
I vendosur mes komisoneres për zgjerimin Marta Kos dhe zv/ministrjes për Çështjet Europiane të Qipros, Marilena Raouna, kryeministri Edi Rama e ka nisur konferencën për shtyp në Bruksel, duke shkëmbyer batuta me dy zonjat.
“E dashur Marilena, agapi mou! Faleminderit shumë, e dashur Marta! Nuk më do mua? Po mendoja të thoja “Yubim te”, “Yubim te” nuk është saktësisht varianti slloven, por edhe mund të jetë.
Duhet të shihni e të mësoni nga dashuria e Shqipërisë për BE, dashuria e pashtershme, pa kushte, dashuri që sjell vuajtje ndonjëherë, por ja ku jemi, por sigurisht jemi shumë të lumtur”, tha Rama.
Në këmbim, Rama mori një puthje nga komisionerja Marta Kos.

Në konferencën e 8 ndërqeveritare Shqipëri-BE, me zvministren për Çështjet Europiane e Qipros, Marilena Raouna dhe Komisioneren Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, kjo e fundit theksoi se Shqipëria ka plotësuar piketat e ndërmjetme, një arritje për tu kremtuar, një punë e madhe prej një dekade.
“Sot ne po vendosim me vetëbesim edhe termat e rrugëtimit përfundimtar drejt anëtarësimit të BE. Shtetet anëtare kanë përcaktuar piketat mbyllëse për kapitullin më të rëndësishëm për shtetin e të drejtës. Arritja e sotme çel një fazë të re.
Pra pa hapin e sotëm mbyllja e kapitujve nuk do të ishte aspak me vlerë. Ne do vazhdojmë të mbështesim punën dhe vizonin e Shqipërisë për të mbyllur negociatat në 2027. Piketat mbyllëse për të cilat BE ka rënë sot dakord janë një sinjal i qartë. Shteti i së drejtës prek çdo qytetar, është koha që të përmbushen pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë dhe duke dhënë rezultate për reformat që kanë peshë për ta. Kemi një rrugë të gjatë përpara. Por Shfrytëzoni këtë moment dhe le t’i kthehemi punës”, deklaroi Marta Kos.
Zëvendësministrja për Çështjet Europiane e Qipros, Marilena Raouna, theksoi se politika e zgjerimit jep rezultate konkrete kur reformat ndiqen me vendosmëri. Versus.al

