Pronave që të njohë kryeministrin Edi Rama si një prej pronarëve.

Ndërkohë, nuk ka vonuar as reagimi i kryeministrit Edi Rama ndaj këtyre pretendimeve. Me anë të një postimi në rrjetin social “X”, Rama shkruan kjo është një përpjekje e dështuar e PD për të hedhur baltë mbi të ndërsa paralajmëroi hapa ligjorë ndaj këtyre deklaratave.

Reagimi i plotë i Ramës:

Përpjekja e dëshpëruar për të bërë një paralele të pamundur, mes pushtetit të përdorur për veten e për familjen dhe pushtetit të vënë në dispozicion të të gjithëve, ku edhe vetja, familjarët apo fisi yt trajtohen njësoj si të gjithë, është një përpjekje që e përshëndes me kënaqësi, sepse aq sa ç’është e neveritshme si gjithnjë kur hidhet baltë mbi familjen time për të luftuar në fakt me mua, aq është këtë herë edhe e mirëseardhur për të bërë dallimin si nata me ditën mes agresorëve të familjes time dhe meje si kundërshtar i papërkulshëm i tyre!

Të gjitha faktet që e ekspozojnë këtë përpjekje, si një lëtyrë të nxjerrë nga kanalet e ujrave të zeza mediatike në Tiranë e në Athinë, e tashmë të propaganduar nga skllevërit e ballkonit Non Grata, do të jenë pjesë e padisë së radhës në gjyq për këta të paudhë që në fakt, po i paguajnë me një vetëdiskreditim e vetëturpërim shembullor në sytë e shqiptarëve paudhësitë e panumërta, që i kanë bërë këtij vendi e këtij populli kur kishin edhe gurin edhe arrën, në duart e tyre të mbrapshta e të pista.

Por për publikun ka vetëm një fakt. Sot e gjithë ditën, duzina e trashëgimtarëve të pronave të stërgjyshit tonë në Vuno të Himarës, njësoj si plot trashëgimtarë të tjerë të kësaj zone - ku sapo isha së bashku me kryebashkiakun tonë të së dielës së ardhshme, Vangjel Tavon - nuk i ka marrë ende çertifikatat e pronësisë. Sepse unë, ndryshe nga kundërshtarët e mi pa din e pa iman, nuk jam i asaj kategorie përfaqësuesish të popullit, që tjetër thonë për njerëzit e tjetër bëj për vete.

Kështu që faleminderit që e hapën këtë gropë në publik për mua dhe bujrum le të hidhen vetë brenda, si zakonisht, por këtë herë me të mirën e madhe që populli do ta shohë dallimin e madh, si në një pasqyrë ku vetëm qorrat me qimen e syrit në tru mund të mbeten pa e kuptuar! Versus.al

Poll