
Tiranë- Sot avokatja Klodiana Gjyzari është paraqitur në ambientet e SPAK ku ka firmosur për mbylljen e hetimeve lidhur me dosjen e aferës së privatizimit të ish-kompleksit Partizani për të cilën është marrë i pandehur edhe klienti i saj, ish-kryeministri Sali Berisha.
Ky i fundit dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi po ashtu i pandehur, kanë dërguar avokatët për të firmosur mbylljen e akteve hetimore. Ishte avokati Klodian Skënderi ai që firmosi për mbylljen e hetimeve ndaj Malltezit. Në fotot që gazetarët shkrepën jashtë ambienteve të SPAK, shihet avokatja e Berishës, Klodiana Gjyzari e cila del e buzëqeshur me dosjen voluminoze në duart e saj.

Tashmë, me mbylljen e hetimeve pritet hedhja e shortit për caktimin e gjyqtarëve të cilët do të merren me gjykimin e çështjes. Këta të fundit kanë mundësi të vazhdojnë procesin gjyqësor ose ta kthejnë dosjen për plotësim hetimesh.
Në total të pandehur për aferën, janë marrë 5 persona nën akuza të ndryshme, konkretisht:
Ish-kryeministri Sali Berisha në arrest shtëpie prej muajit dhjetor, akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim me dhëndrin e tij
Jamarbër Malltezi, dhëndri i Sali Berishës dhe një prej trashëgimtarëve të pronave në ish-kompleksin sportiv të Partizanit, akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash
Fatmir Bektashi, ndërtuesi i kullave në kompleks, akuzohet për korrupsion aktiv të zyrtarëve të lartë, në këtë rast të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe për pastrim parash
Andia Pustina, juristja që ka kryer veprimet proceduriale në kalimin e pronësisë, akuzohet për pastrim parash
Xhimi Begeja, kushëri dhe ortak i Jamarbër Malltezit, akuzohet për pastrim parash.
Sa i takon akuzave që përmnden për Berishën në dosjen hetimore prej 500 faqesh, ish-kryeministri ka akuzuar prokurorët e SPAK se po zbatojnë urdhërat politikë të kryeministrit Edi Rama i cili sipas tij ka qëllim dëmtimin e opozitës në prag të zgjedhjeve parlamentare 2025. Versus.al







