Gjatë seancës së zhvilluar në komisionin e Ekonomisë ku mes të tjerëve raportoi edhe Denar Biba, kreu i Autoritetit të Konkurrencës përveç ankesave të deputetëve mbi veprimtarinë e institucionit gjatë 2024-ës, edhe Biba kishte disa ankesa sa u takon pagave të punonjësve dhe kushteve të punës së tyre.
Sipas tij, Autoriteti i Konkurrencës ka të njëjtat zyra si në 2003-in dhe aktualisht ka 49 punonjës të cilët kanë vetëm 1 tualet. Ai përmendi gjithashtu se kolegët në Kosovë, Maqedoni e vende të tjera të rajonit kanë paga shumë më të mira.
‘’Ju na drejtoheni me kërkesa të drejta, por me parametra të lartë a thua se jemi autoriteti gjerman i konkurrencës. Po të shikoni pagat tona, veçanërisht mjediset ku punojmë që janë të njëjtat me 2003-in. Ai institucion u vendos në një sallë dhe ambientet ishin paraparë për 20 punonjës. Sot jemi 49 persona dhe jemi me një tualet. Të gjitha zonjat tona shkojnë në një tualet. Mos ta banalizoj, por nuk është banalitet është përditshmëria jonë. Ne jemi Autoriteti me pagat më të ulëta në rajon, kolegët në Kosovë, Maqedoni apo edhe Moldavi kanë paga shumë më të larta se ne’’- tha Biba. Versus.al







